Copa America: Përplasje gjigantësh, Superclasico si një finale

165

Gjysmëfinalet e Copa América 2019 nisin sot pas mesnate (2:30 me orën tonë) me një Superclasico në futbollin e Amerikës së Jugut: Brazil-Argjentinë.

Një duel gjigantësh, që ka shijen e finales, sepse qartësisht kush triumfon sot do të jetë favoriti i madh për të fituar turneun më të madh në Amerikën e Jugut.

Brazili niset favorit sot, për shumë arsye, por mbi të gjitha për faktin se luan në shtëpi, ndërsa nuk ka pësuar ende gol në Copa America këtë verë.

Në krahun tjetër, Argjentina shpreson të vijojë rritjen e vënë re në ndeshjet e fundit dhe lutet që Leo Messi më në fund të shpërthejë me kombëtaren, sepse deri tani nuk ka qenë ai i Barcelonës.

Në krahasim me ndeshjen e fundit, kur iu deshën penalltitë për të kaluar Paraguain, Brazili rikuperon mesfushorin Casemiro, lojtar me shumë rëndësi për skemat e trajnerit Tite. Filipe Luis, Fernandinho e Richarlison pritet të mos luajnë, por asnjë prej tyre nuk është titullar.

Luhet në “Mineirão”, aty ku Brazili u fëlliq 7-1 nga Gjermania në 2014, disfata më e rëndë në histori, ndaj Argjentina shpreson të bëjë një ‘Mineirazo’, duke imituar Gjermaninë. Nëse kjo ndodh, edhe Tite rrezikon vendin e punës, sepse nuk i falet një dështim i ri, pas atij në Botërorin 2018.

Trajneri argjentinas Scaloni pritet të konfirmojë formacionin e ndeshjes ë fundit, sepse skema 4-3-3 me Messi pas dyshes Lautaro Martinez-Aguero funksionoi, por nuk përjashtohet që XDi Maria të luajë titullar në vend të Agueros.

Në Copa America 2015 e 2016 Argjentina u mund me penallti nga Kili, nëse triumfon sot nuk është çudi që të gjejë përsëri Kilin në finale, motivimi është i shumëfishtë, por Celeste është në një moment shumë të vështirë dhe nuk fiton trofe prej dekadash, ndaj presioni është i jashtëzakonshëm.