Buffon arrin marrëveshjen me Paris SG, transferimi në Francë ‘peng’ nga UEFA

675
Sigal

Gianluiggi Buffon duket se e ka bërë zgjedhjen e tij, ai nuk do të heqë dorë nga futbolli i luajtur pavarësisht se është 40-vjeç. Italiani i cili mbylli një periudhë të suksesshme prej 17 sezonesh te Juventusi do të transferohet në Francë, te ekipi i Paris SG.

Marrëveshja është arritur prej disa ditësh dhe ajo do të zgjasë për dy vitet e ardhshme, me Buffon që do përfitojë 8 mln euro në sezon.

Edhe pse mes palëve nuk ka më asnjë detaj për t’u negociuar kalimi përfundimtar në Francë do të shtyhet edhe për pak kohë, ndërsa në rastin më të keq edhe mund të mos ndodhë.

“Martesa” rrezikon të mos celebrohet për shkak të UEFA-s, e cila do të vendosë nëse do ta skualifikojë apo jo italianin për reagimin e ashpër që pati ndaj gjyqtarit Oliver, në çerekfinalen që Juventusi luajti kundër Real Madrid.

Nëse bëhet realitet frika më e madhe e Buffon që është një dënim ekzemplar nga ana e UEFA-s atëherë kalimi i tij tek Paris Saint Germain mund të dështojë pasi 40-vjeçari italian po transferohet në Francë me një objektiv të vetëm të provojë sërish për të fituar trofeun e UEFA Champions League, këtë herë me fanellën e PSG pasi me atë të Juves nuk ia doli dot.