Bregu: Nga Partizani prisni surpriza

653
Dashamir Bregu, trajneri i Partizanit në not, teksa analizon të gjitha garat kombëtare të zhvilluara deri më tani, vë re se ka rritje në pjesëmarrje dhe cilësi. Por sipas tij, noti nuk ka nevojë të niset nga idetë e fitimit si kolektiv, por nga individët. Që do të thotë se nuk mund të konkurrohet me logon “shumë e përlum” sa për të marrë pikët, por duhet të ketë norma kualifikimi pjesëmarrjeje. Sa për notarët e vet, Allarajn dhe Veli, Bregu deklaron se krahasimet bëhen me rezultatet ndërkombëtare të para në internet. Premton surpriza nga Partizani në garat e ardhshme, ndërsa vlerëson si notarë cilësorë Franc Aleksin dhe Binald Mahmutin. Por si më të denjin për të përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatin Botëror të Kazanit, Bregu sheh Sidni Hoxhën. Ja dhe intervista e tij për gazetën “Telegraf”
Kanë përfunduar dy garat e para kombëtare, kampionati i fëmijëve dhe ai i të rriturve dhe të rinjve, si do të mund të konsiderohen?
Për nga pjesëmarrja dhe cilësia e paraqitur në pishinë duhen konsideruar të mira. Megjithatë duke e ditur që noti është një sport individual dhe jo kolektiv jo çdo arritje mund të quhet pozitive nëse ‘Te Stela’, apo Tirana dolën kampione. E kam fjalën se nuk mund të bëhet not me idenë që po fus notarë në pishinë në çdo garë sa për të marrë pikë. Sepse është njësoj si të marrësh nga rruga e ta fusësh në pishinë. Përkundrazi duhet të ketë norma kualifikimi, në mënyrë që të marrin pjesë më të mirët dhe kampionati të ketë shumë më tepër arritje. Pati rekorde, por kuptohet që kemi ende shumë për të bërë.
Jeni përfaqësuar me Allarajn dhe Velin, si janë rezultatet e tyre në krahasim me të tjerët që dolën në këtë kampionat?
Duhet të kuptoni diçka, rezultatet e këtyre notarëve unë nuk i krahasoj me këto këtu. Duke qenë gjithnjë i azhornuar me internetin dhe duke parë rezultatet që arrihen në arenën ndërkombëtare, atëherë unë bëj krahasimet e mia. Sepse kërkoj më të mirën nga notarët e mi. Mos harroni Ledia Allaraj është vetëm 12 vjeç dhe thuajse në të njëjtën moshë me të është dhe Ergi Veli. E të dy arrijnë të fitojmë me të mëdhenj në moshë. Dhe kjo për mua është një plus.
Para kampionatit të fëmijëve dhe të rriturve keni qenë pjesëmarrës në aktivitetin e Malit të Zi, quajtur ndryshe “Mimoza Kup 2014”. Si ishin rezultatet e notarëve tuaj në krahasim me atë aktivitet?
Sigurisht që ka rritje. Nëse Veli në 100 metra shpinë ishte në Tivar 1’15, këtu ishte i pari me 1’13”31. Dhe kjo nuk është pak, e theksoj dhe një herë. Po kështu dhe Allaraj ka pasur rritje në rezultate dhe kështu do të vazhdojmë dhe në aktivitetet në vazhdim. Janë gjithnjë notarë që rrisin cilësinë e tyre dhe që do të ecin gjithmonë e më shumë përpara.
Por Partizani vetëm me këta notarë mbahet?
Absolutisht jo. Ne kemi dhe me moshë më të vogël se Allaraj, apo dhe Veli. Por duhet të prisni, sepse në garat kombëtare që janë në korrik në pishinën e hapur nga Partizani do të ketë dhe surpriza. Dhe për këtë duhet të jeni të sigurt.
Ka një pauzë shumë të gjatë deri në kampionatin e fëmijëve më 2-3 korrik, si do t’i mbani në aktivitet notarët tuaj?
E vërtetë kjo. Në Ballkaniadën që bëhet në Rumani nuk kemi mundësi të marrim pjesë. Kishim parashikuar që të shkonim në Dubrovnik, por për arsyet e mia shëndetësore më 15-23 maj duhet të jem për kontroll në Holandë. Sigurisht që do të gjejmë alternativë tjetër për të parë notarët tanë në gara përpara se të vijnë aktivitetet kombëtare.
Ndërkohë do të notohet dhe në Baku, Tbilisi dhe Kazan. Është fjala për Lojërat Olimpike Europiane, Festivalin Europian Olimpik Rinor, si dhe Botërorin. Çfarë parashikoni?
Nëse doni të dini realitetin, i vetmi që mund të na përfaqësojë denjësisht në Botëror është Sidni Hoxha. Të them të drejtën unë nuk e di se ç’formë ka aktualisht. Por nisur nga ajo që kam parë kur ishim në Lojërat Olimpike në Pekin, apo dhe çfarë ka dhënë dhe në aktivitetet e tjera ndërkombëtare, mendoj se na përfaqëson denjësisht. Në Amerikë kemi dhe Klavio Meçen që përsëri nuk e di se në ç’formë është. Kurse përsa i përket të tjerëve këtu, më duhet të them që Franc Aleksi dhe Binald Mahmuti, me rezultatet që kanë dhënë dhe çfarë kanë përfaqësuar aktualisht, janë notarë shumë cilësorë. Duhet të ishte dhe Anxhela Kashari, të cilën tashmë dihet se si përfundoi. Por besoj në një përfaqësim dinjitoz të të gjithë atyre që do të përfaqësojnë Shqipërinë.
Së fundmi, si e shihni të ardhmen e notit shqiptar?
Ka një punë kolosale nga trajnerët dhe një numër të madh notarësh, të cilët tashmë kanë nevojë për më shumë përkrahje, sepse janë në gjendje të japin më të mirën e tyre.

****
Makedoniki Selanik fiton ”Top Tirana Open” në Taekondo
”Top Tirana Open” në Taekondo është zhvilluar për të dytin vit radhazi në Pallatin e Sportit ”Asllan Rusi”, ndërsa është organizuar nga presidenti i Top Gym Sport, Leo Kapri, i cili njëkohësisht është edhe zëvendëspresident i Federatës Shqiptare të Taekondosë. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë 250 sportistë, të cilët kanë përfaqësuar 8 shtete. Dhe sportistët pjesëmarrës kanë qenë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Bullgari, Greqia, Serbia, Italia, Zvicra. Në përfundim fituese e këtij aktiviteti është Makedonia e Selanikut, kurse sportistët e dalluar të Shqipërisë kanë qenë përfaqësues të Top Gym Sport, Tirana, Sun Rai, Elite Sport Akademi.
Tomori dhe Teuta, kampionët e pingpongut
Tomori dhe Teuta janë kampionët e rinj ekipor të pingpongut shqiptar. Aktiviteti është zhvilluar dje në sallën sportive ”Farie Hoti” në Tiranë, ndërsa kanë marrë pjesë 13 ekipe, shtatë meshkuj dhe gjashtë femra. Tomori i Xhorxhi Skufit, i përbërë nga Dorian Tapia, Andi Kola, Albion Kola, Jetin Hoxha, Rolando Karkanjozi, ka lënë nga pas Studentin, Elbasanin, Tiranën, Tomorin B, Burrelin e Vlorës. Ndërkohë për femra Teuta e Musa Tërniqit, që në përbërje ka pasur Alba Xhufin, Liridona Rexhajn dhe Emirjeta Isufin, ka lënë nga pas Elbasanin, Tomorin, Studentin, Partizanin e Burrelin.
Tirana – Flamurtari, finalja e futsallës
Tirana – Flamurtari do të jetë finalja për titull kampion e futbollit të sallës për edicionin 2014-2015. Gjithçka ka ardhur nga përfundimi i gjysmëfinaleve të Play-off, që dje janë luajtur në Pallatin e Sportit ”Tomorr Sinani” të Elbasanit. Flamurtari ka fituar 3-1 me Vllazninë, kurse Tirana ka mundur 4-2 KS Ali Demin. Për Tiranën, pesë herë kampionen e Shqipërisë, është një sfidë më vete, sepse do të ketë përballë në finale kampionen në fuqi, Flamurtarin. Në dy fazat e para, Flamurtari ka fituar në Tiranë 6-3, kurse në Vlorë kanë triumfuar bardheblutë, 5-2. Pa thënë që disa herë janë ndeshur dhe në finalet për titull kampion të edicioneve të kaluara.
Premtimi i Tomas Bah: Medaljen e parë Kosovës do t’ia jap vetë
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bach, zhvilloi një vizitë dyditore në Kosovë në mbështetje të Komitetin Olimpik Kombëtar të Kosovës, që u pranua pak kohë më parë në organizimin më të lartë të olimpizmit botëror. Ai u premtoi kosovarëve që do të vazhdojë t’i mbështesë personalisht dhe institucionalisht për aq kohë sa do të jetë në krye të CIO-s. “Pranimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar tregon se sistemi që kemi ngritur po funksionon, sepse jemi një institucion i pavarur dhe në këtë aspekt, duke lënë mënjanë politikën, kemi avancuar shumë”. Gjermani Bah më pas tha se populli i Kosovës do të jetë krenar kur në Rio 2016 do ta shohë delegacionin kosovar të parakalojë përkrah 204 vendeve të tjera pjesëmarrëse në Olimpiadë. “Sa më të bashkuar që të jeni aq më krenar do ta bëni popullin e Kosovës, që vitin e ardhshëm do ta shohë kombëtaren olimpike të parakalojë përkrah 204 anëtarëve të tjerë të Komitetit Olimpik. Do të jenë miliarda njerëz në të gjithë botën që do t’ju ndjekin nëpërmjet televizorit”. Në fund, 61-vjeçari dha një premtim të veçantë për sportistët kosovarë, pjesëmarrës në Olimpiadë. “Nëse në Lojërat Olimpike, që do të zhvillohen në Rio de Zhaniero, sportistët kosovarë do të fitojnë medalje, unë ju premtoj se do ta dorëzoj personalisht medaljen e parë të vendit tuaj”. Bah shprehu bindjen se sportin kosovar e pret një e ardhme e ndritur dhe në këtë drejtim ka premtuar mbështetje të pakushtëzuar nga ana e KON-it.
Sigal