De Biazi: “Djem, nderoni Shqipërinë!”

518
Sigal

Sot, Shqipëri-Norvegji (20:30)/ Trajneri i Kombëtares: “Tani të gjithë presin nga ne mrekullinë!”

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, është përpara një sfidë me një tension të madh, kur Shqipëria të përballet sot në mbrëmje me Norvegjinë në “Qemal Stafa” (20:30). E gjithë tifozeria kuqezi pret që, skuadra dhe tekniku italian të përsërisin suksesin në Olso (1-0), një në stadium tërësisht të shitur dhe që pritet të ofrojë një spektakël të vërtetë, boll të mendosh se janë përgatitur dy flamuj gjigantë 100-metërsh dhe në duart e tifozëve do të jenë mbi 12 mijë flamuj të vegjël. Përpara takimit, Shqipëria mori lajmin e mirë nga FIFA, për pozicionimin nm vendin e 38-të në renditjen botërore, rezultati më i mirë historik i saj. Trajneri tenton të frenojë euforinë në kampin kuqezi, duke theksuar se kjo ndeshje nuk është vendimtare për kualifikimin e Shqipërisë në Botëror. Edhe nëse kuqezinjtë arrijnë të marrin tri pikë në këtë supertakim, për të prekur Brazil 2014 duhen kaluar me sukses edhe katër sfidat e fundit, ndër të cilat 3 në transfertë.

– Mister, le ta nisim me lajmin e bukur të renditjes historike në FIFA. Jemi të 38-tët, një rekord për Shqipërinë. Si do ta vlerësonit?

– Më vjen mirë që në prag të një ndeshjeje delikate marrim një lajm të mirë, sikurse ishte ky i ngjitjes së pesë vendeve të tjera në klasifikimin e FIFA-s, duke vendosur një tjetër rekord historik. Jam shumë i kënaqur sepse vlerëson punën që kemi bërë deri tani.

– Duket sikur jemi më afër Brazilit?

– Doja t’ju thosha që, po ndjekim një ëndërr të bukur, që ka të bëjë me kualifikimin në finalet e Botërorit 2014, por kemi ende shumë rrugë për të bërë.

– Tashmë nga ndeshja me Norvegjinë na ndajnë orët. Si do ta vlerësoni?

– Përballja me Norvegjinë nuk është vendimtare. E them këtë sot me shumë qartësi, për faktin e thjeshtë se gjithçka do të varet nga rezultatet që do të arrijmë në katër sfidat e fundit, ndër të cilat 3 janë në transfertë. Duhet ta kuptojmë që fitorja me Norvegjinë nuk do të ketë asnjë vlerë nëse i humbasim takimet e mbetura.

– Shumë mungesa të detyruara në formacion, për shkak të pezullimeve dhe dëmtimeve, por dhe prurje të reja. Cili do të jetë formacioni që do të zbresë në fushë?

– Akoma nuk e kam vendosur formacionin, sepse kam dyshimet e mia, që lidhen me një rol thelbësor. Formacionin përfundimtar do ta vendos pas seancës së fundit që do të zhvillohet paraditen e kësaj të premteje (sot). Të gjithë së bashku duhet të japim ndihmën tonë, sepse pritshmëritë për këtë ndeshje janë shumë të mëdha.

– Çfarë do të kërkonit nga skuadra?

– Sigurisht, që kërkoj maksimumi nga skuadra, por ndeshje të tilla duhet të përballohen me shumë zgjuarsi dhe përqendrim maksimal, sigurisht duke respektuar edhe kundërshtarin. Është një grup futbollistësh shumë serioz, që punon me vullnet me dëshirë të madhe. Shpresojmë që nesër të bëjmë një ndeshje të mirë, që të evitojmë gabimet dhe të jemi të kujdesshëm në të gjitha aspektet e lojës, në çdo moment.

– Keni kryer një rinovim thuajse total të ekipit, çka do të vlejë shumë dhe për të ardhmen…

– Dua të nënvizoj që atmosfera në kombëtaren shqiptare ka ndryshuar shumë dhe ky është një aspekt shumë i rëndësishëm. Gjithçka u detyrohet këtyre djemve, që i kanë dhënë jetë një projekti me djem të rinj, që dëshirojnë të kualifikohen jo vetëm në botëror por edhe në Euro 2016 e më pas. Pavarësisht revolucionit që kemi bërë në skuadër, rezultateve që kemi arritur deri tani, të cilat duhet ti rikonfirmojmë, dua të theksoj që më i rëndësishëm është fakti që kemi hedhur bazat për të ardhmen.

– Norvegjinë tashmë e njihni. Kur kanë mbetur pak orë, cili është vlerësimi për kundërshtarin?

– Do të përballemi me një skuadër shumë të fortë, që ka shumë cilësi dhe mbi të gjitha forcë fizike. Edhe në vijnë pas dy fitoreve në grup, ku nuk kemi pësuar asnjë gol, ndaj duhet të ruajmë vazhdimësinë. A do t’i surprizojmë sërish? Nuk e di. Ata tashmë janë të përgatitur për gjithçka.”

– Fituat në ndeshjen e parë kundër homologut tuaj Olsen.

– Në datën 21 mars, kur jemi nisur për Norvegji, nuk llogaritnim maksimumin dhe pritshmëritë ishin të kuptueshme. Tani të gjithë presim mrekullinë. Ajo që do të kërkoja nga të gjithë është që t’i mbështesim këta djem, sepse po bëjnë maksimumin.

– Do të luhet në një stadium tërësisht të shitur dhe tepër entuziast…

– E di që tifozët do ta mbushin stadiumin dhe kjo është një armë plus për ne, megjithatë kërkoj të jenë të duruar gjatë lojës, sepse nuk do të jetë e lehtë. Bëhet fjalë për një ndeshje të rëndësishme për të dyja palët. Megjithatë, nuk duhet ta konsiderojmë si një finale përballjen me Norvegjinë, sepse kështu do të binim pre e presionit të madh.

Eliminatoret “Brazil 2014”

GRUPI E

  Sot, 7 qershor 2013

Shqipëri-Norvegji    20:30

Islandë-Slloveni           21:00

Nesër, 8 qershor 2013

Zvicër-Qipro         17:30

RENDITJA

Ekipi           N          P

1. Zvicra       5          11

2. Shqipëria    5          9

3. Islanda      5          9

4. Norvegjia    5          7

5. Qipro        5          4

6. Sllovenia    5          3

Rekord në renditjen e FIFA-s

 Shqipëria shënon një tjetër arritje historike në klasifikimin e FIFA-s. Kombëtarja e De Biazit ka fituar dhe 5 pozicione të tjera në renditjen e muajit maj, duke u ngjitur në vendin e 38-të të klasifikimit botëror. Sipas klasifikimit të ri, Shqipëria ka fituar plot 50 pikë në krahasim me një muaj më parë dhe aktualisht numëron plot 690 të tilla. Norvegjia mban vendin e 29-të me 794 pikë. Përsa u përket kundërshtarëve të tjerë të grupit E, Zvicra mban vendin e 14-të, ndërsa Sllovenia, Islanda dhe Qipro mbajnë respektivisht vendin e 55-të, 61-të dhe 122-të. Kreun e klasifikimit vazhdon ta udhëheqë Spanja e ndjekur nga Gjermania dhe Argjentina.

14 fitoret e kuqezinjve

 Shqipëria ka arritur të fitojë vetëm 14 nga 89 sfidat të vlefshme, për kualifikueset e kampionateve botërore (11 barazime dhe 64 humbje). Rekordin përsa i përket fitoreve të arritura i përket gjermanit Hans-Peter Brigel, me katër të tilla për Botërorin “Gjermani 2006”.

Formula e italianit

 “Qetësi, kujdes, qartësi, përqendrim dhe kooperim”. Kjo është formula që, duhet të zbatojë skuadra, nëse ajo kërkon suksesin. Pikërisht, ky është mesazhi i trajnerit Xhani De Biazi, të publikuar në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, e që më shumë u drejtohet lojtarëve.

Super shpërblim në rast fitoreje

 Edhe pse nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë çështje, mësohet se Federata Shqiptare e Futbollit, në rast të një tjetër fitoreje me Norvegjinë mund të mbushë xhepat e futbollistëve kuqezinj dhe stafit të ekipit kombëtar me një shumë të majme financiare. Natyrisht që do të jetë një shumë prej më shumë se 150 mijë euro për fitoren e Kombëtares Kuqezi në duelin e 7 qershorit ndaj Norvegjisë, një shumë kjo që i takon të jetë rreth 10 mijë euro për kokë lojtari. Për fitoren 1-0 në Oslo, ekipi u shpërble me 120 mijë euro. Edhe Kryeministri Berisha premtoi se, Qeveria e tij do të vendosë premio në rast fitoreje.

 PRAGNDESHJA

I shitur komplet

Biletat për ndeshjen ndërkombëtare Shqipëri-Norvegji janë tërësisht të shitura. Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” ka një kapacitet prej 16 800 vendesh të ulura.

Rrugët e bllokuara

 Tre akse rrugore do të jenë të bllokuara nga policia: “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Perlat Rexhepi” si dhe sektori nga Presidenca deri te Sheshi “Nenë Tereza”.

Parullat politike

 Policia nuk do të lejojë asnjë parullë me përmbajtje politike, përveç atyre sportive dhe patriotike. Do të lejohen vetëm ato që mbështesin ekipin Kombëtar.

Mjetet e forta

 Në stadium nuk do të lejohen shishe, flamujt me shkopinj, fishekzjarrët, apo dhe sende të tjera që, sipas policisë mund të futen në “listën e zezë”.

 Kapiteni i Shqipërisë do ta ndjekë ndeshjen kundër Norvegjisë, nga tribuna VIP e “Qemal Stafës”

 Lorik Cana: “Favorite është Shqipëria!”

 Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, do ta ndjekë ndeshjen kundër Norvegjisë, nga tribuna VIP e “Qemal Stafës”. Mbrojtësi i Lacios ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe është i pezulluar për një nga sfidat më të rëndësishme.

 – Lorik, në këtë ndeshje ju nuk do të luani. Si e ndjeni veten?

– Është gjithmonë vështirë kur e sheh veten jashtë ekipit në një kohë kur ke dëshirë jashtëzakonisht të madhe të jesh në fushë për ta ndihmuar.

– Sa e vështirë do të jetë për ju ta ndiqni ndeshjen nga tribuna?

– Do ta vuaj më shumë nga të gjithë mosaktivizimin, por jam i sigurt që ata që do të futen në fushë do të jenë të duhurit dhe ata që do të japin një performancë të mirë. Do të jem tifozi numër një në tribunë.

– Norvegjia vjen shumë e motivuar në Tiranë, pasi luan shanset e fundit të saj. Sa duhet të kemi kujdes?

– Për çështjet teknike trajneri ka nivelin e duhur dhe deri tani ka dëshmuar se di shumë mirë të përgatisë ndeshjen dhe di shumë mirë të kërkojë ato gjëra që skuadra të japë më të mirën. Edhe djemtë e kanë parasysh rëndësinë e ndeshjes. Do të kenë një mbështetje të jashtëzakonshme nga të gjithë njerëzit, nga ata që do jenë në stadium dhe jashtë tij.

– Kë shihni si favorit në këtë takim?

Jam i bindur se rezultatin pozitiv mund ta kapim.

– Për këtë ndeshje skuadër që niset si favorite ëpr mendimin tim është Shqipëria.

– Tani e njohim Norvegjinë, cili është mendimi juaj për të?

Është një kundërshtar që ka lojtarë të mirë dhe vjen në fushën tonë dhe mund të fitojë, kjo nuk është një surprizë, por ekipi ynë do të futet për ta fituar ndeshjen.

– Në rast se fitojmë, sa janë shanset ëpr t’u kualifikuar për në Botëror?

– Pavarësisht rezultatit, fitore apo humbje, ekipi do të jetë gjithmonë në garë për të kapur së paku vendin e dytë. Që në fillim të edicionit nuk ishte aspak synimi për t’u kualifikuar, por që të hedhim hapa përpara. Por duhet pasur parasysh se do të kemi dhe katër ndeshje të tjera, tre prej këtyre jashtë fushës sonë.

– Janë afruar shumë lojtarë të rinj, si i vlerësoni?

– Shumica janë djem të rinj dhe japin jashtëzakonisht shumë shpresa për të ardhmen e ekipit kombëtar. Shqipëria për mendimin tim dhjetë vitet e ardhshme duhet të ketë progresin më të madh që mund të ketë pasur ndonjëherë.

– Nëse do të ishe trajner, cilin do të vendosje në vend të Lorik Canës?

Atë nuk e bën Lorik Cana, por e bën Xhani De Biazi. Përveç Ilir Berishës që i duhet kohë për t’u ambientuar, dhe më vjen shumë keq që Curri u dëmtua, Teli ose Osmani kam parë se mund të luajnë në pozicionin tim.

Bum menaxherësh në stadium

 Ndeshjet ndërkombëtare, sidomos ato në nivel të përfaqësueseve janë një vitrinë e mirë për futbollistët. Tribuna e “Qemal Stafës” do të jetë e mbushur me drejtues klubesh europiane. Vetëm nga Italia do të vijnë 4-5 klube të Serisë A, për të parë disa lojtare të Kombëtares.

Stërvitja e norvegjezëve

 Ekipi norvegjez bëri dje stërvitjen njohëse në stadiumin “Qemal Stafa”. Trajneri Egil Olsen i urdhëroi lojtarët e tij të bënin ushtrime me karakter fizik, disa veprime streçingu, lëvizje me top, si dhe minindeshje në kuadrat. Seanca e norvegjezëve u ndoq nga shumë specialistë.

300 norvegjezë në “Qemal Stafa”

 Federata Norvegjeze ka konfirmuar udhëtimin e 300 tifozëve të saj, shumë pak për një skuadër që kërkon të fitojë ndeshjen më të rëndësishme të eliminatoreve. Shtypi norvegjez ka treguar qartë se humbja e Norvegjisë kundër Shqipërisë në mars i tejkalon përmasat e së zakonshmes.

Dy kosovarë kundër nesh

 Valon Berisha i Red Bull Zalcburgut në kampionatin zviceran dhe Ardian Gashi i Helsingborgut në kampionatin suedez janë dy lojtarët kosovarë, të cilët janë përfshirë në listën e Norvegjisë për ndeshjen kundër Shqipërisë. Në takimin e parë në Oslo luajti vetëm mesfushori Berisha.

Gjykon skocezi Kolum

 Ndeshja Shqipëri-Norvegji do të gjykohet nga skocezi Uilli Kollum. 34-vjeçari konsiderohet si një nga gjyqtarët që mund të mbajë nën kontroll të ashtuquajturat shumë tension brenda saj. Gjyqtari skocez ka një eksperiencë 20-vjeçare dhe nga viti 2006 ai është gjyqtar i FIFA-s.

Euro U-21, sot Shqipëri-Hungari

 Kombëtarja U-21 do të nisë sot kundër Hungarisë fushatën eliminatore në Kampionatin Europian U-21 2015. Ndeshja do të luhet në “Niko Dovana” të Durrësit, në orën . Pas kësaj ndeshje, Shpresat e Skënder Gegës do të luajnë kundër Bosnjës. Në grup janë dhe Austria me Spanjën.

Lojtarët nën kontroll amerikan

 Federata Shqiptare e Futbollit dhe Spitali Amerikan në Tiranë kanë zyrtarizuar marrëveshjen e tyre 10–vjeçare të bashkëpunimit, ku ekipi kombëtar i futbollit do të ketë mbështetjen e nevojshme shëndetësore. Të mërkurën, lojtarët e ekipit tonë kombëtar kanë zhvilluar vizita mjekësore.

Lacio kërkon Mavrajn

 Mërgim Mavraj mund të transferohet te Lacio gjatë merkatos së verës. Lajmin e bënë të ditur mediat italiane. Drejtori sportiv Igli Tare do ta ndjekë mbrojtësin e Kombëtares gjatë ndeshjes Shqipëri-Norvegji. Vlera e kartonit të kapitenit të Grojther Fyrthit shkon 1 milion euro.