Bulku: “Jua dimë pikat e dobëta islandezëve”

529
Sigal

Mesfushori “gladiator” i përfaqësueses e ka të qartë misionin e tij në ndeshjen e së premtes

Ervin Bulku njihet në ambientin e Kombëtares me përcaktimin metaforik “mushkëria e ekipit”, por për trajnerin Xhani De Biazi, ai mund ta meritojë edhe epitetin e “gladiatorit, pasi sipas italianit, mesfushorin shkatërrues mund ta rrëzosh në një dyluftim, por ai ringrihet si një luftëtar i madh për të vazhduar dhjetëra beteja të tjera në harkun e 90 minutave të lojës. 31-vjeçari Bulku ka realizuar një gol të mrekullishëm në humbjen 1-2 në miqësoren me Slloveninë, më 9 shkurt 2011, kur në bankinë ishte trajneri Josip Kuzhe. Ervini, i cili në Shqipëri ka luajtur me Tiranën, por dhe me eksperiencë futbollistike në Kroaci, Ukrainë dhe Azerbajxhan, tani luan në Iran me Sepahanin, skuadër më të cilën aktivizohet dhe sulmuesi shkodran Xhevair Sukaj.

– Ervin, përpara ndeshjes ndaj Zvicrës, morali i Kombëtares ishte i lartë, ndërsa pas humbjes, duket se gjërat janë kthyer në normalitet. Si e gjetët atmosferën?

– Besoj se morali është i njëjtë, pasi u mundëm nga kundërshtari më i fortë i grupit, ndërsa kemi fituar me një kundërshtar të drejtpërdrejtë, ndaj them se morali është njësoj.

– Kemi parë që të luani në dyshe, këto ndeshjet e fundit, me Burim Kukelin, ndërsa edhe kur jeni provuar me Lilajn nuk është se keni shkuar keq. Cili mendoni se është partneri juaj ideal në atë pozicion?

– Kjo nuk është një pyetje që mund të më bëni mua, pasi është  trajneri ai që vendos dhe mendoj se ne duhet të jemi të gjithë në dispozicion. Sigurisht, konkurrenca i bën mirë skuadrës, jo vetëm ne, por edhe të gjithë ekipeve të tjera, por e përsëris që s’jam unë ai që duhet të vendosë nëse do të luajë ky, apo ai, dhe kush do të qëndrojë në stol.

– Pas dy ndeshjeve të para të luajtura, ku kemi marrë një fitore dhe një humbje, vjen Islanda. Si e shihni këtë ndeshje, duke marrë parasysh faktin se edhe me Qipron e patëm shumë të vështirë?

– Sigurisht që duhet të jemi të përgatitur për këtë ndeshje dhe mendoj se do të gjendemi gati kur të vijë. Çdo skuadër ka të metat dhe pikat e saj të forta, por kjo është detyra e trajnerit që të gjejë zgjidhjen dhe mendoj se Shqipëria do të zbresë në fushë për të kërkuar fitoren. Këto ditë në stërvitje do të provojmë edhe skema e shumë detaje që mund të na shërbejnë më pas në ndeshje.

– Bulku, lë t’i rikthehemi edhe një herë “argumentit Cana”, për një spostim të tij në mefsushë, nisur nga fakti që Curri mund të kthehet në mbrojtje. A mendoni se është e mundur?

– E përsëris, kësaj pyetje s’jam unë ai që duhet t’i japë përgjigje por trajneri. Sigurisht, konkurrenca na bën mirë dhe shpresoj që Curri të luajë dhe të japë kontributin, tani që ka kaluar dy dëmtime të cilat do të ishin të vështira për çdokënd.

– A ju ka ndihmuar ndopak eksperienca që po provoni në Iran, pasi keni luajtur në shumë kampionate?

– Do të thosha që futbolli jo vetëm në Azi, por edhe Europë, apo gjithë botën, s’ka ndonjë ndryshim të madh. Megjithatë, sigurisht që në Iran luhet një futboll me nivel më të lartë nga aty ku isha një vit më parë. Është më i shpejtë dhe atletik, përveç se ndiqet shumë. Unë përpiqem gjithmonë që të jap më të mirën.

– Ndërkohë, keni Sukajn në skuadër. A ju ka ndihmuar fakti se jeni me një shqiptar në Iran?

– Përfitoj nga rasti të falënderoj edhe njëherë Sukajn, pasi ka thënë fjalët më të mira për mua, që kur emri im nisi të qarkullonte në atë ambient. Sigurisht, të kesh një shqiptar aty është diçka e mirë dhe kjo ka bërë që të mos e ndieja aspak ndryshimin e skuadrës, pasi qëndrojmë bashkë.

____________________________________________________________________________________

ISLANDEZËT: “PO STËRVITEMI NË NJË FUSHË ME PULA DHE QEN TË NGORDHUR”

Kombëtarja e Islandës ndodhet qysh prej ditës së hënë në Tiranë, pra pesë ditë para ndeshjes së të premtes kundër Kombëtares sonë. Kjo për t’u ambientuar edhe me klimën mesdhetare shqiptare, ndryshe nga ajo e akullt që mbizotëron në ishullin verior të Europës. Një ide kjo e trajnerit suedez të Islandës, Lars Lagerbak. Stërvitjet islandezët po i kryejnë në fushën stërvitore të Tiranës, “Skënder Halili”. Dhe pikërisht, një lajm nga këto seanca stërvitore ka bërë bujë në mediat islandeze. Një prej portierëve të Islandës ka shkruar në faqen e tij në rrjetin social në botë, “Facebook”, se aj po kryhet në rrethana të padëgjuara më parë dhe të jashtëzakonshme: “Po stërvitemi në një fushë së bashku me pulat, madje dhe një qen të ngordhur (të paktën ai nuk lëvizte), të cilat vijnë në afërsi të vijës anësore. Ne mund të na duket e çuditshme, por kjo është thuajse normale këtu”, – shkruan portieri 37-vjeçar Gunnleifur Gunnleifson, ky i fundit ka publikuar dhe foto nga stërvitjet në Tiranë.