Bind Shqipëria “eksperimentale”, tani na duhet fitorja në Slloveni

495
Sigal

SHQIPËRI-ARMENI 2-0/ Valdet realizon me mjeshtëri, Kaçe e zbukuron fitoren me një kryevepër nga distanca

Shqipëria fitoi me rezultatin e pastër 2-0 me Armeninë, duke arritur suksesin e parë në tri ndeshje me ekipin nga ish-Bashkimi Sovjetik. Golat mbajnë firmat e Valdet Ramës (21’) dhe Ergys Kaçes (67’). Një tjetër sukses i Kombëtares sonë që, konfirmoi formën e mirë të saj, pavarësisht se trajneri De Biazi pati një formacion eksperimental, ku u provuan disa lojtarë të rinj dhe rikthyer. Kuqezinjtë e udhëhequr nga kapiteni Lorik Cana nuk e njohin humbjen prej gjashtë ndeshjesh, tri prej tyre zyrtare, teksa pritet që suksesi ndaj armenëve të reflektohet pozitivisht edhe në renditjen botërore të FIFA-s, për muajin shtator përpara se Shqipëria të luajë kundër Sllovenisë (në Lubjana) dhe Islandës (në Rejkavik), për eliminatoret e Botërorit. Një ndeshje e interpretuar shumë mirë nga lojtarët tanë, por dhe meritë e trajnerit Xhani De Biazi, me këtë të fundit që është në pritje të nënshkrimit të kontratës së dytë me Federatën Shqiptare të Futbollit. Ndeshja nisi e vrullshme për të dyja skuadrat, që duan të ndërmarrin iniciativën dhe t’i imponohen njëra-tjetrës. Kuqezinjtë tanë, të ndihmuar edhe nga një numër jo i shumtë tifozësh në shkallët e stadiumit, e hedhin vështrimin më dendur drejt prapavijës armene, sidomos me daljet në krahë të Ramës në të djathtë dhe Roshit në të majtë. Të dy këta lojtarë janë mjaft të shpejtë e teknikë në zotërimin e topit dhe driblim, ndaj fillojnë ta zhbalancojnë mbrojtjen kundërshtare. Tepër të lëvizshëm janë edhe dy sulmuesit, Kapllani dhe Januzaj, me këtë të fundit që tërhiqet deri në mesfushë për ta marrë topin. Një digë e pakalueshme në mesfushë paraqitet dyshja Basha-Abrashi, teksa lojtari i Torinos bën edhe rolin e dirigjentit, duke i shpërndarë topat në të dyja anët e ofensivës kuqezi. Abrashi e asiston më së shumti në detyrat ofensive, duke mbushur çdolloj boshllëku që mund të krijohet nga pasimet e shumta dhe loja me shumë stacione e Armenisë. Aktivë janë edhe dy mbrojtësit e krahut, Dallku dhe Agolli, që në mënyrë persistente shfaqen në këndore, prej nga krosojnë topa në gjysmëlartësi dhe tokazi për sulmuesit. Cana dhe Teli nuk kanë shumë punë në qendër të mbrojtjes, edhe pse në tri-katër raste për këtë pjesë loje është dashur ndërhyrja përcaktuese e portierit Berisha, në një ditë të shkëlqyer, për ta mbajtur të paprekur kuadratin e vet.

Në tërë këtë “fotografi” të pjesës së parë të ndeshjes, ku fituese doli kombëtarja jonë, ndërkohë që rastet e volitshme për shënim nuk i munguan asnjërës palë, diferencën e bëri Valdet Rama në minutën e 21-të. Autori i golit ndaj Norvegjisë, në kualifikuesen e fundit, veproi sërish me zgjuarsi në të majtë të ofensivës kuqezi, duke goditur rreptë në pozicion të prirët. I ndihmuar edhe nga devijimi i një mbrojtësi, topi pushoi në rrjetën e portës armene. 1-0 dhe Shqipëria çlirohet më shumë psikologjikisht, bëhet më autoritare në zotërimin dhe qarkullimin e topit, ndërkohë që Armenia reagon në mënyrë graduale, por iu afrua golit në dy-tre mundësi. Ishte Berisha, ai u mohoi disa herë golin miqve nga Armenia. Pjesa e dytë ishte e tëra për trajnerin Xhani De Biazi, i cili shfrytëzoi të gjitha ndërrimet e mundshme: Mërgim Mavraj, Andi Lila, Jurgen Gjasula, Vullnet Basha, Ergys Kaçe dhe Shkëlzen Gashi. Pjesa e dytë kishte të njëjtin profil sulmues si, duke ushtruar presion në portën kundërshtare. Pas shumë rastesh të pashfrytëzuara, do të vinte minuta e 67-të, kur Ergys Kaçe, i futur vetëm 60 sekonda më parë dyfishoi shifrat me një kryevepër, pas një gjuajtje të zgjuar nga distanca. Goli i parë i mesfushorit të PAOK-ut me Kombëtaren shqiptare që, u kështu lojtari i 82-të që ka shënuar me Shqipërinë. De Biazi fitoi ndeshjen e radhës, ndërsa tani na presin Sllovenia dhe Islanda, në dy ndeshje kyçe për të realizuar ëndrrën e madh të finaleve të Botërorit të Brazilit.

  MIQËSORE

Shqipëri-Armeni 2-0

Golat: Rama 21’, Kaçe 67’

 Golat

1-0: Rama 21’

Valdet Rama goditi me zgjuarsi brenda zonës, duke lëshuar një diagonale të fortë dhe mposhtur portierin kundërshar. Goli i i dytë i mesfushorit të Valadolit me fanellën kuqezi.

 2-0: Kaçe 67’

I sapo futur në lojë, mesfushori i PAOK-ut, Ergy Kaçe, realizoi me një kryevepër nga një distancë prej 18 metrash. Për korçarin ky ishte goli i parë i tij me Kombëtaren tonë.

 Tetë miqësoret e De Biazit

 Miqësorja me Armeninë ishte e teta për italianin De Biazi, duke pasur këtë bilanc: 4 fitore (me Katarin, Iranin, Lituaninë dhe Armeninë), dy barazime (me Moldavinë dhe Kamerunin) si dhe dy humbje me (të dyja me Gjeorgjinë).

MIQËSORET E DE BIAZIT

 1) 29.02.2012, Tbilisi

Gjeorgji-Shqipëri    2-1

2) 22.05.2012, Madrid

Katar-Shqipëri       1-2

3) 27.05.2012, Stamboll

Iran-Shqipëri        0-1

4) 15.08.2012, Tiranë

Shqipëri-Moldavi     0-0

5) 14.11.2012, Gjenevë

Kamerun-Shqipëri     0-0

6) 06.02.2013, Tiranë

Shqipëri-Gjeorgji    1-2

7) 26.03.2013

Shqipëri-Lituani     4-1

8) 14.08.2013

Shqipëri-Armeni           2-0

KUNDËRSHTARËT NË BOTËROR

 Finlandë-Slloveni 2-0

Finlanda mundi 2-0 Slloveninë, duke shënuar nga një gol në çdo pjesë loje: Moisander realizoi në minutën e 35-të, ndërsa Hamalainen në të 82’. Me Slloveninë, Shqipëria do të përballet, më 6 shtator për kualifikueset e Botërorit. Për Finlandën luajtën si zëvendësues dy shqiptarët: Përparim Hetemaj dhe Erfan Zeneli.

 Suedi-Norvegji 4-2

Një super Zlatan Ibrahimoviç shkatërroi i vetëm Norvgjinë, në fitoren bindëse 4-2 të Suedisë. Ibra shënoi tre gola në këtë takimi, pikërisht në minutat: 2’, 28’ dhe 57’. Për norvegjezët realizuan Abdealloue me penallti (38’) dhe Johansen (43’). Golin e katërt për Suedinë e realizoi Svenson 75’.

 Zvicër-Brazil 1-0

Zvicra e shqiptarëve mundi 1-0 Brazilin, në miqësoren e luksit për helvetët. Golin e vetëm të takimit e shënoi braziliani Dani Alvesh, por me një autogol në favor të zviceranëve. Zvicra udhëheq grupin tonë eliminator të Botërorit.

Shqipëri-Austri 0-1/ Shpresat nuk fitojnë një ndeshje zyrtare nga 6 shtatori i vitit 2011, kur mundën 4-3 Moldavinë

 Kombëtarja e Gegës e bën bozë, tri humbje në tri ndeshje

 Tri ndeshje, tri humbje. Kjo Kombëtare U-21 nuk bind. Shpresat humbën 1-0 me Austrinë e asaj moshe në Vlorë, duke regjistruar dështimin e tretë rresht në po aq ndeshje, pas atyre me Hungarinë (2-1, në Durrës) dhe Bosnjën (4-1, në Zenica). Shqipëria e vogël ka bërë startin më të keq në këto vitet e fundit, për ndeshjet eliminatore të kampionateve Europiane. Pjesa e parë në “Flamurtar” u mbyll pa gola, ndërsa në minutën e 54-t për Austrinë realizoi zëvendësuesi Robert Zulj i SV Riedit (asist i Marsel Zabicer). Trajneri Gega hodhi një formacion ofensiv, por rrezikoi shumë pak. Edhe pse futi në lojë në pjesën e dytë Edon Hasanin (për Gjelbërim Taipin), Mario Morinën (për Haxhi Nezirajn) dhe Enis Gavazajn (për Herolind Shalën), Kombëtarja jonë nuk arriti ta gjejë rrugën e rrjetës. Shpresat nuk fitojnë një ndeshje zyrtare nga 6 shtatori i vitit 2011, kur mundën 4-3 Moldavinë (me trajnerin Artan Bushati në bankinë). Qysh atëherë, në nëntë ndeshjet e fundit kombëtarja pa pësuar shtatë humbje, duke regjistruar vetëm dy barazime: 2-2 me Portugalinë (në Durrës, dygolësh i Armando Sadikut) dhe 0-0 me Rusinë (në Moskë). Në grupin 4, përveç Shqipërisë, Hungarisë, Austrisë, Bosnjës është dhe Spanja, kampionia në fuqi e Europës për ekipet U-21. Sipas formulës, dhjetë fituesit e grupeve dhe katër vendet e dytë më të mira në fazën “play-off” do të marrin pjesë në kualifikueset muajit nëntor 2014, ndërsa finalet e Kampionatit Europian në qershor 2015 në Çeki.

  EL. EURO U-21

14 GUSHT 2013

Stadiumi “Flamurtari”, Vlorë

SHQIPËRI-AUSTRI 0-1

Shënues: Zulj 54’

SHQIPERIA: Strakosha, Rrahmani, Matoshi, Gjokaj, Hysaj, Bunjaku, Shala (Kavazaj 65’), Taipi (Hasani 46’), Abazi, F.Hoxha, Neziraj (Morina 56’). Trajner: Skënder Gega

AUSTRIA: Riegler, Neuhold, Hintereger, Vimer, Farkas, Ziegl, Holzhauser (Shaub 76’), Ofenbaher, Shtëger, Zabicer (Kainc 85′), Zhulj (Shëpf 46’). Trajner: Volfgang Luiser

Kartonë të verdhë: Taipi 31’, Abazi 43’, F.Hoxha 71’ / Ëimmer 75’, Sabitzer 83’

Gjyqtarë: Sergei Lapochkin

7 QERSHOR 2013

Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës

SHQIPËRI-HUNGARI 1-2

Shënues: Taipi 27’ (11-m)/ Adorjan 30’, Uindeker 69’

11 QERSHOR 2013

Stadiumi “Bilino Polje”, Zenica

BOSNJË-SHQIPËRI 4-1

Shënues: Mesanoviç 17’ dhe 67’, Çajiç 29’, Duljeviç 90’+1 / Hoxha 45’+1

Renditja, Grupi 4

Skuadra    N    P

Bosnja     1    3

Hungaria   1    3

Austria    1    3

Spanja     0    0

Shqipëria  3    0

 TRAJNERËT

 Skënder Gega (SHQIPËRI)

“Jam i kënaqur nga skuadra, zhvilloi përgjithësisht një lojë të mirë pavarësisht rezultatit. U dënuam nga disa episode të vogla pra e kam fjalën për autogolin e pësuar ,megjithatë futbolli i ka këto. Kam disa rezerva për gjykim megjithatë ato ikën, dhe ne  tashmë do të mendojmë për ndeshjet në vijim. Besoj se me këtë grup do të ecim përpara na duhet shumë punë dhe agresivitet”.

  Volfgang Luiser (AUSTRI)

“Ne e dinim se, fitorja natyrisht do të ishte shumë e vështirë për të ardhur pasi nuk kishim përball kundërshtarë si San Marino apo Luksemburgu, por Shqipërinë, e cila po rritet gradualisht. Fitorja ishte mëse e merituar. Isha i bindur tek suksesi, ndonëse ndeshja ishte thuajse e barabartë. Pashë disa talente të Shqipëria, si Fabio Hoxha dhe Enis Gavazaj”