Daja: Skënderbeu nuk do të luajë për Vllazninë, kemi politikat tona për kampionatin

561
Sigal

Nesër do të luhet java e fundit e Superligës dhe Skënderbeu është përgatitur për festë në Korçë. Sfida kundër Vllaznisë nuk ka asnjë interes për ta sa i përket rezultatit, por ndryshe qëndron situata te shkodranët të cilët luftojnë për mbijetesë dhe u duhet me patjetër fitorja.

Në lidhje me këtë ndeshje është paraqitur sot para mediave Ilir Daja, trajneri i Skënderbeut. Numri 1 i korçarëve ka deklaruar sot se ekipi i tij nuk do bëhet pjesë e kompromiseve, pavarësisht se mendon të aktivizojë lojtarët e rinj të skuadrës.

Për kampionatin

Kam dëgjuar komentet për paraqitjen tonë në javët e fundit dhe dua të them se nuk luajmë për Vllazninë dhe asnjë ekip tjetër. Thjesht kemi politikat tona. Po ju them që, nëse do ta kishim mbyllur kampionatin që me Kukësin, po e njëjta gjë do të kishte ndodhur. Do t’u kishim dhënë minutazh lojtarëve të aktivizuar pak gjatë kampionatit, por edhe të rinjve, të ardhur nga Skënderbeu U-19. Ne kemi politikat tona. Jemi pezulluar nga UEFA dhe duhet të menaxhojmë si duhet situatat, qoftë edhe duke u përgatitur për një ndryshim të axhendës.

Në këtë lloj situate, të jeni të sigurtë se ky Skënderbe nuk ka lidhje me atë që mund të jetë dyshuar më përpara. Ky grup lojtarësh është i zhveshur nga rezultati, sepse kampionati është mbyllur. Motivimi nuk është maksimal. Nuk i kërkohet rezultat një ekipi që po riformatohet nga porta deri te sulmi.

Soue

Në Gjirokastër luajti Soue, sepse nuk donim t’ia hiqnim të drejtën e finalizimit të asaj që ka bërë gjatë gjithë kampionatit. Pastaj, Skënderbeu nuk u përket vetëm titullarëve, por edhe të rinjve. Kemi për detyrë të realizojmë objektivat primarë, siç ishte titulli kampion, apo kalimi në grupet e Ligës së Europës.

Kupa dhe formacioni

Me shumë kurajë, përtej modestisë, them se bëmë atë që nuk e ka bërë asnjë ekip shqiptar. Duam edhe Kupën e Shqipërisë dhe kemi frikën se lojtarët ndoshta nuk do të kenë ritmin e duhur. Formacioni për nesër? Asnjë nga lojtarët nuk e di se kush do të luajë ndaj Vllaznisë”.