“Berisha e meriton të jetë numri 1”

540
Sigal

 Ish-portieri i Kombëtares italiane, Luka Markexhani: “Shqiptari e ka lënë në hije Marketin”

Luka Markexhani, një nga ish-portierët më të njohur në Itali dhe që ka shpenzuar dhjetë vjet në radhët e Lacios, 1993-2003, e vlerësoi me nota maksimale portierin shqiptar, Etrit Berishën, duke theksuar për mediat italiane se ai e meriton të qenit titullar. Ish-portieri i Kombëtares italiane, pjesëmarrës në Kupën e Botës “SHBA 1994”, duke folur për garën midis italianit Federiko Marketi dhe shqiptarit Etrit Berisha te Lacio, tha: “Më vjen keq për Marketin, por Berisha është duke e bërë më mirë punën”. Në fakt, kur kanë mbetur edhe pesë javë nga përfundimi i kampionatit italian, Lacio është duke luftuar fort për një vend në Ligën e Europës. Bardhekaltërit duhet të zgjidhin edhe dualizmin në portë midis Marketit dhe Berishës. Ish-numri i Kaljarit, Marketi, vazhdon të ketë probleme fizike dhe kolegu i tij shqiptar, Berisha, për momentin, ka qenë gjithmonë gati kur është thirrur nga trajneri Edi Reja për të bërë punën e tij. Duke folur gjatë një konference me tematikë sportive të organizuar nga Universiteti Roma Tre, foli për gazetën e njohur italiane “Repubblica” edhe për rivalitetin midis dy gardianëve: “Nuk e di se cilat janë problemet e Marketit dhe nëse aventura e tij në Romë do të vazhdojë apo jo, megjithatë është një portier i shkëlqyer, ashtu si Berisha është një zëvendësues i shkëlqyer. Ky i fundit ka dëshmuar qartë se mund ta bëjë titullarin, por sinqerisht më vjen keq që Marketi në këtë moment nuk është vlerësuar për vlerën e tij reale teknike. Për atë që ka dhënë gjatë këtyre viteve te Lacio, janë duke e lënë mënjanë me mosmirënjohje. Jam i sigurt që, do të ketë kënaqësinë edhe pse nuk do t’i duhet të qëndrojë në bluzën bardhekaltër”.

E ARDHMJA

Gjatë një analize të gjatë të publikuar në sitin Lalaziosiamonoi.it, i afërt me klubin italian që ka për drejtor sportiv, shqiptarin Igli Tare, flitet me fjalët më të mira për Etrit Berishën. “Shumë pak dyshime. Do të jetë Etrit Berisha numri 1 i ardhshëm i Lacios. Në fakt, gradat e titullarit, për të thënë të vërtetën i ka fituar tashmë me paraqitjet e tij gjatë këtij viti. E ardhmja e Marketit duket larg kryeqytetit. Për këtë Lacio gjatë verës të marrë masa paraprake, për të gjetur një portier të besuar për të qenë pranë dyshes shqiptare Berisha-Strakosha”, shkruhet në portalin italian. Një meksikan mund të jetë rivali i ri i Berishës në portën e Lacios. Guijermo Oçoa, aktualisht portier i Axhacios në Francë dhe i Kombëtares së Meksikës (56 ndeshje). 29-vjeçari ka bërë një sezon solid, por ndiqet edhe nga Milani në Itali dhe Liverpuli në Angli. Në garë mund të përfshihet edhe Olimpiku i Marsejës, kështu që meksikani mund të qëndrojë në Francë. Një tjetër kandidat në listën e merkatos laciale mund të jetë francezi Remi Riou, 29 ndeshje këtë sezon me Mantën ku ka treguar të gjithë potencialin e tij. Gjithsesi, Etrit Berisha, i cili këtë sezon ka luajtur 12 ndeshje nga 21 që ka luajtur Marketi, por shqiptari ka qenë titullar në shumicën e ndeshjeve të fundit.

 

Kapllani firmos për dy vjet

 Edmond Kapllani përtëriti kontratën e tij me FSV Frankfurtin edhe për dy vjet të tjera, deri më 30 qershor 2016. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare luan prej dy vjetësh me FSV Frankfurtin, për të cilin ka shënuar 21 gola në 52 ndeshje. 31-vjeçari ishte mjaft i kënaqur me rinovimin e kontratën e re, por dhe drejtori sportiv i klubit, Uve Shtëver, ishte në të njëjtën linjë për nënshkrimin me durrsakun. “Unë jam shumë i gëzuar që, do të luaj edhe dy vite të tjera me fanellën e FSV Frankfurtit. Unë ndihem shumë mirë këtu dhe jam i bindur se kam shumë për të dhënë akoma”, – tha Kapllani, i cili këtë sezon ka realizuar 10 gola.

Hyka, moment të artë te Lucerni

 Jahmir Hyka po kalon një moment të shkëlqyer me Lucernin. Pas golit të bukur në fitoren kundër St. Galenit (1-0), mesfushori shqiptar ishte ndër më të mirët në fushë edhe në fitoren e radhës ndaj Aaraut (2-1). Sipas komenteve të mediave zvicerane, Hyka ishte ndër më të mirët në fushë dhe mori pjesë në shënimin e dy golave të realizuar nga Lezkano dhe Rangelov, ndërkohë që i kishte dhe vetë shanset për ta çuar rezultatin në 3-1. Aktualisht, Lucerni ndodhet në vendin e katërt në Superligën Zvicerane, pozicion që të çon në Ligën e Europës.

Tirana, Magani vijon me dy seanca në ditë

 Tirana vijon me intensitet përgatitjet në “Skënder Halili”, për t’i bërë mbylljen e duhur sezonit, ku objektiv mbetet qëndrimi në Kategorinë Superiore. Edhe pse në javën e 29-të bardheblutë nuk do të zbresin në fushë pasi kalendari i vë përballë Bylisit, tashmë të përjashtuar nga kampionati, trajneri Gugash Magani jo vetëm që nuk e ka ulur ritmin, por ka planifikuar zhvillimin e dy seancave stërvitore, duke u dhënë ngarkesë të lartë fizike lojtarëve të tij. Për të mbyllur një cikël javor të plotë, Magani ka planifikuar zhvillimin e një takimi miqësor me Tiranën B të shtunën në orën 10:00.

Të dielën do të jetë dueli i madh midis Mehës dhe Mavrajt në ndeshjen Padeborn-Fyrth

 Alban Meha: “Viti im më i bukur!”

 Alban Meha është shndërruar në një nga futbollistët më të mirë të Bundesligës 2. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka shënuar 11 gola – gjashtë prej tyre direkt nga goditjet e lira – duke ndihmuar Padebornin e tij të renditet në vendin e tretë, duke qenë kështu një nga pretedentët për t’u ngjitur në Bundesligën 1. Kosovari ka dhënë një intervistë të gjatë për portalin gjerman “5vier.de”, ku ai ka folur ambiciet e ekipit të tij, për të kaluarën dhe të ardhmen e tij, për Kosovën dhe Kombëtaren shqiptare. “Padeborni, drejt Bundesligës 1? Unë besoj se, askush nuk na kishte llogaritur që do të bënim këtë sezon. Ne jemi shumë të kënaqur me atë që kemi arritur deri tani. Kemi përpara dhe katër ndeshje dhe duam të marrim sa më shumë pikë që të jetë e mundur. Sekreti ynë? Ne e kuptojmë njëri-tjetrin shumë mirë, trajneri e di fare mirë çfarë ai bën dhe kjo është një arsye e rëndësishme për suksesin tonë aktual. Ne luftojmë, jemi shumë kompaktë dhe për këtë bëjmë një futboll të mirë. Natyrisht, kjo na ka rritur edhe vetëbesimin”. Të dielën, më 20 prill, është dhe dueli i madh me konkurrentin Grojther Fyrth, ky aktivizohet mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, pra do të kemi një duel shqiptar (apo kosovar) Meha-Mavraj. “Duhet të jemi të kujdesshëm”. Ndeshja vlen shumë për ekipin që do të hyjë direkt në Bundesligën 1 si vend i dytë. “Unë dëshiroj që ngjitemi. Kam dhe një vit kontratë me Padebornin. Kështu që, do të luaja me qejf edhe vitin tjetër”. Nuk mund të mungonte pyetja edhe për goditjet perfekte të Albanit. “Duhet të kesh dhe pak talent për këtë. Natyrisht, nuk mund të bëhesh me shumë stërvitje një Lionel Mesi. Qysh fëmijë jam stërvitur shumë në goditjet e lira. Kam parë shumë në televizor si lojtarët i kanë gjuajtur goditjet e bukura të lira, kështu që jam përmirësuar çdo ditë”. Alban Meha ka lindur në Kosovë, dhe në moshën pesë vjeç ka emigruar në Gjermani së bashku me prindërit, të cilët jetojnë në Shtutgart, por ai ka në Kosovë gjyshërit, xhaxhallarët, dajat, tezet dhe hallat, me të cilët Albani ruan raporte të shkëlqyera. Edhe pse Kosova ka lejen e FIFA-s për të luajtur ndeshje miqësore ndërkombëtare, Albani do të luajë për Shqipërinë. “Unë jam thuajse 28 vjeç, ndërkohë që rruga e Kosovës për të luajtur ndeshje zyrtare mund të jetë e gjatë. Kështu, që kam vendosur të vazhdoj të luaj për Shqipërinë”.