De Biazi: Nuk ua këshillova unë Panuçin, por do të vijë të më takojë

524
Emri i Kristian Panuçit nuk ka qenë ai që Xhani De Biazi i ka këshilluar presidentit të FSHF-së, Armand Duka, që të punësonte në postin që ish-trajneri kishte lënë bosh pak javë më parë. Vetë De Baizi ka zbuluar në fakt se nuk kishte “hyrë mik” për asnjë prej kandidatëve, pasi i besonte plotësisht instinktit të Dukës.
“Të sqarojmë diçka. Nuk i këshillova askënd presidentit, por ai më tha që takoi disa trajnerë. Më tha që prej herës së parë kur u takua me Kristian, ai i kishte lënë menjëherë përshtypje. Përpos futbollit, presidenti ka një eksperiencë të madhe dhe di t’i vlerësojë njerëzit me mjaft kujdes.
Nëse zgjodhi Kristian, ka parë tek ai cilësi për sa i takon menaxhimit të grupit, të situatave por edhe të eksperiencave që ka pasur në karrierë”, tha de Biazi për “SuperSport”.
“Personalisht uroj që Panuçi ta kualifikojë Shqipërinë në Europianin 2020. Ka dëshirë dhe besoj që ka një grup lojtarësh të nivelit të mirë. Mendoj se do të jetë në gjendje ta menaxhojë me qetësinë e nevojshme. Kristian është një person inteligjent. Ka nisur menjëherë të njihet me lojtarët, duke vëzhguar shumë ndeshje të tonat. Do të vijë të më takojë, që të diskutojmë”, shpjegoi ai, duke lënë të kuptohej se ishte gati të jepte kontributin e tij për integrimin sa më të shpejtë të trajnerit të ri.
Ndërkohë, vetë De Biazi vazhdon pushimet, në pritje të një oferte, pasi për momentin nuk ka finalizuar asgjë me Australinë. “Këto ditë po bëj disa ditë pushime. U largova nga Shqipëria, pa pasur një skuadër konkrete në horizont.
Pak ditë më parë u takova me përfaqësuesen e Australisë dhe vendimi merret pas shtatorit. Kam pasur disa biseda të tjera, por ndërsa skuadrat paraqiten mirë, unë vazhdoj të jem me pushime”, tha ai./panomasport/
Sigal