Dash FRASHËRI / “Taçi Oil” dhe “Milan Junior Kamp” çojnë dhjetë talente kosovarë në “San Siro”

1325
Sigal

Dhjetë lojtarët më të talentuar të dy edicioneve të “Milan Junior Camp”, të mbajtura në Kosovë, sot do të nisen në Milano, ku do të marrin pjesë në evenimentin e rëndësishëm sportiv “Milan Day”, bashkë me moshatarët e tyre nga 40 vende të botës. Para nisjes për Milano, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka rezervuar një pritje për 10 talentet që do ta përfaqësojnë Kosovën në “San Siro”. Ministri ka falënderuar posaçërisht kompaninë “Taçi Oil”, që ka bërë të mundur organizimin e këtij evenimenti dhe sjelljen e përvojës së klubit më të titulluar në botë, iniciativë kjo që ka gjetur edhe mbështetjen e ministrisë së Sportit. “Pas dy edicioneve të suksesshme Milan Junior Camp, përfundimisht po arrijmë atë objektivin e përbashkët që kemi pasur me organizatorin “Taçi Oil”. Më vjen mirë që kemi pasur mundësinë të jemi bashkëorganizator. Është hera e parë që ndodh diçka kaq e rëndësishme për talentet e rinj të Kosovës”, – tha Krasniqi. Në Milano, fëmijët kosovarë do të kenë sërish mundësi të evidentojnë talentin e tyre, në sytë e trajnerëve të Milan, duke realizuar në të njëjtën kohë një ëndërr të madhe. “Falënderoj Taçi Oil që na ka mundësuar të shkojmë në Itali, sepse është ëndërr e çdo fëmije që ta prekë stadiumin “San Siro”. Në Itali do të jetë një eksperiencë e paharrueshme për të gjithë fëmijët dhe atje do t’i tregoj vlerat e mia dhe shpresoj të kthehem me sukses”,  -tha Ramush Ramadani, pjesëmarrës. Edon Zhegrova, Agon Hajredini, Muhamet Hyseni, Veton Tusha, Leart Bilalli, Diellor Beseni, Visar Jetullahu, Valmir Uka, Bleon Sekiraqa dhe Ramush Ramadani janë dhjetë fëmijët nga Kosova që do të marrin pjesë në “Milan Day”. Ata do t’i bashkohen moshatarëve të tyre të përzgjedhur nga “Milan Junior Camp” në Tiranë.