ÇANI: “NDAJ SLLOVENISË, TË SHMANGIM GABIMET ME ISLANDËN”

493
Sigal

Edgar Çani është golashënuesi më i mirë i Kombëtares në eliminatoret e këtij edicioni. Sulmuesi i Polonia Varshavës ka shënuar dy gola në tri ndeshje, pikërisht në fitoren 3-1 kundër Qipros dhe humbjen 2-1 me Islandën. Dy golat e tjerë mbajnë firmat e Armando Sadikut dhe Erjon Bogdanit. Edgar Çani tha se, gjyqtari finlandez i mohoi një penallti kundër Islandës. Çani në shtatë ndeshje ka shënuar tre gola, aq sa kanë shënuar Zihni Gjinali, Mehdin Zhega, Muhedin Targaj, Bedri Omuri, Altin Lala, Altin Haxhi dhe Florjan Myrtaj.

– Çani, shënuat një gol që nuk e ndihmoi ekipin të marrë pikë ndaj Islandës. Tani që jeni me i ftohtë si do ta gjykoni?

– Jam shumë i hidhëruar, sepse kur shënon është gjithmonë bukur, por kur goli nuk vlen, nuk merr pikë, nuk ndjehesh mirë. Tashmë duhet të mendojmë për ndeshjen me Slloveninë dhe të luajmë fort.

– Humbja me Islandën duhet lënë pas, pasi të martën na pret Sllovenia. Si e parashikoni takimin?

– Ne nuk mendojmë për fjalët, ne futemi në fushë për të dhënë maksimumin tonë. Duhet të mendojmë të luajmë më mirë ndaj Sllovenisë dhe të mos bëjmë gabime siç bëmë kundër Islandës dhe të shpresojmë të marrim tre pikët.

– A ndikoi gjendja e rrënduar e terrenit në lojën e skuadrës?

– Fusha nuk ishte e mirë edhe në fillim, por duhet thënë se na dëmtoi shumë. Ne luajtëm mirë edhe me atë fushë, që ndoshta ishte një nga arsyet e humbjes sonë, megjithatë tashmë duhet të shohim përpara.

–  Pretenduat për një penallti. Cili është mendimi juaj, kur tani besoj se e keni riparë ndeshjen?

– Për mua ishte 11-metërsh, sepse isha përpara kundërshtarit në momentin që më pengoi, por nuk duhet të vazhdoj të mendoj më përse nuk e dha gjyqtari penallti. Edhe gjyqtari është njeri, mund të gabojë edhe ai, ndaj ne duhet të shohim lojën tonë.

– Për herë të parë luajtët me Sadikun si partner në sulm. A besoni se funksionoi?

– Ishte e para herë që luajta me Sadikun dhe u ndjeva mirë. Luajtëm mirë në sulm, por edhe me Salihin me Moldavinë zhvilluam një lojë të mirë. Me Bogdanin kam hapur paska vështirësi në ndeshjen me Katarin, sepse ishte e para herë dhe nuk u përshtatëm si duhet, ndoshta edhe për faktin se ishte fundi i sezonit. Për mua nuk është rëndësi se me cilin luaj, por që të japim më të mirën për ekipin kombëtar.

– Sa besoni në kualifikimin për në Botëror?

– Ne duhet të mendojmë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, atëherë mundësitë janë. Si grup është shumë i ekuilibruar, ndaj ne duhet të fitojmë të paktën të gjitha ndeshjet që kemi në shtëpi, më pas të shohim.