De Biazi: “Kosovarët të zgjedhin nëse do të jenë në makinën tonë”

488
Sigal

Trajneri italian flet para ndeshjes miqësore me Maltën dhe për grupin tonë në Euro 2016

Xhani Biazi prezantoi stafin i ri të Kombëtares, që do të drejtojë kuqezinjtë për eliminatoret e Kampionatit Europian 2016. Fillimisht menaxheri i ekipit kombëtar, Alban Bushi, dhe trajneri Xhani De Biazi, kanë folur përballë gazetarëve të shumtë në lidhje me shortin eliminator, kundërshtarët dhe objektivat e kombëtares shqiptare. Ai i është përgjigjur edhe interesit te tyre, në lidhje me ndeshjen miqësore që kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë më datë 5 mars në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit, kundër Maltës. Më pas është prezantuar i gjithë stafi teknik i ekipit kombëtar. Kështu, pas menaxherit Alban Bushi dhe trajnerit Xhani De Biazi, kanë dalë me radhë ndihmëstrajneri Paolo Tramexani, trajneri i portierëve Ilir Bozhiqi dhe përgatitësi atletik, Alberto Bele. Një risi në këtë rast ishte edhe pjesëmarrja në staf e njërit prej ish-futbollistëve më të dashur të kombëtares shqiptare, Altin Lala, i cili do të jetë ndihmësi i De Biazit.

 – De Biazi, të mërkurën do të luajmë miqësoren kundër Maltës. Çfarë do të thotë për ju?

– Përpara se të fillojmë me pyetjet, do të fillojë me një hyrje të vogël, dua që të hedhim një sy për ndeshjen e parë kundër Maltës, që do të luhet të mërkurën në Durrës. Nis kështu zyrtarisht përgatitja në kuadër të kualifikimeve të Europianit 2016. Do ta konsiderojmë ndeshjen kundër Maltës si një test shumë të rëndësishëm për ne, për të verifikuar disa aspekte të lidhura me kompozimin e grupit dhe të gjithë atyre aspekteve që janë të lidhur me gjërat kyçe të taktikës, për të kërkuar për të pasur një skuadër të ekuilibruar, një skuadër që mund të ketë në edicionin e ardhshëm mundësinë për t’u ballafaquar me skuadrat që kanë dalë nga shorti.

– Tashmë dihen kundërshtarët, Portugalia, Danimarka, Serbia dhe Armenia. Si do t’i vlerësonit?

– Sigurisht, janë shumë të forta, por kjo nuk do të thotë se nuk do të luajmë të gjitha shanset tona që do të kemi në dorë. Sigurisht, nuk do të jetë një shëtitje. Ky nuk do të jetë një motiv për të dhënë, për të fituar. Besoj se, në të gjitha fushat e jetës ka nevojë për një impuls për të lëvizur, për t’u rritur, argëtuar dhe për të qenë çdo ditë më të zotë në zanatin tonë, për të dhënë të mirën tonë. Në lidhje me punën tonë, do të operojmë me të gjithë lojtarët që luajnë në kampionatit e tyre, për të stërvitur më mirë ndaj vështirësive që do të gjejmë.

De Biazi, lista e lojtarëve ka krijuar jo pak habi, në lidhje me mungesën e lojtarëve që kanë shënuar me ekipet e tyre. Cili është komenti juaj?

– Fillimisht ishin 21 lojtarë, por ajo më pas u reduktua në 19. Kishim edhe Vajushin e (Taluant) Xhakën, që për fat të keq u dëmtuan në ndeshjet e fundit të kampionateve të tyre. Kështu që, nuk kishim mundësi për t’i marrë. Përkundrazi, përsa u përket lojtarëve që janë thirrur, Loret Sadiku shkoi të luante për Kosovën në ndeshjen kundër Haitit. Kështu që, e respektojmë zgjedhjen e tij. Ndërkaq thirrëm Arapin, për të pasur një listë prej 19 lojtarësh. Renato është një lojtar që e njoh shumë mirë, nuk ka nevojë për te testuar. Ajo që më intereson është të testoj mesfushën dhe sulmin në këtë ndeshje me Maltën.

– Bulku, Çani dhe Dallku a janë pjesë e projektit tuaj të ri?

– Nuk e di. Në këtë moment, kampionati thotë për Çanin them “jo”. Në të kaluarën, siç e kam thënë Çani ishte një nga të zgjedhjet mia të para, që më pas, për arsye të ndryshme gjithmonë ka “humbur” gjatë rrugës, por siç e kam thënë shumë herë që ne jemi me krahët hapur për lojtarë të ndryshëm. Përsa i përket Bulkut, është një lojtar që e kam gjithmonë shumë në konsideratë. Dua ta përsëris se, kjo ndeshje me Maltën është një takim që më jep mundësinë të bëjë rotacione me lojtarët, kështu që zgjedhja nuk ka rënë që Ervin një motiv për të qenë këtu. Për Dallkun, besoj së është vështirë që të bëjë pjesë e projektit.

– Çfarë keni menduar të bisedoni me kosovarët e ekipit tona që janë thirrur në ndeshjen me Maltës?

– Do të bëj një bisedë shumë të qartë. Do ta bëjmë gjatë këtyre ditëve. Edhe sot (dje) pasdite, për të qenë të sigurt. Do të sqarojmë, cilat janë dhe çfarë pres unë, çfarë do të bëjnë ata me ne, nëse duan të hipin në këtë makinë për të shkuar në Paris, atëherë nuk duhet të zbresin më gjatë rrugës. Duhet të jetë një zgjedhje përfundimtare, të japin fjalën e tyre, përndryshe do të ndryshojmë rrugën, do të ndryshojmë lojtarët.

– Ujkani iu dërgoi një mesazh përpara se të largohej. A nuk keni biseduar më parë më të?

– Jo, nuk kam folur me të drejtpërdrejtë. Më pas, lexova mesazhin e tij përmes “What’s up” dhe kaq.

– Ka shumë emra të tjerë në Europë që, vazhdojnë të shënojnë. A mund të kishin dhe ata një shans, apo është thjesht zgjedhja juaj që të pranonin vetëm Kapllanin, Sadikun?

– Luajmë me 11 lojtarë, kështu që nuk është e nevojshme që të kemi kaq shumë sulmues. Kam thirrur ata që, në këtë moment janë përgatitur më mirë. Salihi është një nga të shumtët që nuk kam thirrur. Kam folur më ‘të dhe i kam shpjeguar që në këtë moment nuk e kam thirrur pasi ka rifilluar të luajë për pak kohë, edhe pse është duke luajtur shumë mirë. Pardje ai bëri një gol që, po ta kishte bërë Kristiano Ronaldo do të kishte bërë xhiron e botës, pasi bëri një gol fantastiko-shkencor, që do ta bënte atë hero. Dhe për të vlen i njëjti diskutim, pasi ai do të thirret në mesin e qershorit kur do të bëjmë dy ndeshje të tjera miqësore në kuadër të përgatitjeve të ndeshjeve (zyrtare) të shtatorit.

– Ujkani dhe Sadiku do të luajnë për Kosovën. Do të ketë kthim prapa për ta?

– Nuk e di. Ajo që më intereson janë lojtarët, të cilët janë këtu nesër dhe pasnesër për ndeshjen kundër Maltës. Pastaj, secili i ka bërë zgjedhjet me dëshirën e vet. Kjo nuk është diçka që, shkon luan atje (me Kosovën) dhe pastaj vjen këtu. Ka disa rregulla.

– Në lidhje me Shkodran Mustafin, u fol shumë se do të vishte fanellën e Shqipërisë…

– Unë kisha folur me të një muaj më parë, por tani zgjedhja e tij është përfundimtare, pasi u ftua nga ekipi i A i Gjermanisë. Provova dhe disa ditë më parë ta bisedoja, nëse kishte vendosur të luante me ne, por ai më tha se kishte vendosur të luante me Gjermaninë. Zgjedhja duhet respektuar.

– A keni një objektiv konkret për grupin tonë në Euro 2016.

– Mama mia (Oh, nëna ime!). Duhet të luajmë njëherë.

– A keni ndonjë koment për kalendarin?

– E kam thënë dhe më parë, nuk jemi personat më të lumtur në botë, për këtë short. Ishte një short kundër Shqipërisë për ta përballuar. Por, nga vështirësitë duhet të mësohemi që të luftojmë me kurajë. Janë vështirësi shumë, shumë të forta për të përballuar, por me vetëdije të plotë. Gjithsesi, të gjitha ndeshjet nisin 0-0, kështu që për t’i ndryshuar duhet të bëjmë më të mirën, të vëmë qëllimin tonë. Të dalim në fushë me identitetin tonë.

– Duke parë grupin aktual, a keni një skemë fikse sesi do të luajë skuadra?

– Kjo është një skuadër që duhet të mësojë të ndryshojë lëkurë edhe brenda një ndeshjeje. Them se duhet të aftësohemi në këtë këndvështrim. Nëse na mungon diçka nga ana teknike duhet ta kompensojmë me taktikën e duhur për të vënë në vështirësi kundërshtarin. Prandaj na duhet shumë punë dhe ndërkohë mund të jetë e rëndësishme edhe nëse veprojmë si kameleon.

– Në eliminatoret e kaluara, Armenia është mundur në fushën e saj nga Malta, Çekia dhe Danimarka, ndërsa Serbia në Maqedoni. A jemi ne më mirë se Maqedonia e Malta që të jemi kaq optimistë për fitore?

– Nuk thashë këtë. Thashë që do të ishte budallallëk të hidheshe përpjetë nga gëzimi meqë po ndeshemi me skuadra të forta. Besoj se do të ishte kriteri i parë për të vajtur drejt humbjes. Besoj se Shqipëria forcën e saj duhet ta gjejë te përulësia, vendosmëria dhe duke mos u dorëzuar kurrë. Këto janë gjërat kryesore. Nëse ne e vëmë veten në një plan me të tjerët, jemi të mundur pa nisur ende, sepse teknikisht, për fat të keq, jemi inferiorë karshi shumicës së skuadrave të grupit. Shumë herë skuadrat më të forta humbasin me ato më të dobëta. Duhet të përgatitemi për të qenë të bashkuar dhe kështu do të jetë më e lehtë për ne që të arrijmë objektivat.

“Kemi lojtarë për ta bllokuar Ronaldon!”

 – Në përballjet e mëparshme Vangjeli ka mbuluar mirë Kristiano Ronaldon…

– Do të gjejmë një lojtar tjetër për ta mbuluar Ronaldon nëse nuk do të jetë Vangjeli. Ai sapo ka nisur të luajë me Arisin e Selanikut dhe prandaj nuk e kam thirrur, por nuk mund të jap shpjegime sa herë që lë jashtë një lojtar. Nga një grumbullim në tjetrin përpiqemi të bëjmë zgjedhjet më të arsyeshme. Nëse Vangjeli do të luajë rregullisht te Aris, jo si te Çernomorets, dhe do të jetë në formë, sigurisht që do ta thërras.

– A mund të presim të zhvillime të reja për Januzajn?

– Jo, besoj se Januzaj e ka bërë zgjedhjen e tij dhe këtë e keni kuptuar edhe ju. Nëse dikush nuk u përgjigjet për një vit e gjysmë telefonatave apo mesazheve, kjo e ka një shpjegim, apo jo?

-Do të thotë që ia mbyllni derën atij për të ardhur me Shqipërinë?

– Jo, është ai që nuk ka marrë mundimin ta hapë derën. Dera nuk është e mbyllur, është gjithmonë e hapur. Problemi është se ai nuk dëshiron ta hapë.

– Mendoni se zgjedhja e tij është Anglia?

Besoj se po, por është thjesht një supozim i imi, nuk ma ka thënë askush.

Prezantimi i stafit, largohet Pereni

 Nuk do të jetë më në staf Anxhelo Pereni, i cili vendosi të largohej, për arsye familjare. E falënderoj për atë çka ka dhënë në këta dy vjet. Në vendin e tij kemi caktuar Altin Lalën, të cilin e njihni shumë mirë, lojtar me përvojë shumë të madhe dhe njeri punëtor. Është një mesazh i qartë për të gjithë lojtarët tanë, për një lojtar që në fushë ka vënë përherë interesin e skuadrës para atij personal”.

“Mama mia, sa mirë e dini italishten!”

 Xhani De Biazi është ndjerë i lumtur, por dhe disi i trishtuar gjatë konferencës së tij. Edhe pse ka pasur Alban Bushin në krah, me detyrën e menaxherit të Kombëtares, askush nuk e ka përkthyer italianin, i cili foli gjatë gjithë kohës në gjuhën e vendit të tij. Në fakt, De Biazi, i pyeti të pranishmit nëse e kuptonin plotësisht atë, duke marrë përgjigje pozitive, e duke lëshuar më pas batutën. “Kjo është një gjë shumë e mirë. Mama mia, sa mirë e dini italishten!”.