De Biazi lë jashtë Bogdanin, surpriza quhet Agon Mehmeti

172

Trajneri italian grumbullon 28 lojtarë kundër Sllovenisë dhe Islandës. Dy transferta të vështira

Erjon Bogdani, golashënuesi më i mirë i Kombëtares (19 gola) nuk është thirrur për ndeshjet shumë të rëndësishme me Slloveninë (në Lubjanë, 6 shtator) dhe Islandën (në Rejkavik, 10 shtator). Trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, publikoi një listë të gjatë prej 28 lojtarësh për dy kualifikueset e shtatorit, ku do të vendoset edhe fati i Shqipërisë drejt finaleve të Botërorit të Brazilit. De Biazi ka thirrur një numër të konsiderueshëm, pasi janë jo vetëm dy ndeshje në harkun e katër ditëve – do të jetë një Shqipëri në avion, por që mund të kenë dhe të papritura: dëmtime apo kartonë. Emrat e tjerë janë të përhershëm tashmë në kombëtaren kuqezi, ndërkohë që kemi të bëjmë vetëm me një debutues. Fjala është për Agon Mehmetin, sulmuesin që luan në Portugali me Olhanense. Ai ka qenë pjesë e kombëtares U-21 të Suedisë, por ka zgjedhur më së fundi t’i bashkohet Shqipërisë dhe të jetë një forcë më shumë në përmbushjen e objektivit madhor, tek i cili ende besojmë të gjithë, kualifikimi në Botërorin 2014. Nga kampionati shqiptar figurojnë katër lojtarë të thirrur për Slloveninë dhe Islandën, tre prej të cilëve janë pjesë e kampionëve të Skënderbeut (Shehi, Arapi dhe Lilaj), ndërsa njëri (Tefik Osmani) është pjesë e Teutës. Kuqezinjtë mbajnë aktualisht vendin e dytë në klasifikimin e Grupit E kualifikues, me 10 pikë, katër më pak se Zvicra e vendit të parë dhe një më shumë se Islanda e vendit të tretë. Po, më 6 shtator, Zvicra do të presë në shtëpi Islandën, ndërsa Norvegjia do të luajë në Oslo kundër Qipros. Në ballafaqimet e para, Shqipëria humbi 2-1 me Islandën (shënoi Edgar Çani) dhe fitoi 1-0 me Slloveninë (gol i Odise Roshit), me të dyja takimet e zhvilluara në “Qemal Stafa”. Takimi i fundit zyrtar i Kombëtares ishte barazimi 1-1 kundër Norvegjisë (gol i Valdet Ramës), ndërsa ndeshja e fundit e Kuqezinjve ishte fitorja 2-0 në miqësoren kundër Armenisë (golat nga Valdet Rama dhe Ergys Kaçe).

 Mungesat

Në listën e De Biazit bie në sy mungesa e tre “senatorëve”, Erjon Bogdani, që është ende pa ekip, si dhe të Mërgim Mavrajt dhe Alban Mehës, që të dy të dëmtuar. Duke iu referuar emrave që ishin në miqësoren e fundit me Armeninë, mungojnë edhe Edmond Kapllani dhe Emir Lenjani.

 Bilanci

Në 90 ndeshje për eliminatoret e kampionateve botërore, qysh kur mori pjesë në “Angli 1966”, kombëtarja jonë ka arritur të fitojë 14 takime dhe në bilancin e saj janë dhe 64 humbje. Barazimi 1-1 kundër Norvegjisë, në muajin qershor është barazimi i 12-të i Shqipërisë.

 Gjyqtarët

Slloveni-Shqipëri do të drejtohet nga një katërshe gjyqtarësh hungarezë të kryesuar nga Istvan Vad (34 vjeç). Ai është gjyqtar ndërkombëtar i FIFA-s nga viti 2007. Edhe babai i tij, Istvan Vad Sr., ishte gjyqtar ndërkombëtar, ndërsa gjyshi, i quajtur po Istvan Vad ishte gjyqtar në Hungari.

Stadiumi

“Sportni Park Stozice” në Lubjanë ka një kapacitet prej 16 mijë vende (thuajse sa “Qemal Stafa”), teksa të pranishëm priten të jenë më shumë se 2 mijë shqiptarë. Vlerësohet si një nga ndeshjet më të rëndësishme të grupit E, pasi takimi mund të vendosë fatet e të dyja skuadrave.

Lista e lojtarëve

 PORTIERË

1 Samir Ujkani       Palermo

2 Etrit Berisha            Kalmar

3 Orges Shehi        Skënderbeu

MBROJTËS

4 Admir Teli         Karaback

5 Lorik Cana         Lacio

6 Andi Lila          PAS Janina

7 Tefik Osmani       Teuta

8 Renato Arapi       Skënderbeu

9 Elseid Hysaj       Empoli

10 Debatik Curri     Hoverla

11 Armend Dallku     Vorskla Poltava

MESFUSHORË

12 Jurgen Gjasula    Liteks Loveç

13 Ergys Kace        PAOK

14 Odise Roshi       FSV Frankfurt

15 Migjen Basha      Torino

16 Ansi Agolli       Karabak

17 Armando Vajushi   Liteks Loveç

18 Ervin Bulku       Sepahan

19 Valdet Rama       Real Valladolid

20 Vullnet Basha     Sion

21 Amir Abrashi            Grasshopers

22 Sabien Lilaj            Skënderbeu

SULMUES

23 Ahmed Januzi            Vorskla Poltava

24 Emilian Vila            PAS Janina

25 Edgar Çani        Karpi

26 Shkëlzen Gashi    Grasshopers

27 Hamdi Salihi            Jiangsu Sainty

28 Agon Mehmeti            Olhanense

BILANCI ME SLOVENINË

 09.06.1999, Tiranë

Shqipëri-Slloveni 0-1

Eliminatoret Euro 2000

Trajner: Astrit Hafizi

18.08.1999, Ljubljana

Slloveni-Shqipëri 2-0

Eliminatoret Euro 2000

Trajner: Astrit Hafizi

24.03.2007 Shkodër

Shqipëri-Slloveni 0-0

Eliminatoret Euro 2008

Trajner: Sllavko Kovaçiç

13.10.2007 Celje

Slloveni-Shqipëri 0-0

Eliminatoret Euro 2008

Trajner: Oto Bariç

09.02.2011, Tiranë

Shqipëri-Slloveni 1-2

Miqësore

Trajner: Josip Kuzhe

16.10.2012, Tiranë

Shqipëri-Slloveni 1-0

Eliminatoret Botërori 2014

Trajner: Xhani De Biazi

Bilanci: 6 ndeshje; 1 fitore, 2 barazime, 3 humbje. Golat 2-5

NDESHJA E FUNDIT

Shqipëri-Norvegji 1-1

7 qershor 2013, Tiranë

Shënues: Rama 41′ / Hogli 86′

Një gol i Tom Hoglit në minutën e 87-të i mohoi Shqipërisë një fitore të madhe ndaj Norvegjisë, në barazimin 1-1 në “Qemal Stafa”. Goli kuqezi erdhi në minutën e 41-të, ku në një aksion individual nga ana e Valdet Ramës, mesfushori i Valadolidit gjuajti saktë dhe e dërgoi topin në rrjetë. Një ndeshje e interpretuar në mënyrë të shkëlqyer dhe me shumë raste, përtej mungesës së gjashtë titullarëve.

Eliminatoret “Brazil 2014”

GRUPI E

Ndeshjet, 6 shtator 2013

Norvegji-Qipro       19:00

Zvicër-Islandë       20:30

Slloveni-Shqipëri    20:30

RENDITJA

Ekipi           N    P

1. Zvicra       6    14

2. Shqipëria    6    10

3. Islanda      6    9

4. Norvegjia    6    8

5. Sllovenia    6    6

6. Qipro        6    4

Shpërthen Ergys Kaçe me PAOK-un në Greqi. Barazon Slasku i Sebino Plakut në Poloni

 Shënon Jahmir Hyka, por De Biazi e ka harruar

  Jahmir Hyka shënoi golin e vetëm të skuadrës së tij, Lucernit, në humbjen e thellë 4-1 me St. Galenin, në ndeshjen e vlefshme për javën e 7-të të kampionatit zviceran. Mesfushori tiranas shënoi vetëm pas katër minutash pasi ai ishte futur në fushë. Hyka hyri në lojë në minutën e 60-të, ndërsa të 64’ realizoi golin e 2-1 të ndeshjes, çka e bëri atë më emocionuese. Për St. Galenin, ku aktivizohet edhe lojtari i thirrur nga De Biazi për ndeshjen me Armeninë, Emir Lenjani (90 minuta në lojë), Karanoviç shënoi tre gola. Me St. Galen luajti edhe kosovari Kristian Nushi. Në kampionatin polak, Slask Vroklav i Sebino Plakut barazoi 1-1 me Piast Glivice në transfertë në javën e 6-të. Sulmuesi shqiptar ishte aktiv gjatë gjithë takimit. Golat u shënuan nga Vilczek për Piast Glivicen dhe Marako Paixao për Slaskun. Skuadra polake e drejtuar nga ish-trajneri i Skënderbeut, çeku Stansilav Levi, renditet në vendin e 8-të nga 16 që ka Ekstraklasa. Jagiellonia e Bekim Balajt është në vend të gjashtë. Balaj ka realizuar 3 gola deri tani, ndërsa Plaku asnjë në kampionat. Në kampionatin azerbajxhanas, Karabaku i dy futbollistëve të Kombëtares, Admir Telit dhe Ansi Agollit humbi 0-1 në shtëpi me Azalin. Në kampionatin grek, PAOK-u i Ergys Kaçes fitoi 4-1 me Panionosin në javën e 3-të. Mesfushori i Kombëtares luajti gjatë gjithë ndeshjes (u ndëshkua me karton të verdhë).