De Biazi, pesë eksperimente me Kamerunin

488
Sigal

Trajneri italian ka thirrur për herë të parë Kristi Vangjelin, Bekim Balajn dhe Armando Vajushin

Miqësorja e luksit me Kamerunin, takim që do të luhet në Gjenevë të Zvicrës (14 nëntor, 20:30), ka sjellë një revolucion të vërtetë në vijën e sulmit, por dhe në repartet e tjera. Janë jo pak, por pesë lojtarë të rinj apo të rithirrur që do të jenë nën urdhrat e trajnerit De Biazi. Gazeta “Telegraf” ka mundur të sigurojë një listë (thuajse 100 për qind të besueshme), të 21 lojtarëve që ka thirrur tekniku italian, kjo në bazë dhe të konfirmimeve apo publikimeve të klubeve ku aktivizohen lojtarët apo legjionarët shqiptarë.

TË AFRUARIT

Janë tre emra të rinj në listën prej 21 futbollistësh: Kristi Vangjeli, Bekim Balaj dhe Armando Vajushi, ndërsa për Elis Bakajn flitet për një rikthim. Kristi Vangjeli nuk ka luajtur në asnjë prej tetë ndeshjeve të De Biazit, katër miqësore dhe katër zyrtare. Herën e fundit që Kristi Vangjeli ka luajtur me fanellën kuqezi, ka ndodhur më 7 tetor në “Stade de France”  të Parisit kundër “Gjelave” që atëherë drejtoheshin nga Loren Blank. Vangjeli u ndëshkua me karton të  verdhë në humbjen 0-3 ndaj Francës dhe mungoi në ndeshjen  paraardhëse kundër Rumanisë, për shkak të plotësimit të numrit të  kartonëve. Dy prurjet e reja janë Armando Vajushi i Liteks Loveç në kampionatin bullgar dhe Bekim Balaj i Sparta Pragës. Të dy futbollistët luajnë në sulm.

TË LARGUARIT

Të larguarit për ndeshjen ndërkombëtare radhës janë sulmuesit Erjon Bogdani (Siena, Itali) dhe Hamdi Salihi (DC Junaitid, SHBA), mesfushori Jahmir Hyka (Lucern, Zvicër), si dhe dy lojtarët e kampionatit shqiptar, Gilman Lika (Tirana) dhe Franc Veliu (Flamurtari). Për këta dy të fundit, trajneri De Biazi është shprehur se, i ka ndjekur përmes televizionit gjatë ndeshjeve me skuadrat respektive te tyre. Trajneri i Shqipërisë, i ka ndjekur përmes platformës sportive “Supersport” nga Italia.

GRUMBULLIMI

Ekipi do të grumbullohet në Gjenëve, ku do të qëndrojë tri ditë. Në fakt, grumbullimi ka kosto të lartë në Zvicër.