Champions League/ Skënderbeu me qetësi pret takimin e kthimit

54
Skuadra e Skënderbeut nga Korça me qetësi pret takimin e kthimit të rrethit të tretë eliminatorë të Champions League, ku ndeshen me Milsamin nga Moldavia. Ndeshja luhet nesër, të mërkurën në orën 20.45, në stadiumin ‘Arena Elbasan’ dhe pritet të jetë një numër i madh i shikuesve shqiptar për ta përkrahur, Skënderbeun. Kampioni shqiptar e ka fituar takimin e parë me rezultat 2:0 dhe është në epërsi shumë të mirë për takimin e kthimit. Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, tha se duhet të janë të qetë e të kujdesshëm. “Presioni tashmë është mbi ne. Ne kemi për të humbur shumëçka, ndërsa Milsami asgjë. Moldavët vijnë për të luajtur lirshëm, të marrin ç’të marrin. Duke qenë në fokus të të gjithëve, duke luajtur në një stadium të mbushur plot e përplot me tifozë, presioni rritet mbi lojtarët e mi. Kësaj gjëje i druhem më shumë, ngarkesës psikologjike, sepse gjithë të tjerat janë në favorin tonë.Jemi para një momenti historik, ndaj duhet të sillemi si profesionistë të vërtetë. Asnjë nënvlerësim të kundërshtarit, përkundrazi, duhet të hyjmë në fushën e lojës sikur gjithçka nis nga zero”, – tha Josa.