Cungu ëndërron: “E kalojmë dhe Metalurg Donetskun!”

489
Sigal


LIGA E EUROPËS/ Sot, Kukësi-Metalurg Dontesk (19:30). Kompanitë e basteve zhvlerësojnë kuksianët

Për kompanitë e basteve Kukësi nuk ka thuajse asnjë shans jo vetëm që të kualifikohet, por as të fitojë ndeshjen e sotme në “Qemal Stafa” ndaj ukrainasve të Metalurg Donteskut. Një nga kompanitë e njohura, “Bet365” ka vendosur këto koeficientë: 8.18 për fitoren e Kukësit, 4.40 barazimi dhe 1.35 fitorja e Metalurgut. Por, trajneri i Kukësit, Armando Cungu, ka një këndvështrim krejt tjetër. Tekniku shkodran ka të qartë që për të shpresuar te kualifikimi nevojitet fitorja në “Qemal Stafa”. 38-vjecari e pranon se nuk e ka të vështirë për ta motivuar skuadrën ndaj Metalurg Donteskut. Në fakt, ecuria e jashtëzakonshme e Kukësit në Europë Ligë me kualifikimin në dy raundet e para tregoi edhe një herë se në futboll asgjë nuk është e pamundur. trajneri Armando Cungu beson se duke dhënë shpirtin në fushë, Kukësi mund të vijojë të ëndërrojë, pavarësisht se në këtë raund të tretë nënkampionia e Shqipërisë do të përballet me Metalurg Dontesk, që është një kundërshtar me potencial të madh sportiv dhe financiar. Kemi kaluar dy ekipe shumë të forta, si Flora Talinin e Estonisë dhe Sarajavon e Bosnjës dhe kjo nuk është pak. Kur Kukësi eliminoi Sarajevon në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës, skuadra e Armando Cungut u bë ekipi i dytë shqiptar që kalonte dy ture në Europë, pas 26 vitesh, qysh kur Flamurtari i famshëm i Sokol Kushtës dhe Vasil Rucit e realizoi atë në vitin 1987. Tani, nënkampionët e Shqipërisë synojnë një tjetër objektiv të madh: kualifikimin me Metalurg Donteskun, pavarësisht emrit që gëzojnë ukrainasit. Kukësi–Metalurg Dontesk do të luhet “Qemal Stafa”, në orën 19:30, dhe do të drejtohet nga gjyqtari kazak Artyom Kucin.

Ecuria e Kukësit në Europë

 LIGA E EUROPËS

Turi i parë

4 korrik 2013

Flora Talin–Kukësi   1-1

11 korrik 2013

Kukësi-Flora Talin   0-0

Turi i dytë

18 korrik 2013

Kukësi-Sarajevo      3-2

25 korrik 2013

Sarajevo-Kukësi      0-0

Turi i tretë

Sot, 1 gusht 2013

Kukësi-Metalurg D.   19:30

8 gusht 2013

Metalurg D.-Kukësi   18:00

 Mentor Mazrekaj firmos me Partizanin

 Mentor Mazrekaj është blerja e fundit e Partizanit, duke iu bashkuar grupit të futbollistëve nga klubi i Prishtinës të afruar tek të kuqtë e kryeqytetit. Pas Besnik Krasniqit, Labinot Ibrahimi dhe Behar Maliqi, Mazrekaj është futbollisti i radhës që përshkruan rrugën e kombit, nga kryeqyteti i Kosovës në atë të Shqipërisë. Fantazisti i Prishtinës mbërrin tek Partizani me formulën e huazimit për 6 muajt e ardhshëm dhe pritet të vihet menjëherë nën urdhrat e trajnerit Hasan Lika në fazën përgatitore që skuadra e kuqe po kryen në Greqi. Vetë futbollisti në konferencën për shtyp të mbajtur në kryeqytetin kosovar ka bërë publike arritjen e marrëveshjes së huazimit 6 mujor. 24-vjecari ka theksuar se qëllimi i kësaj lëvizjeje është për të provuar veten e tij në nivele më të larta se kampionati kosovar, aty ku ka fituar gjithçka. Mazrekaj bëri të ditur se ky ishte momenti i duhur për të ndërruar ambient dhe të provojë veten e tij në një tjetër kampionat, duke filluar nga kategoria superiore. Një nga futbollistët më të mirë sezonin e kaluar në Raifaisen Superliga është nën kontratë me Prishtinën deri në vitin 2015. Për presidentin e këtij klubi, Remzi Ejupi, kjo është një mënyrë që Prishtina të jetë e pranishme në kampionatin shqiptar, edhe pse nuk ishte kjo forma që ata dëshironin. Gjithashtu Ejupi me bindje të plotë theksoi se shumë shpejt Mazrekaj do të jetë edhe pjesë e Kombëtares shqiptare, për ti krijuar më pas mundësi vetes të luajë në kampionatet elitare të Europës.

 Valter Fushaj, pranë rikthimit te Vllaznia

 Vllaznia e sezonit të ardhshëm po merr formë. Radhët e kuqebluve janë shtuar dhe dilemat për formacionin e shkodranëve po vijnë drejt fundit. Në fillim u zgjidh çështja e trajnerit, duke emëruar në krye të kuqebluve Agim Canaj, ndërsa tashmë vijnë dhe firmat e para. Drejtori i klubit Armir Grima ka qenë i impenjuar duke nënshkruar kontratat e reja me futbollistët, një pjesë e mirë e të cilëve e mbyllën sezonin e kaluar në “Loro Boriçi”. Kështu një ditë më parë kanë rinovuar kontratën Semina, Shtubina dhe Tafili ndërsa nga Luftëtari ka ardhur mbrojtësi Baci. Ndërsa të martën paradite në zyrat e klubit janë ngjitur me rrallë Sykaj, Gjini dhe Rexha për të rinovuar, si dhe Ramadani e Gocaj për të nënshkruar kontratën e re. Plot 9 futbollsitë të konfirmuar, 3 prej të cilëve blerje të reja do të jenë pjesë e Vllaznisë për sezonin e ardhshëm, teksa nuk dihet se ku do të ndalet ritmi i afrimeve tek shkodranët. Për momentin trajneri Canaj ka një grup të madh futbollsitësh, duke patur parasysh dhe të rinjtë që vijnë nga akademia e klubit. Pavarësisht se akoma nuk është vendosur forma me të cilën Vllaznia do të administrohet këtë sezon, duke pasur parasysh zërat për një afrim të mundshëm të ish-*presidentit Fushaj, drejtuesit e klubit kanë nisur të lëvizin, pasi koha nuk pret dhe sezoni i ri po troket në derë.

  Shkruan “La Stampa”

 “Emigrant në të kundërt. Një italian në provë në Serinë A shqiptare”

  Gazeta e njohur italiane “La Stampa” i ka kushtuar një artikull të gjatë lojtarit italian Simone Sonçinit, i cili prej disa ditësh është në provë te Flamurtari. “Udhëtim në drejtim të kundërt. Nëse disa vite më parë Italia ishte ambicia e madhe e popullit shqiptar, tani ka ndonjë që tenton të bëjë udhëtimin e kundërt. Simone Sonçini, i cili ka shënuar më shumë se dyqind gola midis serisë D dhe të Rinjve, në dy sezonet e fundit në Verbania dhe Bellinzzago, po kalon një periudhë prove te Flamurtari i Vlorës, klubi i kampionatit maksimal shqiptar. Një eksperiencë e re për një futbollist nga Novara, që prej dy vjetësh tentonte të ikte nga ana tjetër e Adriatikut”, – shkruan “La Stampa”. “Gjithçka lindi atëherë, kur isha për vizitë te shtëpia e mikut tim Edvin Liçaj (mesfushori i Romentinës), kur hyra në kontakte me disa drejtues. Këtë verë familja e Liçajt me mikpriti gjatë periudhës së provës dhe më bëri të ndihesha si në shtëpi, provimi shkoi mirë dhe do të kisha mundur edhe të firmosja kontratën, por preferova të prisja që të isha në kondicion më të mirë fizik”, – tha Sonçini për gazetën italiane. Lojtari italian pohon se ka pasur shumë oferta nga klube të tilla si: Tortona Villalvernia, Casale, Sondrio e Roncalli, por në janar i ishte dhënë mundësia të shkonte në Shqipëri, madje ka pasur dhe kontaktë me Kukësin. “Ky ekip ka kaluar dy turet e para në Ligën e Europës. Gjeta një futboll shumë të organizuar, fushë me bar sintetik, përgatitës të aftë: kampionati shqiptar është cilësor dhe në rritje. E vetmja gjë që, më frenoi ishin zakonet dhe kultura, por do t’u përshtatem pa asnjë problem”, – përfundon 32-vjeçari Simonçini.

 Tare: “Berisha vjen te Lacio, jo te Kievo”

 Çështja “Etrit Berisha” po kthehet në një telenovelë të merkatos në Itali. Ndërkohë që të martën, Kievo bëri të ditur se kishte arritur të nëshkruante një kontratë 3-vjeçare me Berishë, portieri i Kombëtares e hodhi poshtë atë, duke e konsideruar si një gënjeshtër të madhe dhe se parakontrata ishte e pavlefshme. Dje, drejtori sportiv i Lacios dhe ish-kapiteni i kombëtares shqiptare sqaron situatën në lidhje me portierin prishtinas.

Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios dhe ish-sulmues i kombëtares shqiptare ka sqaruar për mediat italiane rastin e portierit të Shqipërisë, Etrit Berisha. Tare ka dhënë versionin e njëjtë të Berishës dhe menaxherit të tij, Elver Raça. Në një bisedë për “Sky Sport 24”, Tare tha se Berisha kontrata me Kievon nuk është vlefshme dhe portieri pritet të bashkohet me skuadrën nga Roma.

“Berisha dëshiron të vijë te Lacio, kontrata që e nënshkroi me Kievon nuk është e vlefshme”, tha Tare

LORIK CANA

Lacio dhe kapiteni i përfaqësueses shqiptare, Lorik Cana nuk do të ndahen. 30-vjeçari që ka lënë pas një sezon pozitiv me skuadrën e kryeqytetit italian, është gati që të rikonfirmohet si një futbollist i rëndësishëm i Lacio dhe i trajnerit Vladimir Petkoviç. “Unë po jap maksimumin për fanellën e Lacio dhe do të vazhdoj që të djersij dhe për shumë vite. Kam bërë një zgjedhje të saktë. Kam dhe 3 vite kontratë dhe e ardhmja ime është këtu”, ka deklaruar Lorik Cana i cili në këtë mënyrë i deklaron besnikërinë skuadrës së Lacio. “Në skuadrën e Marseille kam kaluar një periudhë fantastike. Për mua është një shtëpi e dytë por tani jam futbollist i Lacio dhe kam uri të madhe për sukses. Dua të fitoj më shumë. Të gjithë duam të fitojmë më shumë. Për këtë arsye unë jam gati për të shkruar një faqe të re të historisë së karrierës time me skuadrën e Lacio”, ka përfunduar Lorik Cana.