Sigal

Loja e Lionel Messit, është padyshim një emocion për të gjithë tifozët, si në shkallët e stadiumit, në ekranet televizive, por edhe për vetë futbollistët.

Braziliani, Philippe Coutinho, ka deklaruar se këtë vit synon të fitojë gjithçka dhe nuk ka rëndësi se në cilin pozicion do të luajë.

“Këtë sezon ne shpresojmë të fitojmë gjithçka dhe nuk dua t’ia di se ku luaj, në qendër apo në krah, në mbrojtje ose në sulm, ajo që dua është të luaj. Vetëm për postin e portierit jam i shkurtër”, tha ai.

Sa për trofeun e Champions League këtë sezon, mesfushori shprehet :“Tifozët dhe skuadra dëshiron të ngrejë lart në qiell trofeun, mbrëmja e të martës ishte speciale dhe ndjesia ishte fantastike. Ishte disi e çuditshme për shkak të orarit, por ishte e mirë”, theksoi ai.

Në fund, që nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, braziliani thur elozhe për Lionel Messin, ndërsa shton se goditjet e tij gjithmonë e shijojnë.

“Ai gjuan dhe shënon shumë herë, kështu që ne duhet të shijojmë këtë gjë, ajo që bën ai është fantastike. Është e qartë që Barça lufton gjithmonë për të gjithë titujt dhe ajo që duam ne është të luftojmë që trofeu i Champions League të rikthehet në ‘Camp Nou’. Ndjesia ime ishte unike në debutimin me Barcelonën në kompeticionin më madhështor europian, sepse sezonin e kaluar nuk luajta dot”, përfundoi ai.