De Biazi, “presion” Lacios: Berisha meriton më shumë

80
Pasi ka shijuar kualifikimin historik të kombëtares në Kampionatin Europian, trajneri Xhani De Biazi ka nisur nga puna për përgatitjet e veprimtarisë prestigjioze që nis në qershorin e ardhshëm. Së bashku me ndihmësin e tij besnik, Paolo Tramezani, numri një i stolit kuqezi është akoma në kërkim të lojtarëve dhe talenteve që mund t’i shërbejnë kombëtares në të ardhmen. Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere Dello Sport”, De Biazi pohon se futbollistët shqiptarë që luajnë në Europë janë në vëzhgim në vendet ku luajnë, duke pasur një mundësi për të veshur fanellën e Shqipërisë. “Unë, së bashku me Paolo Tramezanin, po punojmë dhe po i biem përqark Europës në kërkim të futbollistëve shqiptarë”, tha De Biazi për të përditshmen romane. 

“Puna më e vështirë ishte ajo për të bindur futbollistët që luajnë jashtë për të luajtur me kombëtaren dhe sot është rritur edhe imazhi apo joshja që ofron kombëtarja në këtë drejtim.” Në Itali, të paktën në Serinë A dhe B, luajnë katër futbollistë, Berisha (Lacio), Hysaj (Napoli), Memushaj (Peskara) e Manaj (Inter), por ai që paraqet më shumë shqetësim për De Biazin, është Etrit Berisha. Në të vërtetë, portieri i Lacios nuk është se po kalon një periudhë të vështirë tek ekipi bardhekaltër, përkundrazi, por “hija” e Federiko Marketit e ka lënë si alternativë të dytë në kampionat. Megjithatë, De Biazi mendon se kjo përvojë do t’i shërbejë shtatlartit nga Prishtina: “Etriti paguan faktin që është i dyti pas Marketit, sidoqoftë kjo situatë te Lacio do ta ndihmojë të formohet akoma më tepër. Ai ka shumë instinkt si portier dhe cilësi natyrale, pasi kurrë nuk ka bërë një shkollë të vërtetë portierësh. Po përmirësohet dhe shpresoj që të ketë më shumë vazhdimësi duke luajtur, pasi të gjithë e dimë se kjo do të ishte diçka e mirë, si për ne në Shqipëri ashtu dhe për Lacion”, tha De Biazi. Berisha është shquar gjithnjë sa herë që i janë dhënë rastet për të mbrojtur portën laciale. E ka bërë një gjë të tillë, duke kontribuuar i pari në fitoren e Lacios në Ligën e Europës kundër Rozenborgut. 

Jo vetëm për 11-metërshin e pritur në fund të takimit, pasi rezultati ishte siguruar, duke parë që gjyqtari do të mbyllte ndeshjen pa rinisur lojën, por para së gjithash për ndërhyrjet e bëra gjatë ndeshjes. Portieri i kombëtares i ka dhënë siguri të gjithë repartit, duke mos bërë të ndihet mungesa e Marketit dhe duke kandiduar për një vend titullari edhe në kampionat. Megjithatë Lacio ka në duar portierin e së ardhmes, pasi Marketi akoma nuk e ka rinovuar kontratën e tij, e cila i skadon në 30 qershorin e ardhshëm dhe paraqitjet e shkëlqyera të ofruara nga Berisha mund ta bëjnë Lacion të mos ngutet për të kënaqur kërkesat e italianit. De Biazi ka folur edhe për formën e Elseid Hysajt, duke e cilësuar një lider të vërtetë, “po konfirmon gjithë vlerat e tij te Napoli, ku edhe falë tij Sarri ka tashmë një mbrojtje të hekurt”. Për Ledian Memushajn, tekniku shprehet se nuk e kupton pse ai nuk luan në Serinë A. Ndërsa për Rei Manajn, De Biazi nuk lë hapësira për keqkuptime, duke pranuar se mosmarrëveshja me të ka qenë e gjitha një keqkuptim: “Rei është një lojtar mjaft cilësor dhe duhet të rritet në të ardhmen”.