Sigal

Kur disa ditë më parë doli lajmi i dëshirës së Leonardo Bonuçit për një rikthim te Juventusi, shumëkush mund të ketë pasur dyshime mbi raportin midis mbrojtësit, Masimiliano Alegrit dhe tifozërisë. Për sa u përket të dytëve, çështja mund të zgjasë disa ndeshje përpara se të zgjidhet, teksa me teknikun mëritë e vjetra janë të harruara.

ÇMIM – Bonuçi e Alegri mund të thuhet se u pajtuan më 23 tetor të vitit të kaluar kur të dy ndodheshin në Londër për çmimet “FIFA”. Atë mbrëmje delegacioni kuqezi, që përbehej nga kapiteni dhe drejtori Mirabeli, takonte homologët juventinë me Alegrin dhe Bufonin në krye. Në dollinë e rastit, Bonuçi ia kishte kushtuar vlerësimin teknikut duke i thënë: “Trajner, meritat e vlerësimit tim janë kryesisht tuajat”, me Alegrin që ishte përgjigjur me buzëqeshje: “Faleminderit, më bëhet qejfi”.
BATUTA- Sjellja e futbollistit u vlerësua tej mase nga trajneri dhe dyshja thuhet të ketë ndalur për të folur veçmas. Me sa duket, ka pasur të tjera sqarime me raportin mes të dyve që niste normalizimin. Mëritë morën zyrtarisht fund në Romë, në prillin e kaluar gjatë një takimi të Ligës së Serisë A mes trajnerëve, kapitenëve dhe drejtuesve të klubeve. Edhe në atë rast batutat dhe humori karakterizuan përballjen mes Alegrit dhe Bonuçit. Pra, ja përse rikthimi i mbrojtësit në Torino nuk do të karakterizohej nga asnjë problem i natyrës taktike. Edhe mes miqsh 31-vjeçari e ka pranuar gabimin në menaxhimin e situatave që sollën largimin nga Juventusi.

SHTYSË- Përveç pendesës, kapiteni kuqezi ka edhe disa arsye të tjera që e shtyjnë të largohet. Pikë së pari, ai raportohet se vuan largësinë nga familja, e cila që prej janarit është transferuar në Torino, me mbrojtësin të detyruar të jetojë në hotel. Gjithashtu, Leo duket shumë i zhgënjyer nga Milani. Ndryshimi i pronarëve kinezë është thjesht pika që mbushi kupën, pasi Bonuçi ka medituar largimin që në fund të sezonit të kaluar.

Dështimi në arritjen e vendit të katërt prodhoi një tjetër sezon pas për Ligën e Kampioneve, e cila ishte vendosur në majën e listës së synimeve kuqezi. Problemet në klub, mungesa e transparencës së kinezëve ishin të tjerë faktorë që lëkundnin besimin e Bonuçit ndaj kauzës kuqezi. Ardhja e “Elliott” nuk e ka qetësuar lojtarin, që dukshëm e ka humbur besimin. Ardhja e Ronaldos, etja për trofe dhe sidomos mosha, e detyrojnë ish-juventinin të rikthehet në orgjinë, por bisedimet nuk janë edhe aq të lehta. Në orët e fundit situata e tij nuk ka pasur asnjë zhvillim të denjë për vëmendje, por Bonuçi i ka idetë e qarta: Do Juven dhe Alegrin.