“Çmendet” portieri Moçka i Teutës, ndëshkon në ekstrem Partizanin

458
Partizanit i ka ikur fitorja nga duart. Kur skuadra e kuqe po mendonte që të festonte fitoren ndaj Teutës në “Niko Dovana”, portieri vlonjat i “Djemve të detit” u a ka ngrirë buzëqeshjen. Në minutën e fundit të lojës, vendasit fitojnë të drejtën për të ekzekutuar një goditje këndi, dhe në shtyllën e dytë portieri Moçka godet si një “gjahtar” goli, pasi e përplas topin në tokë dhe e pushon në rrjetën e Alban Hoxhës, i cili me atë numër lojtarësh që kishte përpara, as nuk mundi ta ndalonte topin në rrjetën e tij. Ndoshta lojtarët e Partizanit e kishin harruar fare “gardianin” e Teutës, që e braktisi portën në këtë minutë të fundit të ndeshjes, e cila i rezultoi me fat. Situatë zhgënjyese për “demat” e Partizanit, të cilët ndoshta nuk u besojnë syve, e më pas bilbilit për fundin e ndeshjes. Skuadra e Partizanit kaloi në avantazh që në minutën e 25-të me anë të Prognit, por portieri Alban Hoxha u bë heroi i tyre, duke pritur penalltinë e Çyrbjes, më parë se Progni të shënonte golin e avantazhit. Për trajnerin Sulejman Starova, Partizanit i ka shpëtuar fitorja, madje sipas tij, duhej me rezultatin 2-0. “Ne nuk e shfrytëzuam momentin që të shënonim edhe golin e dytë, por skuadra nuk tregoi freskinë e duhur. Lojtarët e ardhur në janar duhet të bëjnë ndryshimin” ka deklaruar Starova, ndërkohë që “heroi” i Teutës në këtë barazim, portieri Moçka, pas ndeshjes u shpreh se nuk e kishte menduar këtë gol. “Unë nuk kisha menduar se loja do të shkonte në këtë mënyrë, por jam i kënaqur që me golin tim i dhurova barazimin Teutës. Ka qenë një gol i veçantë, sepse kam shënuar me kokë dhe është e rëndësishme për ekipi. Kam shënuar edhe dy gola të tjerë, por ata kanë qenë nga pika e penalltisë”, deklaroi portieri vlonjat i Teutës, Shpëtim Moçka. Edhe trajneri i Teutës, Gentjan Begeja, nuk e besonte që të shënonte portieri i tij, por këtë e quan një pikë me vlerë për vazhdimësinë. “Nuk ia merrte njeriu mendja se do të shënonte Moçka. Kemi një ekip të fortë përballë Janë djem që punojnë përgjatë gjithë javës, pastaj problemet që dalin në fushë janë për tu analizuar sepse ndeshja sot u vendos nga aksionet, nga gabimet e lojtarëve tanë. Besoj se kjo pikë na vlen për vazhdimësinë”. Me këtë barazim, Teuta barazohet me pikë me Vllazninë, e cila sot luan në “Loro Boriçi” ndaj Flamurtarit, ndërsa Partizani renditet në vendin e 6-të, larg zonës së Evropës.
Rezultatet-Java e 23-të
Dje, datë 4 mars 2018 
Lushnja-Kukësi 1-2
Shënues: Canka 45+1’/ 
Idrizi 42’, Guri 43’
Skënderbeu-Laçi 4-0
Shënues: Aliti 4’, 
Soue 36’, 56’, Krasniqi 84’
Teuta-Partizani 1-1
Shënues: Moçka 90+5’/ 
Progni 25’
Sot, datë 5 mars 2018 
Luftëtari-Kamza 14:00
Vllaznia-Flamurtari 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 23 53
2. Kukësi 23 39
3. Flamurtari 22 36
4. Laçi 23 33
5. Kamza 22 32
6. Partizani 23 32
7. Luftëtari 22 31
8. Vllaznia 22 22
9. Teuta 23 22
10. Lushnja 23 10
Sigal