Dako takon ekipin e basketbollit femra Goga Basket, i uron për suksesin e arritur

585
Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim ekipin e basketbollit femra të Durrësit Goga Basket. Në këtë takim kryebashkiaku Dako i ka uruar vajzat basketbolliste për suksesin e arritur këtë sezon ku për herë ta parë pas vitit 1990 krijohet ekipi i basketbollit femra dhe menjëherë ky ekip është ngjitur në elitën e basketbollit shqiptar duke u renditur i dyti dhe duke qenë pretendent serioz për fitimin e titullit kampion. Në këtë takim përveç basketbollisteve të Durrësit ishin të pranishëm presidenti i ekipit Igli Goga si dhe përfaqësuesi i EMS Shipping që është sponsori tjetër i ekipit, trajneri i ekipit Astrit Greva dhe shefi i klubit shumësportësh të Durrësit Kreshnik Leka. Kryebashkiaku Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit ka dhënë një mbështetje të fuqishme sportit e po kështu do të vazhdojë të mbështesë vazhdimisht basketbollin por edhe të gjitha sportet e tjera në mënyrë që të vazhdojë tradita e qytetit tonë i cili ka qenë gjithnjë elitë në të gjitha llojet e sportit.

 Nga ana e tij presidenti Goga deklaroi se tashmë është ngritur edhe akademia e basketbollit Dhimitraq Goga e themeluar nga 9 ish basketbollistë durrsakë ku stërviten me ekipet zinxhir 120 basketbollistë femra e meshkuj. Trajneri i Goga Basket Astrit Greva i cili është një nga trajnerët e njohur shqiptarë deklaroi se jemi krenarë për rezultatet e arritura pasi ky ekip përfaqëson Durrësin por edhe një nga emrat legjendë të basketbollit durrsak si Dhimitraq Goga. Ekipi në basketboll femra Goga Basket që përfaqëson Durrësin në të gjitha aktivitetet aktualisht u rendit i dyti në kampionatin shqiptar dhe ndodhet në fazën e playoff-t ku do të ndeshet me Tiranën. Goga Basket ka arritur një sukses të vërtetë këtë sezon duke qenë pretendente për fitimin e titullit. Nëse ky ekip durrsak do të shpallej kampion pas fazës së playoff-it kjo do të ishte e para herë në historinë e basketbollit të femrave që një ekip durrsak do të shpallej kampion. Ndeshja e parë e playoff-it ku Goga Basket do të ndeshet me Tiranën do të zhvillohet në pallatin e sportit Ramazan Njala në datën 10 maj në orën 18.00. 
Sigal