“Cana, një lider i lindur”

593
Sigal

Italiani: “Bogdani s’plaket kurrë. Ujkani ka rigjetur qetësinë. Cani, një investim i mirë i Katanias”

 Mbrojtësi-mesfushor Lorik Cana është rilindur te Lacio në ndeshjet e fundit, ndërkohë që sulmuesi veteran Erjon Bogdani ka pasur më shumë hapësirë te Siena. Gjatë merkatos dimërore, portieri Samir Ujkani u transferua nga Palermo te Kievo, ndërsa sulmuesi Edgar Çani erdhi te Katania nga Polonia e Varshavës. Por si i vlerëson trajneri Xhani De Biazi lojtarët e tij?

 PËR CANËN

“Jam shumë i kënaqur për Lorik Canën, i cili po gjen më shumë hapësirë te Lacio. Po bëhet një lojtar i rëndësishëm të Lacio. Edhe të dielën, Loriku bëri një ndeshje të nivelit të lartë, dhe, gjëja më e rëndësishme: është një lojtar bivalent, mund të luajë në mesfushë dhe në mbrojtje. Është një futbollist që, mund ta na japë një dorë të mirë ndihmë edhe në Kombëtare në anën taktike. Ai është një lider”.

 PËR BOGDANIN

“Përsa i përket Erjonit, dy javë më parë ai shënoi një gol të bukur dhe rëndësishëm për Sienën, duke i dhënë një fitore të rëndësishme kundër Sampdorias. Të dielën luajti vetëm për nëntë minuta, por skuadra e tij fitoi me Interin dhe mund të thosha se, edhe kjo është një gjë shumë pozitive”.

 PËR UJKANIN

“Ujkani u transferua nga Palermo, ku ishte në nën presion dhe ndodhej në një skuadër që kishte probleme në mbrojtje dhe ku do apo nuk do pëson shumë gola, pasi kundërshtarët të vijnë 100 herë në portë. Shkoi në një ekip si Kievo, një klub shumë serioz dhe ku më pak presion. Ai mund të bëjë mirë. Tani është koha të ambientohet dhe sigurisht do të do të gjejë hapësirën e nevojshme”

 PËR ÇANIN

“Përsa i përket Edgarit, më në fund u mbyll telenovela e tij, për të gjetur më në fund një skuadër. Më bëhet shumë qejfi, që ai u rikthye në Itali, në një skuadër të fuqishme si Katania. Ndoshta, nuk do të ketë shumë hapësirë, por boll që të stërvitesh rregullisht në një skuadër si ajo, për mua është shumë e rendësishme. Katania ka tre lojtarë që, luajnë së bashku qysh nga sezoni i kaluar dhe janë Bergesio, Bariontes dhe Gomez, tre futbollistë me të vërtetë të zotë. Besoj se Çani do të ketë hapësirë gjatë lojës. Fakti, që ai bërë një kontratë deri në vitin 2016, do të thotë se Katania beson tek ai dhe se është një lojtar i rëndësishëm”.

“Jashtëtokësori” Hamdi Salihi;

nga Shtetet e Bashkuara, në Kinë

 Hamdi Salihi ndahet nga Amerika dhe “martohet” me Kinën. Nga Amerika e Veriut në Azi. Edhe pse u fol se, shkodrani do të firmoste për FC Tijanin Teda (trajner është Josip Kuzhe), është klubi tjetër kinez,  nënkampioni Jiangu Saintu F.C. që ka bërë të vetin sulmuesin shkodran. Jiangu Sainty është klubi i qytetit Nanjing (7.2 milionë banorë), dhe është themeluar si klub profesionist në vitin 1994. Trajneri i skuadrës është 58-vjeçari serb Dragan Okuka, i vlerësuar si “trajneri i vitit 2012” në Kinë. Kështu, pas një sezoni (jo në lartësinë e pritshme) të Hamdiut në Shtetet e Bashkura të Amerikës, me D.S. Junaitid, Salihi do të luajë në Kinë. Lajmi u zyrtarizua nga faqja zyrtare e klubit kinez, në rrjetin social “Ëeibo”. Sulmuesi u bashkua dje me skuadrën e tij të re në Turqi. Interesant është fakti se, vitin e kaluar u fol shumë për një transferim të Salihit në Kinë, pikërisht te Changchun Yatai, por sulmuesi shqiptar, asokohe në radhët e Rapidit të Vjenës, firmosi për D.S. Junaitid në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hamdi Salihi ka luajtur gjatë karrierës së tij me Vllazninë dhe Tiranën, në Shqipëri; me Panionosin në Greqi; ndërsa në Austri është aktivizuar me SV Ried dhe Rapidin e Vjenës. Jiangu Saintu është skuadra e tij e shtatë në karrierë.

Në Kinë ka luajtur në vitin 2008, Nevil Dede me Changsha Ginde FC.

 KUPA E SHQIPËRISË/ Korçarët zbërthejnë 5-1 Kastriotin. Ballshiotët fitojën me Teutën

 Skënderbeu dhe Bylisi në gjysmëfinale

 Skënderbeu (nga grupi A) dhe Bylisi (nga grupi B) janë dy skuadrat e para gjysmëfinaliste, pas fitoreve të tyre bindëse, respektivisht 5-1 ndaj Kastriotit në Korçë dhe 3-2 ndaj Teutës në Durrës. Të dyja ekipet regjistruan fitoren e katërt në po aq ndeshjes, dhe tashmë kanë mbetur edhe dy takime. Në grupin A në diskutim janë Kukësi e Kastrioti, me verilindorët me më tepër shanse, ndërsa në Grupin B bileta e vetme e mbetur do të pritet nga Flamurtari ose Laçi, të cilët janë me pikë të barabarta (6).

 Skënderbeu-Kastrioti 5-1

Drejtuesit e kampionëve kishin vendosur që tifozët të futeshin pa bileta në stadium, për të krijuar një atmosferë të ndezur. Dhe skuadra nuk i ka zhgënjyer fansat e saj, madje u ka dhënë kënaqësinë e një fitoreje të thellë 5-1 ndaj Kastriotit, duke festuar në të njëjtën kohë dhe kualifikimin për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Pak para përfundimit të pjesës së parë, pikërisht në minutën e 41-të është Pero Pejiç që kalon vendësit në avantazh. Duket se kaq është dashur që të nisë goleada, teksa në sekondat e para të fraksionit të dytë Sebino Plaku dyfishon shifrat. Krutanët tashmë janë të dorëzuar, duke e kuptuar dhe vetë se nuk mund të marrin një rezultat pozitiv, por korçarët nuk lëshojnë “pe”. Është sërish Plaku që shënon (55’), duke mbyllur gjithçka për sa i përket fitores, por jo rezultatit. Gocaj për miqtë shkurton diferencën e golave, por vetëm kaq, pasi Radas del në skenë me një dopjetë, që vulos fitoren e thellë të Skënderbeut 5-1, por edhe të kualifikimit për në gjysmëfinale.

Teuta-Bylis 2-3

Në “Niko Dovana” u vunë dje përballë dy skuadra që në tri ndeshjet e kaluar kishin arritur rezultate të kundërta, Teuta me tre humbje dhe Bylisi me tre fitore. Por, ka ardhur sërish një tjetër disfatë, që e nxjerr skuadrën e Maganit jashtë Kupe, ndërsa me suksesin e katërt radhazi të besuarit e Naxhi Shansoit sigurojnë kualifikimin për në gjysmëfinale.

Loja ka nisur e fortë, ndërsa në minutën e 13-të Ansi Nika dëmtohet në një dyluftim dhe i lë vendin Deliallisit. Në këtë pjesë loje të dy skuadrat luajnë me kujdes, ndërsa goli vjen vetëm në fund, ku  17- vjeçari nigerian i Bylisit, Peter Oladeji Olayinka, zhbllokon shifrat. Në pjesën e dytë janë sërish mallakastriotët që me anë të Fjodor Xhafës (46’) dyfishojnë shifrat dhe duket se gjithçka përfundon. Por Emiljano Veliaj rihap takimin në të 78’. Tashmë durrsakët hidhen në sulm për golin e barazimit, por është Xhafa që i ndëshkon me golin e tretë (88’). Hyshmeri në minutën e fundit të takimit shënon për 3-2, por nuk ka më kohë dhe ky është rezultati përfundimtar. Bylisi pret biletën për në gjysmëfinale, ndërsa Teuta i thotë lamtumirë Kupës së Shqipërisë.

Kupa e Shqipërisë

Grupi A

Të dielën

Shkumbini-Kukësi     0-2

Dje

Skënderbeu-Kastrioti 5-1

Grupi B

Të shtunën

Laçi-Flamurtari 1-0

Dje

Teuta-Bylis 2-3

Renditja

Grupi A

Skënderbeu 4         12

Kukësi     4         9

Kastrioti  4         3

Shkumbini  4         0

Grupi B

Bylis      4         12

Laçi       4         6

Flamurtari 4         6

Teuta      4         0

Superhetimi, 680 ndeshje të trukuara

 Europoli në një investigim të saj ka zbuluar rreth 380 ndeshje të trukuara. Rob Uejnrait ka dal në përfundimin se dyshohen si të trukuara shumë ndeshje mes të cilave edhe nga Liga e Kampioneve.

Janë identifikuar më shumë se 425 zyrtar klubesh, futbollist me emër në të gjithë botën, të cilët janë përfshirë në trukime në më shumë se 15 vende të botës. Në ndeshjet e trukuara përfshihen edhe ndeshje të kualifikueseve të Kupës së Botës dhe Kampionatit Europian. 300 ndeshje të tjera dyshohen të jenë të trukuar edhe në kontinente të tjera si në Azi, Afrikë dhe në Amerikën Qendrore dhe Jugore, duke i çuar shifrat në rreth 600 ndeshje.

Kreu i Europolit u shpreh se ky hetim është bërë për një periudhë 3 vjeçare nga viti 2008 deri në 2011-ën,  një raport i zi për futbollin në botë. “Ky është hetimi më i madh i bërë ndonjëherë për trukimin e ndeshjeve të futbollit. Ka dhënë rezultate të mëdha që vënë në diskutim integritetin e sportit të futbollit. Ne kemi zbuluar një rrjet të gjerë kriminal. Fokusi ka qenë për në vende të tjera jo në Angli, por jam i habitur me shkallën e krimit të shfaqur”, – tha Uejnrait. Shqipëria ende nuk është në listën zyrtare të kësaj liste, por pak muaj më parë vendi ynë ishte i dyti në Europë për sa i përket trukimeve në futboll. Nuk përjashtohet mundësia që në këtë raport të jenë të përfshira edhe ndeshje nga Superliga apo Kupa e Shqipërisë.

 Foto Lajm

Partizani mbush 67 vjeç

 Ne ditën e 67 vjetorit te themelimit te Klubit, Partizani prezantoi ekipin dhe stafin me të cilët do të përfaqesohet në pjesën e dytë të sezonit.