Bledi Shkëmbi: Në futbollin e Kosovës ka dëshirë për t’u përmirësuar, por Shqipëria është vite para

379
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Nga bankina e skuadrës, Liria në Kosovë dhe nostalgjisë për Skënderbeun, flet për “Telegraf” ish-kapiteni i “Ujqërve të dëborës”
Ish-kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, i cili aktualisht mban postin e trajnerit të Lirisë së Prizrenit, i ka kaluar problemet e fundit me klubin kosovar, ku ditë më parë ai kërkoi dorëheqjen. Por dje për gazetën “Telegraf”, Shkëmbi deklaroi se, gjithçka ishte sqaruar në të mirën e skuadrës, njëherësh foli edhe krahasimisht për futbollin në Shqipëri e në Kosovë. “Kategoria Superiore në Shqipëri, përfshirë trajnerët dhe futbollistët, është disa vite para Vala Superligës. Në Shqipëri ka më shumë profesionalizëm. Gjithsesi, mund të them se këtu në Kosovë ka dëshirë të madhe për t’u përmirësuar”.
Jeni në përvojën e parë si trajner në Kosovë, si janë i keni ruajtur marrëdhëniet me futbollin shqiptar?
Më duhet të them se këtu në Kosovë, luhet futboll i mirë, dhe unë te Liria ndjehem mirë. Renditja në vendet e kreut është e afërt me skuadrat kryesuese, ndaj jemi në garë për gjithçka. Ndërsa me futbollin shqiptar marrëdhëniet janë periodike, të përditshme.

Me Skënderbeun mbani më shumë lidhje apo me gjithë ambientin tuaj shoqëror në Shqipëri?
Me Skënderbeun jam më afër, sepse lidhem me të gjithë çdo ditë. Më pëlqen që është në krye të Kategorisë Superiore, e do të dëshiroja që nga UEFA të vinte një masë, e cila të mos e vrasë futbollin korçar. Në mediat e shkruara dhe ato elektronike “lundroj” çdo ditë në futbollin shqiptar.

Po te skuadra e Lirisë, si është situata pas kërkesës suaj për dorëheqje?
Me ardhjen e kryetarit të ri, shumë njerëz në klub ndryshuan qëndrimin karshi meje dhe disa futbollistëve, kishte edhe pakënaqësi ndaj punës sonë. U kërkova ballafaqim, por më thanë se ishin vetëm pak të mërzitur për shkak të eliminimit nga Kupa, por pjesa tjetër ishte në rregull.

Ky ishte shkaku që ju menduat dorëheqjen nga bankina e kësaj skuadre?
Po, dhe qëndrova vetëm sepse shumë futbollistë më bindën që gjendja do të ndryshonte. 
Të hënën zhvilluam një takim me Kryesinë e Klubit, dhe aty u vendos që të vazhdojmë bashkë, duke i kaluar mosmarrëveshjet. 

Ka pasur ndikim te ju deklarata e një kolegut tuaj në Vala Superligë për trajnerët shqiptarë?
Unë nuk i kam dhënë rëndësi asaj deklarate. Në kampionatin kosovar të futbollit, nga 12 skuadra, 3 janë trajnerë shqiptarë, 9 të tjerët janë kosovarë. Prej tyre, vetëm njëri ka shprehur kundërshti, kështu që nuk është për t’i dhënë rëndësi. Unë, Josa e Magani, kemi ndjerë mbështetjen e kolegëve kosovarë.

E mendoni këtë bankinë te Liria e Kosovës, si një përvojë në karrierën tuaj si trajner?
Kjo përvojë më ka ndihmuar shumë, për të kuptuar më konkretisht rolin e trajnerit në skuadër. Pavarësisht atyre situatave që kaluam javën e kaluar, kjo përvojë është shumë e bukur, por tashmë, vazhdimësinë e mendoj edhe më të mirë.

Kalojmë te Skënderbeu, si e shikoni situatën në 23 javët e luajtura në Kategorinë Superiore?
Mendoj se Skënderbeu është me meritë në kreun e renditjes. Kështu që çështja e Titullit Kampion besoj se ka marrë fund, Skënderbeu është shumë i fortë për të gjitha skuadrat e tjera të Superiores shqiptare, edhe për ato që kërkojnë një vend në zonën e Evropës. 

Diferenca prej 14 pikësh, mundet të sjellë nënvleftësim të garës nga Skënderbeu?
Këtë nuk e mendoj, sepse kemi të bëjmë me një skuadër profesioniste, e cila nuk është aty për veprime amatore. Nëse UEFA do ti vinte një masë që nuk do ta vrasë futbollin korçar, besoj se Skënderbeu do të jetë edhe më lart në nivelin e tij, madje edhe në Evropë.

Sa ndryshim dalloni ju, mes Kategorisë Superiore në Shqipëri, me Vala Superliga në Kosovë?
Ka shumë ndryshim, duke nisur që me stadiumet dhe fushat e stërvitjes. Mendoj se, Kategoria Superiore në Shqipëri, përfshirë trajnerët dhe futbollistët, është disa vite para Vala Superligës. Në Shqipëri ka më shumë profesionalizëm. Gjithsesi, mund të them se këtu në Kosovë ka dëshirë të madhe për t’u përmirësuar. Besoj se shpejt, rivaliteti do të rritet shumë edhe këtu.
Kategoria Superiore në Shqipëri, përfshirë trajnerët dhe futbollistët, është disa vite para Vala Superligës këtu në Kosovë. Në Shqipëri ka më shumë profesionalizëm, por mund të them se këtu në Kosovë ka dëshirë të madhe për t’u përmirësuar 
Trajnerë shqiptarë në Vala Superliga
Mirel Josa Prishtina
Bledi Shkëmbi Liria
Gugash Magani Trepça ‘89

VALA SUPERLIGA
Ndeshjet-Java e 22-të
E shtunë, 10 mars 2018 
Feronikeli-Drenica
Llapi-Liria 
Vëllazënimi-Flamurtari
Trepç ’89-Drita
Gjilani-Vllaznia
Besa-Prishtina

RENDITJA/ JAVA E 21-të
Skuadrat Nd P
1. Prishtina 21 39
2. Drita 21 37
3. Llapi 21 34
4. Liria 21 34
5. Trepça ’89 21 33
6. Drenica 21 33
7. Gjilani 21 32
8. Feronikeli 21 31
9. Vëllazënimi 21 27
10. Flamurtari 21 14
11. Besa 21 14
12. Vllaznia 21 12