De Biazi lavdëron Çanin, pret ndihmë nga Gatuzo për Manajn

67
Dy javë para grumbullimit të Kombëtares për ndeshjet ndaj Italisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, trajneri Xhani De Biazi ka filluar të bëjë gati listën e futbollistëve që do të ftojë këto ndeshje. Me vizitën e tij në fundjavë, në ndeshjen SPAL-Piza, ai ka parë nga afër situatën e dy futbollistëve kuqezi, Edgar Çanit dhe Rei Manajt, por opinionet për të dy sulmuesit ndryshojnë paksa.

“Çani është një djalosh i cili me mua në dyvjeçarin e parë ka luajtur shpesh dhe ka qenë vendimtar. Këtë vit ka më pak hapësira, shpesh alternohet gjatë ndeshjeve me Manajn. Ai është një futbollist bujar, se e bën i vetëm gjithë repartin e sulmit. Ndoshta është më pak rezultativ para portës se sa ka mundësi, por mua më pëlqen shumë”, tha De Biazi për mediat pas ndeshjes që u mbyll në barazim 1-1.

Ndërkaq, për Manajn ka një “tërheqje veshi” për sa i përket anës së karakterit, ndërsa shpreson që këtë aspekt t’ia rregullojë një personazh që njihet për karakterin e fortë, trajneri Gatuzo. “Manaj është i destinuar për t’u bërë dikush, por duhet të kanalizojë maninë që ka për të arritur në maja, në drejtimin e duhur, pasi ndryshe ajo rrezikon të të nxjerrë jashtë rruge.

Me Gatuzon mund të edukohet mirë dhe të përballet me të edhe nga pikëpamja e karakterit pasi janë të dy shumë kryeneçë. Për Manajn do të jetë i rëndësishëm”, deklaroi tekniku i përfaqëueses. Në radhët e Pizës është edhe një tjetër element të cilin De Biazi e njeh shumë mirë, Samir Ujkani. Portieri zgjodhi të largohej nga Kombëtarja shqiptare për të luajtur me Kosovën, por trajneri i kuqezinjve shprehet me fjalët më të mira për të. “Ka bërë një zgjedhje me zemër se përndryshe do të ishte ende me ne. I uroj që të paraqitet sa më mirë pasi është një djalosh i shkëlqyer përveçse një portier i mirë”, tha De Biazi.