Bulku bashkohet me Sepahan

72

Pas Xhevahir Sukajt edhe Ervin Bulku ka vendosur ta vijojë karrierën në kampionatin e vendit aziatik

Irani po fiton statusin e “Tokës së Premtuar” për futbollistët shqiptarë. Pas Xhevahir Sukajt një tjetër lojtar i Kombëtares shqiptare ka vendosur ta vijojë karrierën në kampionatin e vendit aziatik. Ai është mesfushori Ervin Bulku, i cili ka nënshkruar kontratë 1-vjeçare, me opsion rinovimin edhe një vit tjetër, me Sepahan, aty ku sulmuesi shkodran Sukaj ka ngulur këmbë prej janarit të 2012. Bulku vendosi të nënshkruante me kampionët e Iranit pas një vitit të shpenzuar në Azerbajxhan me Azalin, ku luajti 22 ndeshje dhe shënoi 3 gola. Oferta e Sepahan e bindi mesfushorin 31- vjeçar të ndërrojë ambient, duke vlerësuar ofertën ekonomike, e cila pavarësisht se nuk bëhet e ditur në shifra, mësohet së është shumë e leverdishme. Skuadra iraniane, e cila, ka fituar 4 tituj kampionë në 10 vjet, 3 prej të cilëve në 3 sezonet e fundit, ofron edhe ambicie sportive për mesfushorin kuqezi. Skuadra kampione e Iranit drejtohet nga trajneri kroat Zllatko Krajncar dhe merr pjesë në Champions Ligën e Azisë. Ervin Bulku ka ndërruar 5 skuadra gjatë karrierës së tij. Pasi u bë i njohur me bluzën e Tiranës, në vitin 2007 u transferua në Ukrainë te Krivbas, ku luajti për tri sezone, për të kaluar më pas në Kroaci tek Hajduku u Splitit. Pas eksperiencës së shkurtër në Ballkan, tiranasi u angazhua një vit me Azalin, për të nënshkruar së fundmi me Sepahan.

Ekipi kampion

Ndërkohë ekipi kampion i Shqipërisë Skëndërbue vazhdon përgatitëjet për ndeshjen e kthimit me Debrecenin në Hungari. Ndrësa trajneri i skuadrës korçare, çeku Stanislav Levi, e ka këtë ndjesi dhe është i bindur se djemtë e tij mundet edhe ta eliminojnë kampionen e Hungarisë, Debrecen, në ndeshjen e dytë që luhet të martën jashtë fushe. Fitorja 1-0 në Korçë dhe loja e zhvilluar japin shpresë për kalimin e turit të dytë në Champions. “Siç e kam thënë që në fillim, kjo betejë ka dy ndeshje. Mund të them se ndeshjen e parë e kemi realizuar shumë mirë, ndërsa tani na pret një ndeshje e dytë, një ndeshje e vështirë, por do të bëjmë ç’është e mundur për kualifikim dhe nëse do të jemi në atë nivel që treguam në Korçë, do të jetë më e lehtë për të arritur objektivat. Para ndeshjes së parë të gjithë thoshin se favorit ishte Debreceni, edhe tani thonë se favorit mbetet Debreceni, por ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë”- është shprehur Levi. Debreceni vërtet mbetet favorit, veçse Skënderbeu mund të thuhet pa frikë se ka mundur të realizojë gjithçka të mundshme në 2 vjet e gjysmë që punohet në këtë projekt në Korçë. Me pak kujdes, e ardhmja do të jetë edhe më e mirë.

 Zeman, Roma për titull

Ndërsa verdhekuqtë vazhdojnë turin përgatitor në Amerikë, ka optimizëm te Zdenek Zeman përsa i përket sezonit të ri. Në daljen para gazetarëve, trajneri i Romës tha se lojtarët po “vuajnë” me seancat e dyfishta stërvitore, por sipas tij në sport ka edhe vuajtje. Zeman deklaroi se skuadra nuk është keq me numrin e lojtarëve, por ajo që ka më shumë rëndësi është cilësia dhe jo sasia. Për trajnerin, Roma ka shanse dhe mundet që të fitojë titullin kampion në Serinë A.

 Dëshira e Iniestas për “Topin e Artë”

Lojtari i Barcelonës, Andres Iniesta shpreson që “Topin e Artë” ta fitojë një lojtar i kombëtares spanjolle, pas triumfit në Euro 2012. Edhe pse Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi shikohen si favoritë, kandidatë potencial për çmimin prestigjioz janë edhe Xavi, Iniesta dhe Casillas. Iniesta deklaroi se pavarësisht dëshirës së tij, duhet pritur për votimin për të parë se çfarë do të ndodhë. Mesfushori foli edhe për ekipin kombëtar, duke thënë se ka bërë histori, është legjendar dhe u ka dhënë lumturi spanjollëve.

 Coutinho: Trofeun TIM ia dedikoj Stramaçionit

Interi triumfoi për herë të tretë radhazi në trofeun TIM, duke mundur në fillim Juventusin 1-0 dhe më pas Milanin 2-1 në Bari. Këtë sukses i riu Philippe Coutinho ia dedikoi trajnerit të zikaltërve, Andrea Stramaçioni. Braziliani, pasi kaloi një sezon i huazuar nga Espanyol, u shpreh optimist për të ardhmen e tij te Interi. “Gjërat po shkojnë mirë, falë besimit të Stramaçionit. Ishim të vendosur mirë në fushë dhe ia dolëm të fitojmë me Juven e Milanin”, tha Coutinho. Në lidhje me merkaton, ai u shpreh optimist se te Interi do të shkojë braziliani tjetër Lucas Moura nga Sao Paulo, por theksoi se këto lloj vendimesh i takojnë klubit

 Argjentinë, Camoranesi tek Racing

Mesfushori, Mauro Camoranesi, 35 vjeç, është shitur nga klubi i Lanus drejt Racing në kampionatin argjentinas të futbollit.  Lajmi është bërë zyrtar nga klubi i tij i mëparshëm. Ekipi, megjithatë, nuk bëri të ditura kushtet e këtij operacioni.  Camoranesi mes të tjerave është Kampion Bote me ekipin kombëtar italian në Berlin 2006.  Ai luajti në Itali për Veronën dhe Juventusin, ndërsa më pas kaloi në Bundesligë, për të veshur fanellën e Stuttgartit.  Camoranesi do të debutojë me ekipin e tij të ri turneun Apertura, në datën 3 gusht.

 Kombëtaret Olimpike, Brazili mund Britaninë

Ekipi olimpik i futbollit të Brazilit nuk hasi asnjë problem në fitoren ndaj Britanisë së Madhe të cilën e mundi në një miqësore të zhvilluar në Middlesbrough me rezulatin 2-0. Skuadra e trajnerit Menezes u shfaq dukshëm më lart, ndërsa shënoi me anë të Sandro dhe Neymar nga pika e 11-metërshit, të fituar nga një faull në zonë ndaj Hulk. Për Brazilin, Pato ka hyrë në minutat finale, ndërsa e shkëlqyer ka qenë prova e ish-milanistit Tiago Silva, që luajti që nga fillimi.  Në radhët e Britanisë të pasuksesshme kanë rezultuar tentativat e përforcimeve të Giggs, Bellamy dhe Richards.

 Londër 2012, edhe Ban Ki Moon mbajtës i pishtarit

Një emër me peshë që do të mbajë për disa minuta pishtarin olimpik përpara ceremonisë hapëse do të jetë edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon. Ndërkohë, pishtari me flakën e nisur nga Olimpi po kalon dorë më dorë nëpër rrugët e qyteteve angleze, deri të premten kur do t’i japë jetë eventit më të madh sportiv të planetit. Gjatë ceremonisë hapëse të Lojrave Olimpike Londër 2012, 100 persona do të bëhen milionerë. Në eventin që starton më 27 Korrik, 100 pjesmarrës në lotarinë kombëtare angleze, do të shpërblehen me një çmim prej 1 milionë Stërlinash secili. “Të bësh 100 njerëz milionerë është një rekord më vete”, deklaroi një nga përfaqësuesit e lotarisë angleze. Nga viti 1994 e deri në ditët e sotme, 2800 pjesëmarrës në këtë lotari kanë mundur të fitojnë një shumë të tillë.

 Tragjedi në Rally di Luça, digjen dy pilotë

Piloti dhe shoqëruesja e një makine rally, Valerio Catelani, 37 vjeç dhe Daniela Bertoneri, 34 vjeç, të lidhur edhe në jetën private, ndërruan jetë të karbonizuar në makinën e tyre, e cila mori flakë menjëherë pas daljes nga rruga në Rally Coppa Citta di Luça, në Itali. Makina Peugeot 207 S2000, humbi kontrollin pranë zonës Brancoli, 3.5 km pas provave speciale. Menjëherë pas ngjarjes tragjike, organizatorët pezulluan garimin. Catelani dhe Bertoneri nuk ishin pilotë profesionistë, por kishin pasion për rally dhe garonin prej kohësh.