Daniel Godelli: Shteti nuk do t’ia dijë për ne, po punojmë individualisht

865
Nga Agron KAJA
PESHËNGRITJE/ Në përgatitjet e fundit të rekordmenit për pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes, ja e pathëna e tij 
Kampionati Evropian i Peshëngritjes që do të zhvillohet në Bukuresht të Rumanisë në datat 26 mars e deri më 1 prill 2018, thuajse i ka mbyllur përgatitjet për peshëngritësit shqiptarë që do të marrin pjesë në këtë event. Ata që do të garojnë janë 7 peshëngritës (1 femër e 6 meshkuj), ku mes tyre është edhe Daniel Godelli, i cili tashmë garon në peshën 69 kg. Në bisedën e djeshme për gazetën “Telegraf”, Godelli deklaroi se përgatitjet për këtë pjesëmarrje nuk janë bërë në nivele të larta. Sipas tij, shteti as që nuk do t’ia dijë për këta peshëngritës. “Përgatitjet janë bërë sa për një Evropian, dhe përgatitjet tona janë bërë shumë të shpërndara. Këtu në Tiranë, jashtë Shqipërisë e ku di unë. Javët e fundit ka një grumbullim në Durrës, por unë vazhdoj të përgatitem e qëndroj në Tiranë, me kushtet e zakonshme, pa asnjë ndryshim para këtij eventi”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij peshëngritësi Daniel Godelli, i cili shkon në këtë event, pasi në Botërorin që u zhvillua në muajin nëntor 2017 në Amerikë, nuk u pajis me vizë hyrëse në SHBA nga ambasada përkatëse në Tiranë. Gjithsesi, ai ka optimizëm personal për të zënë një vend nderi, por më pas jep edhe një deklaratë të veçantë, në lidhje me preokupimin e shtetit shqiptar. “Me përgatitjet që kam bërë, unë jam shumë optimist se do të zë një vend në podium. Në Evropian, mundësia për medalje është e madhe, edhe pse ka disa skualifikime të peshëngritësve rusë, por nuk janë larguar më të fortët. Gjithsesi, duke e parë se si po organizohemi ne peshëngritësit për këtë event, duket qartë se shteti nuk do t’ia dijë fare për ne. Mendo, para një Evropiani, ne si peshëngritës po punojmë individualisht. Dhe çdo sukses, do të jetë vetëm i yni”. Një shqetësim e ngriti në gazetën “Telegraf” tri ditë më parë edhe trajneri Zef Kovaçi, i cili këtë grumbullim e ka quajtur mediatikisht “rrumpallë”, dhe këta janë djem heroikë. Ndërkohë që Godelli kalon edhe më tej, në Ligjin e ri për Sportet. “Ky shtet na premtoi një Ligj të ri për Sportin, por asgjë nuk ka ndryshuar nga i pari. Nuk e di se çfarë ndryshimesh pretendojnë, ndërsa ne sportistëve do të na duhet që të luftojmë vetë për të drejtat tona. Unë sportin në këtë event e bëj për Flamur, këtë ta dinë mirë shtetarët shqiptarë”, përfundoi në deklarimin e tij peshëngritësi Daniel Godelli. Në fillimin e kësaj jave, në qendrën e grumbullimit të peshëngritësve në Durrës, ka qenë për herë të dytë kontrolli anti-doping i Federatës Botërore të Peshëngritjes,ku ishte e pranishme edhe peshëngritësja Romela Begaj, pavarësisht pezullimit të fundit të saj për përdorim dopingu. Delegacioni shqiptar do të jetë në Bukuresht pikërisht më 26 mars, kur fillojnë zyrtarisht edhe garat e këtij Kampionati Evropian të Peshëngritjes për të Rritur.
Duke e parë se si po organizohemi ne peshëngritësit për këtë event, duket qartë se shteti nuk do t’ia dijë fare për ne. Ky shtet na premtoi një Ligj të ri për Sportin, por asgjë nuk ka ndryshuar nga i pari. Unë sportin në këtë event e bëj për Flamur, këtë ta dinë mirë shtetarët shqiptarë 

Peshëngritësit shqiptarë
FEMRA
Evangjeli Veli 58 kg
MESHKUJ
Romario Avdiraj 62 kg
Arbër Çerçizi 62 kg
Briken Calja 69 kg
Daniel Godelli 69 kg
Erkand Qerimaj 77 kg
Krenar Shoraj 85 kg
Sigal