Cana thirrje tifozëve kuqezinj: Të bëhemi një trup, përgjegjës për rregullin

421
Teksa na ndan vetëm një ditë nga ndeshja e madhe Shqipëri-Serbi, tashmë gjithçka është gati. Përfaqësuesja jonë është grumbulluar në Tiranë dhe po vijon stërvitjen. Të gjithë sytë e futbolldashësve dhe jo vetëm janë drejtuar tashmë nga kjo ndeshje. Tifozët kuqezi, prej kohësh janë përgatitur për atë që mund të quhet një prej ndeshjeve më të mëdha për vendin tonë. Kjo për shkak edhe të ndeshjes së zhvilluar rreth një vit më parë. Të shumta do të jenë edhe forcat e sigurisë që do të ruajnë mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje. Të gjitha këto përgatitje, bëhen pas ndeshjes së zhvilluar 14 tetorin e vitit të shkuar, në Beograd, që u ndërpre nga incidentet e ndodhura në fushë. Të shumta kanë qenë personalitetet që u kanë bërë thirrje tifozëve për qetësi përgjatë 90 minutave të lojës.

Por këtë herë, edhe kapiteni i Kombëtares shqiptare ka një thirrje për të gjithë sportdashësit. Lorik Cana, në një prononcimin dhënë për “Vip Pages”, u bën edhe njëherë thirrje tifozëve kuqezi të ruajnë qetësinë dhe të fokusohen te futbolli. Sipas Canës, e rëndësishme është që të gjithë të bashkohen për ndeshjen e rëndësishme. “Që të jemi të gjithë ne si shqiptarë pjesë e një ekipi dhe një trupi, një kombi, që ditën e lojës duhet të jemi të gjithë të vëmendshëm, jo vetëm për sjelljen individuale, por dhe të jemi të parët në mbarëvajtjen e rregullit dhe sjelljes korrekte”, – është shprehur Cana, duke këshilluar tifozët që të qëndrojnë gjakftohtë dhe të fokusohen te fusha e blertë. “Qëllimi është ‘Euro 2016′ dhe vetëm ajo ka rëndësi, asgjë tjetër! Atëherë do të jemi të gjithë fitues”, – ka thënë kapiteni i kuqezinjve. Cana beson se gjithçka do të shkojë më së miri mbrëmjen e ditës së enjte, ku edhe njëherë shqiptarët do të tregojnë vlerat e mikpritjes që kanë. Ndërkaq, shumë optimist shprehet edhe për rezultatin, duke theksuar se beson që Shqipëria do të ketë një fitore të madhe, duke bërë një hap para në “Euro 2016″.
Sigal