Bylis dhe Tërbuni, matin forcat me Superligën nëpërmjet Partizanit

44
Dy miqësore për Partizanin, e para që u luajt dje me Bylisin dhe u fitua dhe do të presë në Tiranë Tërbunin. Duke folur mbi takimin e djeshëm, Partizani nuk e pati aspak të vështirë që të fitonte përballë Bylisit, që në një farë mënyre luajti me një kundërshtare të ardhshme, gjithmonë nëse ia del që të fitojë kampionatin, por edhe nëse jo, përsëri e ndjeu “aromën” e Superligës, edhe pse me një humbje 2-0, humbje që dukej e pashmangshme në fakt, duke parë edhe diferencat mes klubeve. Takimi i ardhshëm për Partizanin do të jetë ndaj Tërbunit, skuadrës që deri më tani në të dy grupet ka treguar se do të jetë në Superligë dhe është një ndeshje shumë e mirë prove kjo për pukjanët, por edhe për tiranasit. Falë edhe shkëputjes për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, skuadrat shfrytëzojnë këtë periudhë “pushimi” për të matur forcat me njëra-tjetrën, e ndërsa për Partizanin kjo ndeshje vlen për të ruajtur gjendjen fizike, për dy ekipet e tjera vlen edhe si një mënyrë për të gjetur veten në Superligë pa shkuar mirë akoma, e në këtë linjë mund të matin forcat para se të plotësohet “ëndrra” e tyre.