Blatter rizgjidhet president i FIFA-s për herë të 5

491
Sepp Blatter është rizgjedhur president i Federatës Botërore të Futbollit, FIFA, pasi rivali i tij, princi i Jordanisë, Ali bin al-Hussein, është tërhequr pas rrethit të parë të votimeve në Cyrih. Blatter, në rrethin e parë, nuk ka siguruar dy të tretat e votave të nevojshme, por princi Ali ka vendosur të mos e sfidojë tutje. Njërit kandidat i janë dashur 140 vota për të fituar në rrethin e parë, por Blatter ka siguruar 133, ndërsa Princi Ali 73.
Votimi është zhvilluar pak ditë pasi shtatë zyrtarë të FIFA-s janë arrestuar në Cyrih, nën akuzat për korrupsion, të ngritura nga Shtetet e Bashkuara. Prokurorët zviceranë kanë hapur po ashtu hetime për mitmarrje dhe shpëlarje parash, të cilat lidhen me ofertat për organizimin e Kupës së Botës më 2018 në Rusi dhe më 2022 në Katar.Blatter, 79 vjeç, është përballur me thirrje për dorëheqje. 
Kryeministri i Britanisë, David Cameron, ka thënë të premten në Berlin se Blatter duhet të largohet “sa më parë, aq më mirë”. Kreu i Federatës Evropiane të Futbollit, UEFA, Michel Platini, po ashtu i ka kërkuar Blatterit që të ikë. Ndryshime në udhëheqjen e FIFA-s kanë kërkuar edhe sponsorët kryesorë të Federatës, si Adidas, Coca-Cola, Visa dhe McDonald’s. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ndërkaq, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për përzierje në punët e FIFA-s.
Duke komentuar skandalin për korrupsion, sfiduesi i Blatterit, princi Ali ka thënë se FIFA ka nevojë për një lidership që “pranon përgjegjësinë për veprimet e saj, nuk e kalon fajin te dikush tjetër dhe rikthen besimin te qindra miliona tifozë të futbollit në gjithë botën”. Por, Blatter ka gëzuar mbështetjen e Azisë, dy Amerikave dhe Afrikës në zgjedhje, ndërsa princi Ali atë të Evropës. Ky është mandati i pestë i Blatterit.
Sigal