De Biazi: “Duhet të ringrihemi e ta mundim Slloveninë!”

492
Sigal

Sot, Shqipëri-Slloveni( 20:45). Trajneri i Kombëtares i bën apel mbrojtjes: “Nuk u falen më gabimet!”

Shqipëria dhe trajneri i saj, italiani Xhani De Biazi, janë përpara një prove force dhe nderi, kur të përballen sot me Slloveninë në “Qemal Stafa” (20:45), pas dy humbjeve rresht me Zvicrën (2-0, 11 shtator, në Lucernë) dhe Sllovenisë (2-1, në Tiranë, katër ditë më parë). Në fakt, gjendja psikologjike e skuadrës ende nuk e reflekton plotësisht atë optimizëm që të gjithë presin, pas gabimeve fatale të mbrojtjes dhe portierit Samir Ujkani. De Biazi e vuri theksin pikërisht te mbrojtja: “Nuk mbrohemi mirë, pësojmë shumë”. Trajneri i bëri një apel të fortë skuadrës: “Kjo do të jetë një ndeshje delikate. në ndeshje si këto duhet të shmangësh gabimet”.

– Zoti De Biazi, humbja me Islandën në “Qemal Stafa” la një shije të keqe tek shqiptarët, përfshi këtu edhe vetë futbollistët me deklaratat e tyre. Si është gjendja psikologjike e ekipit?

– Jo vetëm atyre, por përfshirë dhe mua, të gjithëve na la një shije të hidhur ajo humbje. Dua ta theksoj se, gjendja e skuadrës nuk është ndër më të mirat. Gjithsesi, detyra jonë është që të ringrihemi dhe të bëjmë më të mirën.

–  Sllovenia mbërrin në Tiranë pas fitores 2-1 me Qipron. Me aq sa e njihini, çfarë ju shqetëson më shumë te Sllovenia?

– Është një skuadër solide, ka disa futbollistë të shpejtë dhe të zgjuar. Ne duhet të tregohemi të zotë në fushë dhe të mos bëjmë gabime. Dua gjithashtu që skuadra të shfaqë të njëjtën grintë dhe dashuri që ka për fanellën, ashtu siç ka bërë në ndeshjet e deritanishme.

– Në pesë ndeshje kundër Sllovenisë nuk kemi fituar asnjëherë, ku kemi regjistruar dy barazime dhe tri humbje, madje të fundit në shkurtë të vitit të kaluar. Çfarë keni ndërmend të bëni për ta thyer këtë tabu?

– Të shënojmë një gol më shumë se ata dhe të mos pësojmë gola. Kjo do të jetë një ndeshje delikate, por ju siguroj se do të hyjmë në fushë për ta fituar atë. Rregulli numër një është që të shmangim gabimet që kemi bërë deri tani. Ndaj Sllovenisë duhet kujdes. Duhet një përqendrim i madh dhe guxim, sepse ata janë skuadër e rrezikshme.

– Pas humbjes me Islandën, të paktën në media, pati shumë debate në lidhje me paraqitjen e disa lojtarëve. A do të ketë ndryshime kundër Sllovenisë?

– Jemi duke vlerësuar të gjitha situatat, të gjithë lojtarët që kemi në dispozicion. Kjo duke marrë shkas se para tre ditësh kemi luajtur një ndeshje tjetër dhe gjendja fizike e lojtarëve nuk është më ajo e fillimit. Do të aktivizohen lojtarët që janë më në formë, ata që më japin më shumë siguri në fushë, kjo duke filluar që nga porta. Kemi dy lojtarë që  kanë probleme fizike, ndaj edhe nuk mund të flas më tepër mbi këtë argument.

– Mbrojtja është në akuzë, pasi kemi pësuar pesë gola të pësuar në tri ndeshje. duket se Shqipëria është shumë larg stilit italian të futbollit. Cili është komenti juaj?

– Kemi pësuar në këto tre ndeshje pesë gola të evitueshëm. Ne po punojmë në këtë drejtim dhe duhet kujdes më i madh, më shumë vëmendje dhe duhet t’i parashikojmë situatat që krijohen para porte për të mos i përsëritur më ato gabime.

________________________________________________________________________

ALTIN LALA: “LAMTUMIRË FUTBOLL!”

Altin Lala i dha fund futbollit të luajtur, për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju. Lajmin e publikuan mediat gjermane. Mesfushori veteran shqiptar ishte kapiteni i ekipit të dytë të Bajernit të Munihut, që merrte pjesë në Regionalliga, kategoria e katërt në Gjermani. Lala u transferua gjatë kësaj vere nga Hanoveri te Bajerni, për të pasur një rol drejtuesi në skuadrën amatore. “Unë e falënderoj Altin Lalën dhe më vjen që shumë keq, që ai nuk do të jetë më në dispozicion. Unë kam një njohur në tip me zemër të madhe një sportist të madh. Ne të Bajernit të Munihut i urojmë një shërim të shpejtë dhe gjithë të mirat për të ardhmen e tij”, – tha trajneri i tij, Mehmet Sholl, përmes faqes zyrtare të Bajernit të Munihut.Paratransferimit të tij tek Bajerni, shqiptari 36-vjeçar u aktivizua për një periudhë 14-vjeçare të Hanoveri 96, me të cilin zhvilloi 181 ndeshje në Bundesligën gjermane dhe mbajti shiritin e kapitenit në vitet 2004-2008. Detyra e tij te Bajerni ishte t’u transmetojë përvojën dhe grintën e tij lojtarëve te rinj të ekipit rezervë. Për ekipin e dytë të Bajernit ai u aktivizua vetëm në tri ndeshje. Lala është një nga legjendat e gjalla të futbollit shqiptar, sidomos atij në Europë, duke lënë gjurmë të thella në një vend me futboll të zhvilluar si Gjermania.