Berisha dhe Balaj në një zë: Fitorja me Francën shtysë për Danimarkën

474
Pak ora nga ndeshja miqësore përballë Francës dhe pas lajmit për shtyrjen e vendimit të KAS-it për ndeshjen me Serbinë, nga kombëtarja kuqezi që po vazhdon përgatitjet në Durrës kanë dalë para medieve për të folur dy nga lojtarët më të mirë të momentit në kampionatet e tyre, Etrit Berisha dhe Bekim Balaj.
Sigal

Edhe pse është thjeshtë një miqësore, ndeshja me Francën sipas portierit Berisha ka vëmendjen maksimale, pasi është një shtysë për ndeshjen e shtatorit me Danimarkën, që do të vendosë për vendin e dytë, ndërsa përsa i përket vendimit të KAS, kosovari shprehet se me apo pa tre pikët gara vazhdon.

Në një ndeshje luksi si ajo me Francën të gjithë do të donin të ishin në fushë, një ndër të cilët është edhe sulmuesi Bekim Balaj i cili ka qenë protagonist në nisje të kualifikuesve të Euro 2016 me golin ndaj Portugalisë dhe tani që është periudhë merkatoje kërkon të rifitojë një vend si titullar në kombëtare, që mund të shërbejë edhe si trampolinë për një kampionat më të fortë. Edhe shkodrani shprehet se ndeshja se së shtunës konsiderohet më shumë sesa një miqësore dhe synimi është fitorja.

Në mesditën e së enjtes kanë mbërritur në Shqipëri edhe francezët me trajnerin Deshamp në krye të ‘gjelave’, por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen ka qenë prania e yjeve, Pogba, Evra dhe të tjerë që do të jenë të pranishëm në Elbasan Arena.