De Biazi synon rekordin e Brigelit

494
Sigal

Ish-trajneri gjerman ka grumbulluar më shumë pikë se çdo teknik tjetër në një fushatë eliminatore

 Shqipëria do të luajë nesër kundër Qipros (18:00) ndeshjen e fundit në këto eliminatore të Botërorit “Brazil 2014”, pikërisht ndaj skuadrës me të cilën hapi dhe fushatën kualifikuese dhe fitoi 3-1 në “Qemal Stafa”. Për të dyja skuadrat ndeshja nuk ka rëndësi nga pikëpamja e arritjes së vendit të dytë, ndërkohë ajo ka një vlerë statistikore për trajnerin Xhani De Biazi. Shqipëria ka grumbulluar 10 pikë pas 9 ndeshjeve, ndërkohë që synimi është jo vetëm t’i japë fund serisë prej tre humbjeve rresht, por dhe kapë kuotën e 13 pikëve të grumbulluara nga ish-trajneri gjerman Hans Peter Brigel në një fushatë të vetme. Nëse Shqipëria do të fitojë ndaj Qipros së vendit të fundit – ka regjistruar 7 humbje në 9 ndeshje, atëherë Xhani De Biazi do të shndërrohet në trajnerin me të suksesshëm të Kombëtares shqiptare. Kujtojmë se, Brigeli i arriti 13 pikët e tij në një fushatë me 12 ndeshje (grupi kishte 7 ekipe), ndërkohë që grupi i këtij edicioni është me 6 ekipe, pra në total 10 ndeshje, 2 më pak se ai kohës së Brigelit. Fitoren në Qipro e kukojnë të gjithë, duke filluar nga trajneri, lojtarët dhe padyshim, tifozët kuqezinj. Për më tepër që, De Biazi synon ta festojë me një fitore nënshkrimin e kontratës së dytë me Federatën Shqiptare të Futbollit, të vlefshme për eliminatoret “Francë 2016” (ku marrin pjesë për herë të parë 24 skuadra finaliste). Në ndeshjen e parë, atë të 7 shtatorit 2012 në “Qemal Stafa”, Shqipëria fitoi 3-1 me Qipron (e 12-ta në eliminatoret e Botërorit). Armando Sadiku (36’), Edgar Çani (84’) dhe një supergol i Erjon Bogdanit (87’) për Shqipërinë. Golin e vetëm për qipriotët e shënoi Vinsent Laban (45+5). Në nëntë ndeshjet e kësaj fushate kualifikuese, Kombëtarja jonë ka fituar tre, teksa ka marrë edhe një barazim dhe pesë humbje (e fundit me Zvicrën, të premten e kaluar). Kuqezinjtë kanë arritur të fitojnë vetëm 14 nga 94 sfidat të vlefshme, për kualifikueset e kampionateve botërore (12 barazime dhe 65 humbje). Shqipëria ka regjistruar në total 26 fitore në ballafaqimet ndërkombëtare: 14 u përkasin fushatave kualifikuese të botërorëve, ndërsa 12 atyre të europianëve.

Eliminatoret “Botërori 2014”

Grupi E

 Të martën, 15 tetor

Qipro-Shqipëri       18:00

Norvegji-Islandë           20:00

Zvicër-Slloveni      20:00

RENDITJA

1 Zvicra        9    21

2 Islanda       9    16

3 Sllovenia     9    15

4 Norvegjia     9    11

5 Shqipëria     9    10

6 Qipro         9    4

6-1, rekordi kundër Qipros

 

Shqipëria ka shënuar më shumë gola në një ndeshje të vetme, kur mundi 6-1 Qipron në miqësoren e zhvilluar, më 12 gusht 2009 me kratin Josip Kuzhe në bankinë. Golat mbajnë firmat e Ervin Skëlës (2), Erjon Bogdanit, Klodian Duros, Ansi Agollit dhe Emiljano Vilës.

NDESHJET E DE BIAZIT

ELIMINATORET “BRAZIL 2014”

 Shqipëri-Qipro       3-1

Zvicër-Shqipëri      2-0

Shqipëri-Islandë           1-2

Shqipëri-Slloveni    1-0

Norvegji-Shqipëri    0-1

Shqipëri-Norvegji    1-1

Slloveni-Shqipëri    1-0

Islandë-Shqipëri           2-1

Shqipëri-Zvicër      1-2

Qipro-Shqipëri  15.10.2013

Bilanci: 9 ndeshje; 3 fitore, 1 barazim, 5 humbje; 10 pikë

NDESHJET E BRIGELIT

ELIMINATORET “GJERMANI 2006”

    Shqipëri-Greqi 2-1

Gjeorgji-Shqipëri 2-0

Shqipëri-Danimarkë 0-2

Kazakistan-Shqipëri 0-1

Shqipëri-Ukrainë 0-2

Turqi-Shqipëri 2-0

Greqi-Shqipëri 2-0

Shqipëri-Gjeorgji 3-2

Danimarkë-Shqipëri 3-1

Shqipëri-Kazakistan 2-1

Ukrainë-Shqipëri 2-2

Shqipëri-Turqi 0-1

Bilanci: 12 ndeshje; 4 fitore, 1 barazim, 7 humbje; 13 pikë

 Rinovimi i De Biazit, çështje ditësh

  Rinovimi i kontratës së trajnerit të Kombëtares, Xhani De Biazi, me Federatën Shqiptare të Futbollit mbetet tema e ditës. Pavarësisht se edhe pas përballjes me Zvicrën trajneri italian theksoi se kishte rënë parimisht dakord me presidentin Duka, firma vonon të hidhet. Arsyeja qëndron te një kusht që së fundmi kreu i federatës i ka vënë trajnerit për kualifikimet e ardhshme. Nëse për këtë edicion De Biazi nuk ka pasur një objektiv primar dhe të qartë, përveçse rinovim të skuadrës dhe marrjen e sa më shumë pikëve, për EURO 2016 (ndeshjet e të cilit nisin në shtator 2014) Duka ka vënë si kusht në kontratë kualifikimin e Kombëtares në këtë eveniment. Nëse ky kusht do të pranohet nga De Biazi, atëherë do jetë realisht hera e parë në gjithë historinë e ekipit tonë përfaqësues që do pretendohet të bëhet një hap kaq i madh. De Biazi e ka pranuar parimisht këtë kërkesë të Dukës, por më së pari ka kërkuar që të mësojë edhe shortin e këtyre kualifikimeve. EURO 2016 do të zhvillohet në Francë, teksa shorti i kualifikimeve do të hidhet në “Pallatin e Kongreseve” në Nisë, më 23 shkurt 2014. Ndërsa shorti për këtë kampionat, pas kualifikimit të 24 skuadrave, do hidhet më 11 dhjetor 2015 në Paris.

Ish-kampioni i Europës është i vetmi që ka realizuar katër suksese në një fushatë

 KATËR FITORET E BRIGELIT

 Trajneri gjerman Hans Peter Brigel është i vetmi që ka regjistruar katër fitore brenda një edicioni eliminator, pikërisht në Botërorin “Gjermani 2006”. Ky është një tjetër rekord i tij, i cili mund të barazohet nga Xhani De Biazi, gjithmonë nëse italiani fiton me Qipron nesër. Brigel fitoi në transfertë 1-0 me Kazakistanin (El. Botërori 2006)  ndërsa De Biazi fitoi 1-0 me Norvegjinë (El. Botërori 2014).

 1. Gjermani Hans-Peter Brigel arriti fitoren ë bujshme dhe tepër simbolike, ajo kundër Greqisë (2-1), më 4 shtator 2004, kur helenët sapo ishin kurorëzuar kampionë të Europës, në Portugali. Edvin Murati (2’) dhe Adrian Aliaj (11’) Janokopulos shkurtoi diferencën në minutën e 39-të.

 2. Brigel arriti një tjetër fitore në eliminatoret e Botërorit 2006, pikërisht në Almaty të Kazakistanit, me një gol të realizuar nga Alban Bushi në minutën e 61-të. Kjo ishte fitorja e parë e Shqipërise e realizuar në transfertë.

 3. Fitorja e nëntë e Shqipërisë është ajo 3-2 ndaj Gjeorgjisë, në një takim të luajtur pa tifozë në “Qemal Stafa”, më 4 tetor 2005. Igli Tare 6’, Ervin Skela 55’ dhe sërish Igli Tare në të 55’. Gjeorgjia u zgjua duke realizuar dy gola: Burduli 85’ dhe Kobiashivili 90’+1.

 4. Fitorja e dhjetë e Shqipërisë është ajo 2-1 kundër Kazakistanit në “Qemal Stafa”. Golat mbajnë firmat e Florian Myrtajt (54’) dhe Erjon Bogdanit (56’), ndërsa për miqtë shënoi Nizovtsev (64’). Për herë të parë parë në një fushatë të vetme, Shqipëria arrin katër fitore në 12 ndeshje.

 TRE FITORET E DE BIAZIT

 1. Fitorja ndaj Qipros (3-1) ishte e 12-ta në eliminatoret e Botërorit, e arritur me Xhani De Biazin në bankinë. Ndeshja ishte e vlefshme për eliminatoret e “Brazil 2014”. Armando Sadiku (36’), Edgar Çani (84’) dhe një supergol i Erjon Bogdanit (87’). Golin e vetëm për qipriotët e shënoi Vinsent Laban (45+5).

 2. Pas dy humbjeve rresht: 2-0 me Zvicrën në Gjenevë dhe 2-1 me Islandën në Tiranë, Kombëtarja u rikthye te fitorja, duke mposhtur 1-0 Slloveninë në “Qemal Stafa”. Gjithçka u vendos nga një gol i bukur Odise Roshit në minutën e 37-të të takimit.

 3. Fitorja e 14-të është ajo kundër Norvegjisë, në “Uleval” të Oslos, falë një supergoli të realizuar nga Hamdi Salihi në minutën e 67-të. Kjo ishte dhe fitorja  e dytë që Shqipëria ka arritur në transfertë, pas asaj 1-0 kundër Kazakistanit në Almaty (trajner Hans-Peter Brigel).