Berisha: “Në garë, për vendin e dytë”

535
Sigal

Portieri i Kombëtares flet për mediat suedeze: “Shpresoj të kemi shumë fat kundër Islandës”

Etrit Berisha, tashmë është një lojtar i Lacios, por ai mbetet tepër i preferuar për mediat suedeze. Portieri i Kalmarit dhe Kombëtares shqiptare foli për “svenskafans.com”, për dy sfidat e eliminatoreve me Slloveninë dhe Islandën, por edhe për aventurën e re në Serie A me Lacion. Te Lacio është drejtor sportiv, Igli Tare, ndërsa në skuadër është edhe Lorik Canën, kapitenin e Kombëtares. “Ai është djalë i zoti dhe një lojtar fantastik. Do të më ndihmojë shumë të ambientohem”. Berisha tha se, ka qenë vetëm një herë në Romë, por i ka pëlqyer si qytet.

 – Si ndiheni pas ndeshjes me Slloveninë?

– Unë ndihem mirë. Humbëm ndaj Sllovenisë, por ishte një ndeshje që duhet ta kishim fituar për atë që dhamë në fushën e lojës.

Gjithsesi, përtej disfatës së hidhur ndihem në formë. Ishte një humbje minimale 1-0.

– Si do ta komentonit këtë sfidë?

– Në fakt, meritonim ta fitonim këtë ndeshje. Pjesa e parë ishte e balancuar me diferencën që ata shënuan në rastin e vetëm për gol të krijuar. Ishte një gjuajtje mjaft e bukur e Kampl. Mirëpo, në pjesën e dytë ne dominuam dhe krijuam shumë raste të pastra për gol dhe duhet të kishim barazuar e të përmbysnim gjithçka, por portieri Handanovic bëri një paraqitje të shkëlqyer.

– Gjithsesi, keni ende shanse për të t’u renditur të dytë në grup…

– Po, kemi shanse reale për t’u renditur të dytët. Ndeshja e radhës është të martën ndaj Islandës dhe tani ka marrë një rëndësi tejet të madhe. Shpresoj shumë që këtë herë të kemi më shumë fat se në ndeshjen ndaj Sllovenisë. Kemi një skuadër shumë të mirë dhe jemi të zotë në krijimin e rasteve për gol.

– Një javë më parë ju ishit protagonist në fitoren e Kalmarit ndaj Halmstadit, shënuat me penallti golin e suksesit 1-0 dhe pas sfidës u bë me dije se do transferoheshit te Lacio. Si e keni përjetuar atë të diel?

– Më duhet të them se ishte një mbyllje mjaft e bukur e eksperiencës sie në Suedi. Jam ndjerë shkëlqyeshëm. Te Kalmari kam punuar për një kohë të gjatë por pa arritur ndonjë sukses madhor apo trofe me skuadrën, kështu që tani e ndjej se duhet të transferohesha në një klub të madh dhe ndoshta do të kem mundësi të fitoj diçka. Dhe kur Lacio më bëri ofertë nuk hezitova për asnjë moment.

– Si ndodhi transferimi? Lacio iu vëzhgonte prej kohësh apo gjithçka ndodhi papritmas?

– Lacio më ka ndjekur prej disa kohësh. Qysh kur nisa të luaj me Kombëtaren shqiptare, ata më kanë vëzhguar me shumë kujdes. Përfaqësues të klubit më kanë ndjekur në aksion edhe në ndeshje të kampionatit suedez, kështu që nuk und të them se u habita kur u njoha me ofertën e tyre.

– Drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare është nga Shqipëria, ashtu si ti. Çfarë roli luajti ai në këtë transferim?

– Në fakt, unë jam nga Kosova, por luaj me Shqipërinë. Tare e ndjek gjithmonë nga afër Kombëtaren shqiptare dhe ai ka vënë re disa paraqitje të mira të miat. Gjithsesi, ai nuk është ekspert portierësh, kështu që ai është këshilluar me trajnerin e portierëve të skuadrës së tij, i cili ka thënë fjalë të mira. Ndoshta duhet të falënderoj pikërisht trajnerin për këtë transferim.

– A keni folur edhe me trajnerin Vladimir Petkovic?

Jo, nuk kam pasur kontakt direkt. Por kam pasur kontakte me Klaudio Lotiton dhe Igli Taren, të cilët kanë folur me Petkoviç për mua.

– Kolegu juaj në kombëtare, Lorik Cana, luan gjithashtu te Lacio. Si janë marrëdhëniet me të?

– Jemi miq të mirë. Ai është një djalë shumë i mirë dhe një lojtar fantastik, cili gjithashtu është edhe kapiten i Kombëtares. Më ka ndihmuar gjithë kohës dhe sigurisht që do të më ndihmojë që përshtatem shpejt me skuadrën. Më pëlqen shumë si person.

– A keni pasur mundësi të merrnin përshtypjet e para nga klubi i ri?

– Kam qenë në Romë vetëm një herë deri tani, por kam vënë re se Lacio është vërtetë një klub i madh, duke iu referuar tifozëve dhe interesimit të media për këtë klub. Pas ndeshjes së dytë me kombëtaren do të kthehem në Kalmar për të marrë disa gjëra të miat dhe pastaj do të transferohem në Romë.

– Lacio merr pjesë në Serie A, Kupën e Italisë dhe Europa League. Si i shikoni shanset e skuadrës për të fituar diçka në këto tre kompeticione?

– Mendoj se skuadra është mjaft e mirë. E ndjek shumë Serinë A, kështu që e kam vëzhguar me kujdes Lacion kohët e fundit. Ka një grup të kompletuar me 2-3 lojtarë për një rol në formacion, kështu që mendoj se skuadra mund të shkojë shumë larg në të gjitha kompeticionet.

– A mund të na e përshkruash debutimin e ëndërruar?

– Nuk e kam menduar shumë këtë gjë kohët e fundit. Por ashtu si çdo portieri do të doja ta ruaja portën të paprekur. Kështu që nëse nuk do të pësoja gola në debutimin tim do të isha i kënaqur.

Nuk do të ishte keq sikur t’i shtoje edhe një penallti të shndërruar në gol?

– Po, do të ishte e bukur. Sidoqoftë, nuk mendoj se mund ta fitoj shpejt besimin e trajnerit për të qenë unë ai që gjuan penalltitë, por nuk i dihet kurrë.

Rivaliteti me Marketin

 Te Lacio është edhe Federiko Marketti, një nga portierët më të mirë të Serisë A dhe portieri i dytë i Kombëtares italiane pas Bufonit. “Për momentin, Marketti është natyrshëm zgjedhja e parë, por unë nuk kam ndërmend të kënaqem thjesht me stolin. Sezoni është i gjatë, ka shumë ndeshje për t’u luajtur dhe klubi më ka siguruar se do të kemi mundësi të aktivizohem në Europa League dhe Kupën e Italisë. Kjo është e rëndësishme për mua. Kam nevojë të luajë ndeshje në mënyrë që të zhvillohem akoma më shumë. Gjithsesi, nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë me Markettin në të ardhmen. Për shembull, ai mund edhe të shitet nëse klubi merr oferta të rëndësishme nga klube të huaja”, – tha Berisha.

  MERKATO

Leçe këmbëngul për Bogdanin

 Erjon Bogdani mbetet një nga alternativat kryesore për t’u bashkuar me skuadrën e Leçes që po has vështirësi të mëdha në repartin ofensiv. Lojtari shqiptar ende pa një kontratë, nuk e ka marrë ende një vendim për të ardhmen e tij, por interesimi i drejtorit sportiv të puljezëve, Antonio Tesoro po tenton ta afrojë me verdhekuqtë duke përfituar nga fakti se shtatlarti shqiptar është një lojtar i lirë. I larguar në fundin e muajit Qershor nga Siena, Bogdani po i studion të gjitha alternativat. Sipas mediave italiane, vendimi përfundimtar do të merret gjatë javës së ardhshme pasi futja në garë e Juve Stabias i ka komplikuar gjërat. Bogu nuk u thirr nga De Biazi.

 FORMULA 1

Fetel, pa rivalë në Itali

 Sebastian Fetel i Red Bullit fitoi Çmimin e Madh të Italisë, duke krijuar një diferencë prej +53 pikësh ndaj Ferando Alonsos së Ferrarit, pas suksesit të gjashtë në 12 gara të Kampionatit Botëror të Formula 1. Tri herë kampioni i botës, i cili festoi fitoren e 32-të në karrierë dhe të tretën në Monza, e udhëhoqi garën nga “pole position”, duke e dominuar plotësisht atë. Alonso përfundoi i dyti – me 5.4 sekonda më vonë – me Mark Ueberin e Red Bullit, i cili do ta lerë Formulën 1 në fund të këtij sezoni, që zuri vendin e tretë. Fetel ka tani 222 pikë kundrejt 169 të Alonsos, ndërsa Ljuis Hemilton i Mercedesit 141 pikë kur kanë mbetur edhe shtatë gara nga përfundimi.