De Biazi shpall listën: Izraeli, kundërshtar i fortë, ja cilët lojtarë mbeten jashtë

475
Sigal

Këtë herë është vetëm
një ndeshje përpara. Ndryshe nga grumbullimet e kaluara, Shqipëria do të
përgatitet vetëm për një përballje. Grumbullimi paraardhës ishte për dy të
tilla. Për këtë sfidë, trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, ka vendosur që të
jetë më shumë se kurrë diskret. Në axhendën e tij për këtë takim do të jenë 23
futbollistë, ndërsa sot në një konferencë për shtyp trajneri i Kombëtares ka
publikuar edhe listën duke dhënë emrat e lojtarëve që do të mbeten jashtë. Disa
nga emrat më të njohur nuk do të jenë në ndeshje. Në dyshim Armando Sadiku për
shkak të dëmtimit. Sokol Cikalleshi, Ergys Kace, Shkëlzen Gashi nuk kanë marrë
ftesën nga tekniku për këtë takim. Ndërsa kundërshtarin e cilësoi të fortë, por
jo të pamposhtur. “Skuadra që kemi përballë është e fortë, ka lojtarë cilësorë,
vetëm kush mendon për futbollin në mënyrë jo profesionale mendon që mund ta
mundim me lehtësi. Është një ndeshje e fortë që do tentojmë ta fitojmë,
përballë kemi një skuadër me lojtarë të nivelit ndërkombëtar. Duhet të kemi
shumë kujdes”, tha trajneri De Biazi.

MUNGESA E KAÇES: Një
mungesë për arsye teknike e cilësoi trajneri i kuqezinjve mungesën e Ergys
Kaçes. “Kam vendosur për lojtarë të tjerë, mungesa e tij vjen për arsye
teknike. Shoh që lojtarët e tjerë të grumbulluar janë më mirë se ai”.

LENJANI: “Ka bërë më të
mirën sa herë ka luajtur. Ka pasur probleme, por është lojtar i besueshëm,
është gjithnjë i gatshëm kur e thërret”.

CIKALLESHI: “Uroj të
gjejë formën e tij, por është një moment jo i mirë për të. Unë besoj shumë tek
ai, besoj më shumë unë tek ai se ai tek vetja”.

SADIKU: “Do mundohemi
ta rikuperojmë sa më shpejt është shumë i rëndësishëm për ne”.

STRATEGJIA

Trajneri u shpreh gjatë
konferencës se nuk ka një strategji fikse në ndeshjen me Izraelin, por pranoi
se nuk mund të munden me arrogancë. “Së pari nëse do tentojmë t’i mundim duke
menduar me arrogancën dhe sigurinë që jemi më të fortë, nuk di ia dalim, mund
të biem edhe në tokë. Prandaj duhet ta studiojmë kundërshtarin, të kuptojmë
pikat e dobëta. Të analizojmë lojën e tyre dhe tonën. Do mundohemi të kuptojmë
si luajnë, si sulmojnë. Strategjia do ndërtohet mbi bazën e performancës së
lojtarëve në fushë”.