Bekim Balaj: “Ëndërroj t’i shënoj Çelsit, idhulli im është Ibrahimoviç”

479
Sigal

Sulmuesi shkodran i Spartës së Pragës: “Kush e di, një ditë ndoshta luaj për Interin”

Bekim Balaj, sulmuesi shkodran i Spartës së Pragës dhe i Kombëtares shqiptare, do të luajë kundër Çelsit në fazën e 1/16-ve në Ligën e Europës. Balaj, i cili mbush 22 vjeç, më 11 janar, tha për gazetën “Telegraf”, se ai dhe skuadra e tij çeke, do të bëjë ç’është e mundur për të eliminuar fituesit e Ligës së Kampioneve. “Edhe sepse, këtë vit kemi eliminuar klube si Fejnordi dhe Atletik Bilbao, dhe kemi përballuar më se denjësisht Lionin që kryeson kampionatin francez. Nëse do të jemi në formë të mirë Çelsi do ta ketë shumë të vështirë me ne, ndonëse unë jam i ndërgjegjshëm për vështirësitë pasi kundërshtari është i një kalibri shumë të lartë, Kampioni në fuqi i Europës”, – tha Balaj për “Telegraf”. Ish-lojtari i Vllaznisë dhe i Tiranës po bën një sezon të mirë në vitin e parë të tij në kampionatin çek. Balaj ka shënuar deri tani tre gola në 12 ndeshje për Spartën e Pragës, ndërkohë që duhet shtuar edhe një që ish-lojtari i Gençlerbirlixhisë në kampionatin turk i ka realizuar në Ligën e Europës kundër spanjollëve të Atletikos së Bilbaos. Balaj foli edhe Kombëtaren A dhe objektivat e tij, ndërkohë që zbuloi dhe idhullin e tij, sulmuesin suedez të Paris Sën Zhermenit, Zlatan Ibrahimoviçit.

 

– Bekim, zhvillove një fazë të parë shembullore me Spartën e Prages, në vitin tënd të parë në kampionatin çek. Si do ta konsideronit ne planin personal?

– Për të qenë i sinqertë, jam me fat që jam pjesë e atij ekipi. E rëndësishme për mua është që kam luajtur dhe kam dhënë kontributin tim. Shpresoj që, në të ardhmen të kem akoma më shumë minuta e të shënoj akoma më shumë.

– Je lojtari i katërt i huaj në skuadër, së bashku edhe me kroatin Pamiç, kamerunasin Kueke dhe spanjollin Zhil. Sa të vlerësojnë në skuadër?

– E rëndësishme është që kam fituar besimin e trajnerit Lavicka, por edhe tifozët e skuadrës sillen mjaft mirë. Kjo është e rëndësishëm për një lojtar të ri.

 – Në Ligën e Europës shënuat një gol të bukur kundër Atletiko Bilbaos, ndërkohë që tani kundërshtar keni Çelsin. Si po e pret atë takim kundër yjeve të tillë si Xhon Terri apo Fernando Torresi?

– Kemi eliminuar ekipe me emër në Europë, si holandezët e Fejenordit apo spanjollët e Atletiko Bilbaos. Tani do të luajmë me Çelsin, një emër shumë i madh fitues i Ligës së Kampioneve vitin e fundit. Do të bëjmë maksimumin të kualifikohemi.

 – Ke luajtur në Shqipëri dhe Turqi, dhe tani në Çeki. Cili është niveli i kampionatit çek?

– Mund ta përmbledh me pak fjalë: profesionalizëm shumë i lartë; përgatitja fiziko-taktike në mënyrë perfekte, plus që ekipet çeke po përfaqësohen denjësisht në Europë çdo vit.

 – Pas Kombëtares U-19, U-21 tani je dhe pjesë e Kombëtares A, teksa luajtët kundër Kamerunit. Sa të motivon kjo gjë?

– Kombëtarja është maksimumi për çdo futbollist. Natyrisht, është një ëndërr e plotësuar. Shpresoj të jap kontributin tim sa më shpejt për këtë fanelle.

 –  Shkodra ka nxjerrë gjithmonë sulmues, madje katër prej jush, ti, Salihi, Sukaj, Vajushi luani jashtë, në Çeki, Shtetet e Bashkuara, Iran dhe Bullgari. Çfarë roli ka akademia e moshave që ka Vllaznia?

– Shkodra ka nxjerrë gjithmonë futbollistë. Akademia ka ndikimin e vet. Mendoj se, Vllaznia do të vazhdojë të prodhojë akoma më shumë futbollistë, pasi ai qytet jeton me futbollin.

 – Sparta e Pragës mund të shërbejë si një stacion, për një ekip më të madh. Ku do të kishe dëshire të shkoje?

– Unë jam tifoz i Interit dhe i Realit të Madridit. Ndoshta një ditë, nuk i dihet mund të luaj edhe më fanellën e Interit (qesh).

 – Cili është idhulli i Bekimit?

– Nuk kam një model, por si sulmuesi më pëlqen Zlatan Ibrahimoviç. Një kampion i madh, kudo që ka luajtur, me Ajaksin, Juventusin, Interin, Barcelonë, Milanin dhe tani me Paris Sën Zhermenin.

 – Si ju duket Praga si qytet, a keni takuar shqiptarë apo kosovarë?

– Është një qytet shumë i bukur, ndër më të bukurit që kam parë. Shqiptarë kam takuar dhe disa prej tyre vinë dhe ne stadium, më mbështesin gjithmonë.

– I dhe me golat e tu Kupën dhe Supekupën, Tiranës, ndërkohë që fitove dhe dy herë çmimin si talenti i vitit. Si i kujton ato momente?

– Janë kujtimet më të bukura që kam, pasi trofetë janë ato që mbahen mend gjate.

 – Familja është e rëndësishme për një futbollist, sa ka ndikuar tek ti?

– Familja dhe të afërmit e mi kanë qenë dhe janë mbështetje e madhe për mua.

 – Ju faleminderit.

3

vjeçare është kontrata që ka nënshkruar Bala me skuadrën e Sparta Pragës

200

mijë euro në sezon do të përfitojë Bala me skuadrën e njohur të kryeqyteti çek

SPARTA E PRAGËS

Sparta e Pragës është skuadra më e suksesshme në Çeki dhe një ndër më të mirat në Europën Qendrore, madje ka arritur edhe në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve në vitin 1992. Klubi është themeluar në vitin 1893. President është Daniel Kretinski, trajner Vitezlav Lavicka. Në sezonin 2011-2012 u rendit në vendin e dytë të “Gambrins Liga”. Ka fituar 24 tituj kampion në kampionatin çekosllovak dhe 11 në Gambrins Liga, pra në kampionatin çek, ose 35 në total.

Stacionet e Balës, nga Vllaznia te Gençlerbirlixhi; nga Tirana te Sparta e Pragës

Bekim Balaj u bashkua me Vllazninë me skuadrat e moshave, qysh në moshën 11 vjeç dhe roli i tij i parë ishte portier, përpara së të luante përfundimisht sulmues. Me ekipin e parë të Vllaznisë ai ai u aktivizua qysh në moshën 18-vjeçare, duke bërë një paraqitje të mirë dhe tërhequr vëmendjen e klubit turk, Gençlerbirlixhi. Në qershor të vitit 2010, Bala firmosi një kontratë katër vjeçare me klubin turk, teksa transferimi kushtoi 200 mijë euro, ndërsa vetë Bekimi përfitoi 150 mijë euro në vitin e parë. Aventura e tij ishte e shkurtër në Turqi, dhe në janar 2011 ai nënshkroi për 70 mijë euro në sezon me Tiranën. Bekimi i dhuroi dy trofe Tiranës, me golat e tij, Supërkupën e Shqipërisë dhe Kupën e Shqipërisë, që të dyja këto në ndeshjet ndaj Skënderbeut. Në atë kohë bardheblutë drejtoheshin nga trajneri spanjoll Hulian Rubio. Bala u bashkua me Spartën e Pragës pas një prove në korrik të vitit 2012, teksa e bindi trajnerin Vitezslav Lavicka, përpara se të nënshkruante kontratën me klubin çek. Transferimi kushtoi rreth 70 mijë euro. Te Sparta e Pragës, Bekimi mban numrin 9 në fanellë. Me Kombëtaren U-19, Bala ka luajtur në vitin 2009 kundër Anglisë, Irlandës së Veriut (ndaj së cilës shënoi gol). Në nëntor 2012, Balaj u thirr nga trajneri Xhani De Biazi për miqësoren e fundit të Shqipërisë ndaj Kamerunit.  Bekim Bala ka mësuar shumë nga sulmuesi legjendar i Vllaznisë, Vioresin Sinani, ky i fundit është dhe golashënuesi më i mirë i të gjithë kohërave në Superligën shqiptare, 396 gola.

 

SKEDA

Datëlindja: 11 janar 1991

Vendlindja: Shkodër, Shqipëri

Gjatësia: 188 cm

Pozicioni: Sulmues

Klubi aktual: Sparta e Pragës, Çeki

 

 

KARRIERA

TË RINJTË

2002-2009  Vllaznia

 

TË RRITURIT

2009-2010 Vllaznia         38 nd      (17 g)

2010-2011 Gençlerbirlixhi 1 nd       (0 g)

2011-2012 Tirana                37 nd      (15 g)

2012 Sparta Pragë          10 nd      (5 g)

 

EKIPI KOMBËTAR

Shqipëria U-19             6 nd       (3 g)

Shqipëria U-21             13 nd      (4 g)

Shqipëria A                1 nd       (0 g)