Bujar QESJA/ Mimoza Cup në not, Teuta merr pjesë në garat e Hercegnovit

678
Sigal

Ndonëse në ditët e acarta të muajit shkurt, temperaturat e përgatitjeve të ekipeve të Teutës janë më të larta se kurrë. Në pishinën komode në sheshin pranë të famshmes Vollga, deri në orët e vona të ditës uji pluskon dhe shkumëzohet pafund nga krahët dhe këmbët e fuqishme të notarëve. Kryetrajneri i ekipeve të Teutës, një emër i njohur i sporteve, Gjergj Ngresi, nuk merr frymë nga ngarkesat në stërvitje. Janë garat e para të vitit 2015, madje edhe në nivele ndërkombëtare. Gjergji është njeri serioz dhe tejet i rregullt dhe korrekt me detyrat. Aq më shumë kur para tij, drejtonte emri tejet i njohur i notit durrsak, trajneri legjendar i djemve të detit, i ndarë nga jeta me 13 dhjetor 2014 në moshën 75 vjeçare, Agron Ismailati. Mimoza Cup, është një veprimtari e hershme ndërkombëtare dhe nga i ndjeri Agron Ismailati kam dëgjuar të fliste me shumë entuziazëm për prezantimin cilësor të notarëve durrsakë.

-Këtë traditë jo vetëm nuk do ta cenojmë, shprehet Gjergj Ngresi, por do ta pasurojmë më të tej. Kemi arsye të gjykojmë kështu, pasi pjesa më e madhe e notarëve tanë, megjithëse në një moshë shumë të re kanë krijuar përvojë dhe pse jo edhe reputacion. Garat e shkurtit, ndonëse nuk përbëjnë optimalen e kurbës së rritjes së punës tonë, Teuta nuk ka ndërmend të heqë dorë nga objektivat e saj të avancuara. Të premten e 13 shkurtit nisen drejt Hercegnovit (Mali i Zi) 21 notarë të Teutës, shoqëruar edhe nga prindër, njerëz të medias dhe deri tek zyrtari më i lartë i klubit shumësportesh “Teuta”, Kreshnik Leka. Në një nga ditët e fundi të shkurtit, kemi qëndruar thuajse një pasdite të tërë në pushin. Stërvitjet fillonin në orën 16.30 e përfundonin në 23.00. Shumë dëshirë për punën, pasion e vullnet të jashtëzakonshëm. Por mbi të gjitha shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim të notarëve njëri me tjetrin. Përsëri Gjergj Ngresi shprehet:-Vërtet këto djem e vajza janë privuar disi nga koha e tyre e lirë, pasi koha e të marrjes me not ia ka zënë plotësisht atë. Krahas forcimit të fizikut dhe muskujve, krijimit të asaj që thuhet bukuria trupore, por këta notarë tashmë janë përqendruar edhe në ndryshimin e shifrave të notimit. Të gjithë janë përgatitur që në aktivitetin ndërkombëtarë të Hercegnovit, të përmirësojnë kohët e tyre, madje disa prej të cilëve të kthehen në Durrës me rekorde të reja kombëtare. Kjo vërtet do të jetë kënaqësi e madhe për ne, por edhe shpërblimi më i mirë i punës së kryer.
Shtabi teknik që drejtohet nga Gjergj Ngresi, ka në përbërje edhe dy emra të tjerë të njohur dhe që po krijojnë reputacionin e nevojshëm. Ata janë Shpëtim Damini dhe më i riu Jurgen Fici, të cilat kamë krijuar bashkëpunim të frytshëm njëri me tjetrin. Që të dy në kohët kur kanë notuar, kanë fiksuar kohë dhe rezultate inkurajuese. Teuta udhëton në drejtim të Hercegnovit, me një ekip të plotë me pjesëmarrjen e 21 notarëve, prej të cilëve 16 djem dhe 5 vajza. Noti është nga sportet prioritare në klubin shumësportesh Teuta dhe rrok drejtpërdrejtë interesimin e kryebashkiakut Vangjush Dako. Madje, duke iu referuar edhe një pohimi të presidentit të Federatës Shqiptare të Notit Agim Çiraku, fondi financiar i planifikuar për notin e Teutës është shumë më i lartë nga granti që jep ministria e linjës për FSHN-në. Dhe nëse Teuta është duke menduar suksesin e radhës në garat e Hercegnovit, krahas vullnetit dhe përkushtimit të notarëve, është edhe mbështetja financiare.
Notarët
Teuta përfaqësohet në Hercegnov me pjesëmarrjen më masive. Mimoza Cup është një veprimtari ndërballkanike, pasi përveç shteteve të Ballkanit si Shqipëria, Bullgaria, Rumania, Turqia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Greqia dhe Kroacia, marrin pjesë edhe notarë nga Hungaria, Sllovenia, Italia etj. Parë kështu, aktiviteti është autoritar dhe me një angazhim tejet të përqendruar. Notarët meshkuj janë: Dhimitër Noçka, Enea Zhupaj, Joan Ceka, Egi Gajo, Luka Gogo, Aleksandër Ngresi, Frenc Bërdaku, Ron Mujali, Spiro Goga, Kristi Hyka, Kledi Kadiu, Ralf Qirjako, Luka Sulejmani, Nikola Laçi, Dalvi Elezi dhe Enea Gjoka. Pesë vajzat e arta të Teutës janë: turkja Burcu Ergil, Liza Dhimgjini, Fabiola Gjoka, Nargi Golashi dhe Ester Gjoka. Këta 21 notarë dhe notare, do të evidentojnë cilësitë e tyre në 80 gara notimi. Ekipi i djemve është në një mesatare moshe 14.6 vjeç, ku më i “vjetri” është 19-të
vjeçari Dhimitër Noçka dhe më i riu 9 vjeçari Enea Gjoka. Ndërsa pesë vajzat konkurruese, e kanë fiksuar mesataren e moshës në shifrën 13.6. Dhe të 21protogonistët e pishinës durrsake, mesatarizojnë moshën e tyre në 14.1 vjeç. Të dhënat janë jashtëzakonisht favorizuese dhe e mbajnë Teutën edhe për shumë vite në parametra optimale. Por Gjergj Ngresi, pohon me shumë seriozitet se dy ditët e Hercegnovit (14-15 shkurt), nuk kanë për të qenë ekskursion për notarët e Teutës. Ashtu sikundër, shprehet ai, është punuar me shumë seriozitet gjatë tërë kësaj kohe, ashtu mbetet edhe konkurrimi. Dihet që noti ballkanik është shumë i avancuar dhe kjo po preket tash së fundi edhe në Shqipëri dhe konkretisht edhe në Durrës. Investimet janë të mëdha nga vetë prindërit. Vërtet klubi financon jo pak, por shumë më e madhe mbetet edhe më tej angazhimi financiar i prindërve. Kështu mund të thuhet për pasionantin Genti Golashi, përfaqësues i familjes së njohur sportive Golashi, ku e bija Nargi është në një perspektivë të prekshme. Kështu ndodh edhe me prindërit Edmond Berdakun, Barush Mujalin, Artan Kadiun, Irakli Qirjakon, Thanas Gajon, Arjan Laçin,  Dashamir Gjokën etj., që duket sikur kanë krijuar një këshill “trajnerësh” më vete. Është ky bashkëpunim i frytshëm klub, trajner, notarë dhe prindër, që po krijon atë lidhje të nevojshme që reflekton në ecurinë inkurajuese të notimit, si në stërvitje ashtu edhe në gara. Dhe mendohet që shumica prej tyre, pritet të jenë të pranishëm në garat e Hercegnovit. Priten surpriza nga të vegjlit e rritur të Teutës. Kështu mund të ndodhë me talentin e padiskutuar të notit Aleksandër Ngresi. Ngresi i ri, që është i biri i Gjergjit, ishte pjesëmarrës në kampionatin botëror zhvilluar në fillim të dhjetorit në Doha të Katarit. Ai shënoi dy rekorde unike që ndoshta pa dashje janë anashkaluar. Aleksandri ynë ishte në Doha notari më i ri kampionatit botëror (14 vjeç) dhe i pari notar i Teutës që përfaqëson klubin e tij në një eveniment të këtij rangu. “Konkurroj në Hercegnovi, pohon rekordmeni i 12 rekordeve kombëtare për moshën 13-14 vjeç Aleksandër Ngresi, në garat 50, 100, 200 dhe 400 metra stil i lirë, si dhe në 50 e 100 metra shpinë. Kam besim se në këto gjashtë gara do të dhuroj rekorde kombëtare dhe shpresoj të shpallem notari më i mirë për moshën”. Arritje pritet nga të gjithë notarët, duke provokuar një nga paraqitjet më spektakolare të notit durrsak. Një talent më vetë është edhe 12 vjeçarja Nargi Golashi, që pritet të notojë në 50, 100, 200 dhe 400 metra stil i lirë. Golashi është pasardhëse e denjë e emrave më të njohur të krolisteve durrsake si motrat Bekridheli, motrat Mullaliu, Gentjana Bleta, Tatjana Sheshmini etj. Në Durrës po kryhet, pa e tepruar, një revolucion në not, ku edhe veteranë të thekuar, 80 e ca vjeçarët si Mirban Kadiu dhe Koçi Afezolli janë pranë kësaj pune të përmasave të parrokura më parë. Kjo ka tërhequr edhe vëmendjen e kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili në një takim zhvilluar dje me një grup që merren me Teutën e notit, premton për angazhime dhe investime të reja të kësaj bashkie, veçanërisht në infrastrukturën sportive siç është pishina e notit, pika më e ndjeshme e durrsakëve.
Në Durrës vazhdon të punohet fort për notin, por tani për tani për Mimoza Cup. Kur Teuta të rrugëtojë të premten drejt Malit të Zi, pranë saj do të jetë edhe specialisti i njohur i notit italian Eros Pavon. Ai ndjek me vëmendje ecurinë e çdo notari dhe është në rolin e konsulentit teknik në ekip. Pavon është shumë optimist për këtë Teutë, ku paraqitja e shumë notarëve të saj është bashkëkohore dhe e barasvlefshme me arritjet e notit italian të moshës. Kërkohet një përfaqësim cilësor, me përmirësime të rekordeve kombëtare. Punë sistematike, disiplinë, organizim dhe cilësi. Kjo është moto që udhëheq, angazhimin e stafit teknik të Teutës së notit të drejtuar nga Gjergj Ngresi, të mbështetur fuqishëm nga Bashkia e qytetit dhe kryetari i saj Vangjush Dako. I urojmë Teutës dhe notarëve të saj suksese dhe dalshin faqebardhë në garat e Hercegnovit, në kuadrin e aktivitetit të përvitshëm Mimoza Cup.