De Biazi: “Duam gjashtë pikë”

635
Sigal

Trajneri i Kombëtares shqiptare flet para ndeshjes me Slloveninë dhe Islandën: “Ëndrra vazhdon”

Është italian, por, Xhani De Biazi e di shumë mirë se çfarë kërkojnë e presin shqiptarët prej tij: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, madje edhe ata që banojnë në Slloveni e kudo në botë. Gjashtë pikë të plota nga dy sfidat e rëndësishme me Slloveninë dhe Islandën, pavarësisht se ato do të luhen në transfertë: në Lubjanë dhe Rejkavik. De Biazi e di fare mirë se, Kombëtarja shqiptare ndodhet në një prej momenteve më të rëndësishme të historisë së saj ndërkombëtare, pasi përpara janë dy ndeshje të cilat mund të vendosin fatin e këtyre eliminatore për djemtë e De Biazit. Janë dy kundërshtarë direkt në luftën për vendin e dytë në grupin E, e që të çon në fazën “play-off”. Janë 180 minuta “ferri”: 90 në “Sportni Park Stozice” në Lubjanë dhe 90 të tjera në “Laugardalsvollur” në Rejkavik, por që duhen fituar me çdo kusht. Kuqezinjtë mbajnë aktualisht vendin e dytë në klasifikimin e Grupit E kualifikues, me 10 pikë, katër më pak se Zvicra e vendit të parë dhe një më shumë se Islanda e vendit të tretë. Po, më 6 shtator, Zvicra do të presë në shtëpi Islandën, ndërsa Norvegjia do të luajë në Oslo kundër Qipros

DIME TË PËRBALLEMI

Për trajnerin De Biazi grupi është në gjendje të përballojë këtë situatë, pasi e ka treguar këtë edhe gjatë sezonit. “Besoj se skuadra ka treguar rritje në personalitet dhe se di të menaxhoje situatën. Është një grup i mirë futbollistësh që di të përballet me kundërshtarin ashtu siç do të kemi dy ndeshjet e radhës me Slloveninë dhe Islandën. E rëndësishme është të bëjmë dy rezultate pozitive, nëse arrijmë dy fitore apo barazime pak rëndësi ka. E rëndësishme është që të lëmë pas kundërshtarët por e kam thënë që nuk kënaqem me rezultat minimal por luajmë për maksimal. E kemi kualitetin dhe gabimi do të jetë nëse nuk përgatitemi mirë por skuadra deri tani nuk ma ka dhënë këtë përshtypje. Kemi pasur vazhdimësi në lojë dhe rezultate gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Kjo skuadër është rritur në kualitet dhe në vetëbesimin tek forcat e veta”, – tha trajneri italian në konferencën e tij për shtyp. Ndeshja me Slloveninë është ndeshja e 15-të e De Biazit në krye të Shqipërisë, me të cilën ai ka zhvilluar gjashtë ndeshje zyrtare dhe tetë miqësore. Takimi i fundit zyrtar i Kombëtares ishte barazimi 1-1 kundër Norvegjisë (gol i Valdet Ramës), ndërsa ndeshja e fundit e Kuqezinjve ishte fitorja 2-0 në miqësoren kundër Armenisë (golat nga Valdet Rama dhe Ergys Kaçe).

I NJOHIM KUNDËRSHTARËT

De Biazi foli me nota entuziaste, duke e rritur më shumë adrenalinën dhe ëndrrën për një vend në finalet e Botërorit të Brazilit. “Përtej këtij momenti të rëndësishëm, skuadra ka treguar në ndeshjet e mëparshme dëshirën me të cilën kërkon të ndjekë ëndrrën për të arritur në botëror. Mendoj se çdo ndeshje ka historinë e vet dhe duhet përgatitur në mënyrën e duhur. Ne Slloveninë e njohim mirë dhe kemi parë edhe ndeshjen e fundit ndaj Islandës. Ka skuadër të mirë por si çdo ekip ka pikët e forta dhe të dobëta. Duhet të jemi të aftë të shfrytëzojmë këtë të fundit”. Në ballafaqimet e para, Shqipëria humbi 2-1 me Islandën (shënoi Edgar Çani) dhe fitoi 1-0 me Slloveninë (gol i Odise Roshit), me të dyja takimet e zhvilluara në “Qemal Stafa”. Në renditjen e FIFA-s, Shqipëria është 7 vende më lart se Sllovenia dhe 22 vende më lart se Islanda.

MUNGESAT E LOJTARËVE

Trajneri italian nuk e ka të plotë skuadrën për arsye të ndryshme, dëmtimi apo mosaktivizimi. Italiani ndjen keqardhje por nuk kthen kokën pas, duke vlerësuar futbollistët që ka në dispozicion për këto dy ndeshje. “Më vjen keq që mungojnë disa futbollistë ashtu si dhe atyre i vjen keq për këtë mungesë, pasi dëshiron të ishin gati për skuadrën. Por e thashë që shkojmë në këto ndeshje duke ditur limitet tona dhe për të marrë pikë të rëndësishme”. Në listën e De Biazit bie në sy mungesa e tre “senatorëve”, Erjon Bogdani, që është ende pa ekip, si dhe të Mërgim Mavrajt dhe Alban Mehës, që të dy të dëmtuar. Duke iu referuar emrave që ishin në miqësoren e fundit me Armeninë, mungojnë edhe Edmond Kapllani dhe Emir Lenjani. Nnumri një i stolit kuqezi ndjen si të rëndësishme mungesën e Bogdanit, një njeri që i jep shumë skuadrës në dhomat e zhveshjes. De Biazi vlerësoi kalimin e portierit Etrit Berisha nga suedezët e Kalmarit tek Lacio, atje u luan edhe kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana.

38

ky është vendi në të cilin ndodhet Shqipëria në renditjen e FIFA-s për muajin gusht. Kombëtarja jonë ka 689 pikë.

45

ky është vendi në të cilin ndodhet Sllovenia në renditjen e FIFA-s për muajin gusht. Sllovenët kanë 634 pikë.

70

ky është vendi në të cilin ndodhet Islanda në renditjen e FIFA-s për muajin gusht. Islandezët kanë 499 pikë.

BILANCI ME SLLOVENINË

09.06.1999, Tiranë

Shqipëri-Slloveni 0-1

Eliminatoret Euro 2000

Trajner: Astrit Hafizi

18.08.1999, Ljubljana

Slloveni-Shqipëri 2-0

Eliminatoret Euro 2000

Trajner: Astrit Hafizi

24.03.2007 Shkodër

Shqipëri-Slloveni 0-0

Eliminatoret Euro 2008

Trajner: Sllavko Kovaçiç

13.10.2007 Celje

Slloveni-Shqipëri 0-0

Eliminatoret Euro 2008

Trajner: Oto Bariç

09.02.2011, Tiranë

Shqipëri-Slloveni 1-2

Miqësore

Trajner: Josip Kuzhe

16.10.2012, Tiranë

Shqipëri-Slloveni 1-0

Eliminatoret Botërori 2014

Trajner: Xhani De Biazi

Bilanci: 6 ndeshje; 1 fitore, 2 barazime, 3 humbje. Golat 2-5

Eliminatoret “Brazil 2014”

GRUPI E

Ndeshjet, 6 shtator 2013

Norvegji-Qipro       19:00

Zvicër-Islandë       20:30

Slloveni-Shqipëri    20:30

RENDITJA

Ekipi           N    P

1. Zvicra       6    14

2. Shqipëria    6    10

3. Islanda      6    9

4. Norvegjia    6    8

5. Sllovenia    6    6

6. Qipro        6    4

GJYQTARËT

Hungarez në Slloveni, anglez në Islandë

 Slloveni-Shqipëri do të drejtohet nga një katërshe gjyqtarësh hungarezë të kryesuar nga Istvan Vad (34 vjeç). Ai është gjyqtar ndërkombëtar i FIFA-s nga viti 2007. Edhe babai i tij, Istvan Vad Sr., ishte gjyqtar ndërkombëtar, ndërsa gjyshi, i quajtur po Istvan Vad ishte gjyqtar në Hungari. Ndeshja Islandë-Shqipëri të gjykohet nga një katërshe anglezësh me kryesor Martin Atkinson. Ndihmës të tij janë Piter Kirkap dhe Daren Ingland. I katërt është Endri Marriner.