De Biazi: “Kemi ardhur për fitore!”

548
Sigal

Kupa e Botës/ Islandë-Shqipëri, 21:00. Provokimi i trajnerit: “Islanda fitoi me fat në Shqipëri”

Shqipëria do të luajë sot në  “Laugardalsvollur”, 90 minutat më të rëndësishme të fushatës kualifikuese të Kampionatit Botëror “Brazil 2014”. Një fitore ndaj Islandës na mban në lojë, për vendin e dytë, ndërsa një humbje me “peshkatarët’ na nxjerr përfundimisht nga lufta për vendin e dytë në grup dhe një biletë për fazën “play-off”. Trajneri Xhani De Biazi e ka të qartë dhe ka vendosur të luajë me dy sulmues të mirëfilltë: gjigantin Edgar Çani (4 gola me përfaqësuesen) dhe Hamdi Salihin (10 gola). Si Islanda vendase e udhëhequr nga një trajner race, si suedezi Lars Lagerbek, ashtu dhe Shqipëria kanë nga 10 pikë pas shtatë ndeshjeve të para, duke ndarë vendet 3-4: Shqipëria e ka 0 golaverazhin, Islanda e ka -1. Gjithsesi, sfida e fundit la një shije të hidhur, pasi Islanda fitoi 2-1 në “Qemal Stafa”, duke i befasuar të gjithë.

DE BIAZI

Trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, paralajmëroi islandezët se, i pret një ndeshje “ferri” me Shqipërinë. Italiani i provokoi kundërshtarët përmes medias islandeze se, kuqezinjtë kanë mbërritur për revansh: “Është gjithmonë e vështirë të luash pas një humbje, por ne e kemi përjetuar edhe më parë këtë situatë dhe ia kemi dalë. Islanda ishte me fat në ndeshjen e parë kundër nesh, por ne do të hyjmë në fushë për të shënuar dhe fituar. Islanda është në formë të mirë për momentin, çka edhe e tregoi në minutat finale të ndeshjes kundër Zvicrës (4-4)”. I pyetur nga mediat islandeze, De Biazi theksoi se, ka në dispozicion një ekipin më të fuqishëm shqiptar. “Ne kemi lojtarët e nevojshëm për të kompletuar projektin tonë. E dimë se, na pret një ‘finale’ me Islandën, pasi secili nga ne synon të marrë pikë të plota”. Parashikimi i motit ofron shi dhe erë të fortë. “Është njëlloj si koha në Shqipëri, kështu që nuk është shumë problem për ne”. De Biazi e ka drejtuar Shqipërinë deri tani në shtatë ndeshje zyrtare për Botërorin 2014, duke pasur një bilanc tërësisht të ekuilibruar: 3 fitore, 3 humbje dhe 1 barazim; 10 pikë. Madje dhe golaverazhi është i barabartë: 7 gola të realizuar dhe 7 gola të pësuar.

FORMACIONI

Portieri Etrit Berisha është i konfirmuar si numri 1. Mbrojtja do të modifikohet, pasi rikthehet nga pezullimi Armend Dallku. Në qendër janë kapiteni Lorik Cana dhe Admir Teli, ndërsa nga krahu i majtë, Andi Lila. Mesfusha pritet të formohet me Odise Roshin nga e djathta, Migjen Basha në rolin e shkatërruesit, Valdet Rama nga e majta, si dhe në rolin e fantazistit është Ergys Kaçe. Në sulm parashikohen Edgar Çani dhe Hamdi Salihi. Kësisoj, De Biazi, edhe pse nuk e deklaron asnjëherë formacionin para ndeshjes, nga përgatitja që u ka bërë të tijve duket se do të luajë me skemën tradicionale 4-4-2, teksa shpresohet te fitorja në Islandë për të mbajtur gjallë shpresat për në Botëror.

BILANCI

Shqipëria dhe Islanda kanë një bilanc të barabartë në katër takimet e zhvilluara midis tyre. Në katër ndeshje, tre zyrtare dhe një miqësore, kemi fituar 2 të tilla dhe humbur po 2, ndërkohë që dhe golaverazhi është i barabartë 5-5. Eduard Abazi, Sokol Kushta, Adrian Aliaj, Alban Bushi dhe Edgar Çani janë dhe pesë autorët e golave. Në eliminatoret e Euro 1992, trajneri i Shqipërisë ishte Bejkush Birçe, ndërsa në ndeshjen miqësore në bankinë ishte gjermani Hans-Peter Brigel. Në ndeshjen e parë eliminatore të këtij edicioni të Botërorit në bankinë ishte italiani Xhani De Biazi, i cili do të jetë edhe në ndeshjen e sotme.

 

Eliminatoret “Brazil 2014”

GRUPI E

Ndeshjet, 10 shtator 2013

Norvegji-Zvicër      18:00

Qipro-Slloveni       20:30

Islandë-Shqipëri           21:00

R    Ekipi           N    P

1    Zvicra          7    15

2    Norvegjia       7    11

3    Shqipëria       7    10

4    Islanda         7    10

5    Sllovenia       7    9

6    Qipro           7    4

 Katër orë e gjysmë në avion

 Përfaqësuesja shqiptare mbërriti dje në Rejkavik, në një udhëtim që zgjati katër orë e gjysmë. Kombëtarja u nis dje në orën 9:30 nga Lubjana e Sllovenisë. Bashkë me grupin e lojtarëve ishin edhe rreth 150 tifozë shqiptarë. Përfaqësuesja shqiptare e Futbollit, sipas axhendës së përcaktuar nga stafi teknik, dje rreth orës 20:00 zhvilloi seancën e radhës stërvitore në stadiumin ku dhe do të zhvillohet sfida.

 400 tifozë kuqezinj në Islandë

 Shqipëria asnjëherë në këto eliminatore nuk e ka vuajtur mungesën e tifozerisë në transfertë, kështu pritet të ndodhë edhe të martën mbrëma kur në Reikjavik do të jetë një numër simbolik në krahasim me transfertat e tjera. Në shkallët e stadiumit “Laugardalsvollur” i cili ka kapacitet prej 15 mijë vendesh pritet të jenë rreth 400 tifozë shqiptarë.

Trajneri Islandës: “Nëse dështojmë në këtë takim, atëherë kemi dështuar gjatë gjithë eliminatoreve”

 Lagerbak: “Me Shqipërinë, ndeshja e jetës!”

  Lars Lagerbak, trajneri i Islandës, është i bindur se skuadra e tij do të bëjë të pamundurën për të fituar kundër Shqipërisë. Numri një i ekipit islandez pohon për “Fotbolta.net”, se takimi me kuqezinjtë është pika më e rëndësishme e këtyre eliminatoreve.

Sipas tij, nëse Islanda do Botërorin, duhet të fitojë kundër Shqipërisë. Barazimi 4-4 të premten, tashmë është harruar dhe sytë janë hedhur tek sfida me Shqipërinë. “Duhet të harrojmë atë që bëmë në Zvicër. Duhet të shohim Shqipërinë. Nëse dështojmë në këtë takim, atëherë kemi dështuar gjatë gjithë eliminatoreve. Djemtë nuk kanë probleme karakteri. Shumë prej tyre janë duke u rehabilituar. Sot kemi diskutuar se si do të luajmë në ndeshjen e radhës me Shqipërinë. Për këtë ndeshje është gjithçka e hapur, prandaj e kam vendosur që do të hedh në fushën e lojës ata lojtarë që janë vetëm 100 për qind. Sigurisht disa lojtarë janë të pandryshueshëm”, është shprehur suedezi. Trajneri i Islandës, karikoi skuadrën pas pikës së marrë në Zvicër. Kundër Shqipërisë, sipas tij, do të jetë ndeshja e jetës, ndonëse barazimin 4-4 në Zvicër e konsideron si ndeshjen më të pabesueshme të karrierës së tij sportive. “Të gjithë duam të kemi sa më shumë mbështetje kundër takimit me Shqipërinë, sepse me një fitore kemi shans të madh për të qenë të dytët në grup. U kërkoj të gjithë tifozëve për të qenë në stadium”, është shprehur Lagerbak pas ndeshjes.

GUDXHONSEN

Eidur Gudxhonsen, ish-sulmuesi i Çelsit dhe i Barcelonës, është futbollisti më i famshëm i kombëtares së Islandës, që do të kërkojë fitoren ndaj Shqipërisë në kryeqytetin Reikjavik, për të ëndërruar për herë të parë në histori kualifikimin në Botëror. 34-vjecari ndryshoi rrjedhën e lojës në pjesën e dytë ndaj Zvicrës, ku Islanda në mënyrë të pabesueshme rikuperoi dizavantazhin 4-1 duke e mbyllur takimin 4-4. Edhe ndaj Shqipërisë, Gudxhonson do ta nisë nga stoli, por ky fakt nuk e shqetëson veteranin që aktualisht luan me Bryzhin. “Mosaktivizimi titullar nuk është problem për mua. Unë jam aq i zgjuar për t’i kuptuar zgjedhjet e trajnerit. Unë jam shumë I lumtur që jam pjesë e kombëtares që po arrin rezultate të shkëlqyera. Janë të tjerë ata që vendosin nëse duhet të luaj ose jo titullar”.

Ndërsa mesfushori Ari Freyr Skulason, kujton se Shqipëria është një kundërshtare shumë më e fortë nga çfarë mendojnë njerëzit në Islandë. Ndaj Zvicrës treguam karakter duke shënuar 4 gola në një fushë shumë të vështirë. Takimi me Shqipërinë është krejt ndryshe. Ata kanë bërë ndryshime të shumta kohët e fundit dhe janë shumë më të mirë nga çfarë mendojnë njerëzit.”

 

PRECDENTËT ME ISLANDËN

ZYRTARE

26.05.1991, Tiranë

Shqipëri–Islandë 1-0

Trajner: Bejkush Birçe

30.05.1990, Rekjavik

Islandë–Shqipëri 2-1

Trajner: Bejkush Birçe

12.10.2012, Tiranë

Shqipëri–Islandë 1-2

Trajner: Xhani De Biazi

MIQËSORE

31.03.2004, Tiranë

Shqipëri–Islandë 2-1

Trajner: Hans-Peter Brigel

BILANCI: 4 ndeshje; 2 fitore, 0 barazime, 2 humbje, GOLAT: 5-5

 

El. Euro U-21, Spanjë-Shqipëri 4-0

Katër ndeshje, zero pikë!

 Vetëm 35 minuta zgjati rezistenca e Shqipërisë U-21 në humbjen 4-0 përballë Spanjës, të kompletuar me lojtarë të Realit dhe të Barcelonës. Kampionët e Europës e mbyllën 1-0 pjesën e parë me golin e Munianit, me sulmuesin e Atletikos së Bilbaos që dyfishoi shifrat në të 52’. Alvaro Morata i Realit të Madridit shënoi golin e tretë në minutën e 59-të. Goleada e Spanjës vazhdoi me golin e sulmuesit tjetër të Realit të Madridit, Heze Rodriguez i çoi shifrat në 4-0. Për Shpresat e drejtuara nga Skënder Gega ishte humbja e katërt në po aq ndeshje: 2-1 me Austrinë, 4-1 me Bosnjën, 1-0 me Austrinë dhe tani 4-0 me Spanjën. Katër ndeshje, zero pikë! Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Austria fitoi 2-0 në Bosnjë.

Renditja, Grupi 4

Skuadra    N    P

Spanja     2    6

Austria    2    6

Hungaria   2    6

Bosnja     3    3

Austria    2    6

Shqipëria  4    0