Dashnor Dume: Panuçi ka nxjerrë shumë “skarco”, po bën Kombëtaren e tij!

977
Sigal

Nga Agron KAJA

KOMBËTARJA/ Flet për “Telegraf” ish-mesfushori kuqezi, këndvështrimi i tij për trajnerin dhe dy ndeshjet miqësore, me Kosovën dhe Ukrainën

Kombëtarja jonë e futbollit do të luajë dy ndeshje miqësore, me Kosovën më 29 maj dhe me Ukrainën më 3 qershor 2018. Nga trajneri Panuçi është bërë zyrtare lista e lojtarëve të grumbulluar për këto takime, ku në listën e publikuar nga FSHF-ja bien në sy disa mungesa. Ndeshje të tilla, ish-mesfushori i Kombëtares, Dashnor Dume, i quan domosdoshmëri për të parë gjendjen e lojtarëve, por më shumë, për të promovuar më të rinjtë. “Është gjë e mirë që të zhvillohen të tilla miqësore, sepse trajneri duket që po mendon për ndeshjet eliminatore të Kampionatit Evropian, si dhe për ato të Ligës së Kombeve. Me listën që zyrtarizoi (të hënën, mendoj se Panuçi ka nxjerrë shumë lojtarë “skarco”, dhe me emrat që po sjell, duket se po kërkon të bëjë Kombëtaren e tij!”, kështu theksoi Dashnor Dume për gazetën “Telegraf”, ndërkohë që për emrat të cilët nuk i ka thirrur në këto miqësore, nuk i mendon si të larguar nga Kombëtarja. “Mendoj se ata që nuk janë thirrur, nuk duhen menduar si të larguar nga Panuçi, dhe unë nuk e dëshiroj kështu, sepse gjykoj se ata kanë shumë minuta lojë në këmbët e tyre, e ndonjëri, mundet që të shikohet si alternativë titullari. Nëse ju referohemi emrave, nuk besoj se Panuçi do të largojë Sadikun, Alijin apo Hajdareviç”. Risia e listës të publikuar të hënën nga Kristian Panuçi, janë emrat e Egzon Binakut dhe Sindrit Gurit, dy futbollistë që këtë sezon kanë treguar vlera në pozicionet e tyre. Të dy këta emra, Mjeshtri i Sportit, Dashnor Dume, i quan si e ardhmja në Kombëtaren tonë të futbollit. “Sulmuesin Sindrit Guri e kemi parë më shumë se sa mbrojtësin Egzon Binaku, e do të thoja se shkodrani e ka merituar më parë një vend në Kombëtare. Nëse do t’i jepet mundësia në këto dy miqësore, besoj se do të tregojë që e meriton, madje prej tij priten edhe gola. Ndërsa këto ditë kam lexuar edhe për mbrojtësin Binaku, për të cilin Suedia kishte synime që ta përfshinte në skuadër. Ndaj e mendoj si një vlerë të shtuar në repartin e mbrojtjes sonë, sepse përpara kemi një sezon të ngjeshur me ndeshje, ku përballë do të jenë skuadra dhe rivalë të fortë në eliminatoret e Evropianit dhe në Ligën e Kombeve”, kështu e mbylli dje deklaratën e tij Dashnor Dume, ish-mesfushori i Kombëtares në periudhën 1991-1995. Kombëtarja jonë do të luajë dy ndeshje miqësore, me Kosovën më 29 maj në Zyrih të Zvicrës, dhe me Ukrainën më 3 qershor 2018, në Evian të Francës.

Përjashtimet e Panuçit

Ansi Agolli, ka dalë Kampion në Azerbajxhan.

Andi Lila, te PAS Janina ka bërë disa role këtë sezon.

Ergys Kaçe, ka rigjetur formën më të mirë te Panathinaikosi.

Migjen Basha, ka udhëhequr Barin në Serinë B, si kapiten.

Armando Sadiku, Azdren Llullaku e Ledjan Memushaj, çuditërisht janë lënë jashtë liste.

Burim Kukeli, Taulant Xhaka dhe Amir Abrashi, justifikohen si të dëmtuar.

11 largime

Për dy ndeshjet miqësore, trajneri Panuçi nuk ka thirrur 11 futbollistë: Sadikun, Bashën, Lilën, Memushajn, Kaçen, Llullakun, Alijin, Hykën, Ahmedin, Baren e Ajdareviç

2 afrime

Mbrojtësi Binaku dhe sulmuesi Guri, janë dy afrimet e reja në Kombëtaren e drejtuar nga Panuçi, ndërsa Vajushi e Manaj janë dy të rikthyer