Bezhani: Rritje e edukimit fizik në shkolla, për një rini aktive

534
Sigal

Kryetari i KE-së pranë Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar shpreh shqetësimin e një rinie pak aktive dhe sportive në shkolla, që do të ndikojë negativisht nesër edhe në zhvillimin e sportit shqiptar

Më pak sport, më pak të shëndetshëm e më pak të suksesshëm në arenën ndërkombëtare. Kjo është e thjeshtë. Një zinxhir që funksion sot në mbarë botën është që një masivitet i madh në fushën e sportit do të thotë të jesh më shumë konkurrues, pasi edhe cilësia do të jetë më e madhe. Nga një basë e gjerë sasiore sigurisht që do të dalë një cilësi më e mirë dhe fituese në gara. Por që kjo të ndodhë duhet që fëmijët të merren më shumë me sport, jo vetëm në shoqata apo klube sportive por edhe në shkolla, si një instrument i detyrueshëm dhe i rëndësishëm për të pasur edhe një rini më aktive e të shëndetshme.

-Z.Bezhani, si e shihni sot pjesëmarrjen e moshave të reja në aktivitetet sportive?

Pjesëmarrja e rregullt në aktivitetet fizike e sportive sot është thelbësore për shëndetin, mirëqenien dhe rritjen e shëndetshme. Fëmijët e të rinjtë kanë të drejtën të jenë fizikisht aktivë dhe të luajnë sport, ndërkohë që sot po ndodh e kundërta: Është rritur shumë shpejt stili “ulur” i jetës dhe është pakësuar puna fizike. Mundësinë për t’u marrë me sport të rinjve duhet t’ua krijojë shoqëria dhe sistemi arsimor në veçanti nëpërmjet lëndës së edukimit fizik. Sot, aktiviteti fizik dhe sporti duhet të jenë pjesë thelbësore e përditshme e jetesës. Mundësia për të marrë në aktivitetet fizike e sportive duhet të jetë e njëjtë për të gjithë edhe për njerëzit me aftësi të kufizuara. Kjo rritje që ne kërkojmë ka shumë gjasa të ndodhë vetëm kur fëmijët e të rinjtë të marrin një mesazh të qartë për funksionin dhe kontributin që ata përfitojnë nga përfshirja në programet e edukimit fizik dhe sportit.

-Sa e rëndësishme është kjo “marrje me sport” për moshat e reja?

Do të thoja shumë e rëndësishme, madje thelbësore, pasi ndihmon fëmijën të njohë se sa e rëndësishme është fitorja apo humbja. Vetë fëmijët që sot merren me sport janë më të pranueshëm dhe kanë më shumë kredibilitet në shoqëri. Gjithashtu, u jep mundësi prindërve të mbështesin e përkrahin fëmijët e tyre dhe t’i afrojnë më shumë me sportin. Për të mos thënë që moshat e reja krijojnë një perceptim pozitiv për aktivitetin fizik dhe sportive, që është përcaktues për jetën e tij. Së fundi, kjo ka ndikim shumë të lartë edhe në seleksionimin e talenteve sportive nga specialistët.

-Dhe mendoni se kjo duhet të kryhet më së shumti në shkolla?

Sigurisht, pasi shkolla është mjedisi më i rëndësishëm që ka si mision krijimin e shprehive, bindjeve dhe vlerave për edukimin fizik. Sot misioni i shkollës ka devijuar, duke privilegjuar më shumë aspektin teorik dhe duke nënvlerësuar zhvillimin fizik. Ky devijim i balancës së edukimit dhe zhvillimit ka pasoja negative te rinia dhe fëmijët, krijon një impakt negativ që e shoqëron më pas njeriun përgjatë gjithë jetës. Edukimi fizik në shkollë sot vuan pasojat e një nënvlerësimi tradicional në raport me edukimin mendor. Ndaj, lënda e edukimit fizik në shkolla duhet reformuar që nga emri i tij deri te përmbajtja.

-Sa është bërë për përmirësimin e sistemit të edukimit fizik në shkolla vitet e fundit?

Shumë pak dhe mendoj se nevoja për edukimin e duhur fizik duhet të shprehet në mënyrë të përsëritur nga organet qeveritare dhe joqeveritare, sepse shkolla ka një rol të pazëvendësueshëm në edukimin fizik të të rinjve. Shkollat sot kanë mundësinë unike për të ofruar zhvillimin e duhur fizik, ajo ka mandatin dhe përgjegjësinë për të përmirësuar të gjitha aspektet e edukimit fizik. Mosha e shkollës është optimalja për të përfituar nga aktiviteti i rregullt fizik dhe për ta kthyer më pas atë në një kulturë të përditshme. Për këtë arsye duhet edhe mbështetja e prindërve dhe organizatave sportive si dhe një vëmendje gjithnjë në rritje e shoqërisë për aktivitetin fizik të të rinjve.

-Po mjediset sportive në shkolla, sa shfrytëzohen sot nga rinia për veprimtari jashtë-shkollore?

Shumë pak, ose aspak. Ambientet sportive në shkolla janë të pashfrytëzuara plotësisht, në një kohë që Tirana sot ka nevojë urgjente për mjedise të reja sportive. Dhe, në pamundësi të ndërtojmë kaq shumë mjedise sportive duhen përdorur mjediset sportive ekzistuese dhe veçanërisht ato të shkollave, që në shumicën e kohës qëndrojnë të mbyllur dhe nuk përdoren, ndërkohë që në mbarë botën ndodh e kundërta.

-Çfarë sugjeroni se duhet të ndryshojë në shkollat tona përsa i përket edukimit fizik?

Absolutisht duhet të rriten orët e edukimit fizik në shkollë në 3 orë në javë, ndonëse rekomandimi i BE-së është për 5 orë në javë. Ora e edukimit fizik të jetë e larmishme, sidomos në shkollat e mesme. Gjithashtu, të hapen mjediset sportive të shkollave, duke krijuar kushte të reja administrimi. Kjo do të thotë liri e plotë ligjore për përdorimin e mjediseve sportive të shkollave në kohën e lirë.

 

Loret Sadiku në kombëtare

 Pak javë më parë pati deklaruar se nuk do t’i thoshte jo një ftese nga Suedia, duke qenë se këta të fundit kanë pasur vazhdimisht kontakte me lojtarin dhe familjen e tij, mirëpo gjërat kanë ndryshuar.

Qendërmbrojtësi 22-vjeçar nga Kosova, Loret Sadiku, i pati dhënë fjalën dy muaj më parë menaxherit të përfaqësueses, Alban Bushi, se do të luante për Shqipërinë. Bushi kishte udhëtuar enkas në Suedi dhe e kishte parë nga afër futbollistin. Mes tyre ishte arritur një marrëveshje verbale dhe pritej vetëm miratimi i FSHF-së dhe i De Biasit. U bënë gati edhe dokumentet për të nisur procedurat për pasaportë shqiptare.

Sapo Federata Suedeze e Futbollit u vu në dijeni të kontakteve mes lojtarit dhe federatës shqiptare, nisi “presionin” kundrejt Sadikut. Në disa raste duke e joshur me të mira dhe duke i premtuar se do të luante me Kombëtaren A të Suedisë. Në disa raste të tjera, duke ushtruar presion për pasaportën suedeze.

Panorama sport kujton që Sadiku ka zhvilluar tri ndeshje me përfaqësuesen U-21 të Suedisë dhe gëzon një reputacion të mirë në kampionatin e këtij vendi. Federata vendëse ndërkohë nuk dëshironte të privohej nga një lojtar me të ardhme dhe ka bërë çmos që gjatë kësaj kohe Sadiku të ndërpresë marrëdhëniet me Shqipërinë. Burime pranë FSHF-së pohuan se lojtari gjithsesi nuk ka hequr dorë, pasi me shumë gjasa do të grumbullohet për miqësoren me Armeninë më 14 gusht.

Sadiku mund të konsiderohet një alternativë e vlefshme në repartin e mbrojtjes. Momentalisht aty luajnë titullarë të padiskutueshëm Cana me Mavrajn dhe të gatshëm kanë qenë Osmani, Teli, Curri dhe Ilir Berisha, por Sadiku do të ishte gjithashtu një mundësi zgjedhjeje shumë cilësore për De Biasin. Ky i fundit u tregua diplomat kur u pyet nëse Sadiku mund të luante me Suedinë pas presionit që po i ushtronin, por trajneri italian deklaroi se lojtarit i duhej lënë kohë. Ndërkohë, lojtari është edhe ndër më të kërkuarit në merkato. Para disa ditësh, skuadra turke e Rizesporit pat bërë një ofertë, e cila u refuzua nga Helsingborgu. Por pardje, drejtuesit e klubit turk e kanë rritur ndjeshëm ofertën si karshi klubit suedez dhe ndaj lojtarit, çka mund të çojë në një kalim të Sadikut në kampionatin turk.