Bejkush Birçe: “Turp, kur një zyrtar urdhëron të humbasësh”

498
Sigal

Ish-trajneri i Partizanit, Dinamos dhe i Kombëtares: “Korrupsioni në futboll nis që nga maja e shtetit”

Bejkush Birçe, ish-trajneri i Partizanit (kampion në sezonet 1978-1979 dhe 1980-1981) dhe i Dinamos (kampion 1989-1990), tha për gazetën “Telegraf” se, tashmë nuk ka është më enigmë, që disa ndeshje të kampionatit tonë janë të dyshimta. “Derisa sa, shikuesi nuk vjen në stadium, derisa ai të bojkoton, apo braktis ndeshjen siç ndodhi një javë më parë në Gjirokastër, ky është një matës”, – tha ish-trajneri i Kombëtares. Bejkush Birçe, i cili gjatë karrierës së tij ka drejtuar Partizanin, Dinamon, Flamurtarin, Teutën dhe Naftëtarin, është Presidenti i Shoqatës së Trajnerëve Shqiptarë si dhe nënkryetar i Komisionit të Etikës pranë FSHF-së.

 – Zoti Birçe, kanë mbetur edhe tri javë nga përfundimi i Superligës, ndërkohë që janë përcaktuar edhe dy finalistët e Kupës, Laçi dhe Bylisi. Ky kampionat ka pasur brenda tij edhe rivalitetin, sidomos të skuadrave që synojnë të kapin vendet në Ligën e Europës, por ka qenë edhe tepër i dyshuar nga opinionistë dhe specialistë të njohur të futbollit shqiptar, teksa akuzat në media nuk kanë munguar. Cili është opinioni juaj?

– E para, që të nxjerrësh një konkluzion, se ka dyshime apo ka pasur fiksime rezultatesh në tavolinë apo kudo tjetër, kanë të bëjnë apo jo me bastet, kjo nuk është më enigmë tek ne. Përse? Pasi, ajo që e tregon më së mirë cilësinë e futbollit tonë, apo dhe ndonjë dyshim, është spektatori, i cili po shteron gjithmonë e më shumë. Derisa sa, shikuesi nuk vjen në stadium, derisa ai të bojkoton, apo braktis ndeshjen siç ndodhi një javë më parë në Gjirokastër, ky është një matës. Ky lloj korrupsioni që, mund ta quajmë në futboll. Në të vërtetë, futbolli është një sport për të argëtuar njerëzit, grupet, familjet. Sporti jep mesazhin e lojës së ndershme. Nuk duhet të harrojmë se, jep edhe një mesazh kombëtar, pasi në ndeshjet ndërkombëtare nderohet flamuri dhe himni ynë. Prandaj, korrupsioni nuk do ta konsideroja një problem vetëm të futbollit, por atë e kemi të importuar që nga maja e pushtetit. Duhet pasur parasysh një gjë që, ne që jemi rritur me sportin apo dhe populli e do atë, por janë ata që kanë zhdukur klubet më të lavdishme, si Dinamo apo Partizani.

– Ku e shikoni korrupsionin?

– Korrupsioni nuk është problemi i vetëm institucionit të futbollit. Më lejoni të sjell një shembull: ekipet Kombëtare duhet të paguhen nga shteti, pasi përfaqësojnë kombin. A ka ndonjë vend tjetër që, nuk i shpërblen sportistët e tij. Nga ana tjetër, cili është organizmi i futbollit tonë? Kush e ka? E ka një kryetar bashkie që, jep urdhër të jepet ndeshja? E ka dikush tjetër që, ka mangësi të jashtëzakonshme në punën e tij dhe jo të drejtojë futbollin? Futbolli ynë ka disa probleme dhe unë shpresoj se, ato do të rregullohen.

– Ju jeni një ish-trajner i njohur, ndërkohë që sa për statistikë, vetëm dy nga 14 skuadrat e Superligës nuk i kanë ndryshuar trajnerët. Si do ta vlerësonit këtë situatë?

 – Tek ne, drejtuesit e klubeve mendojnë se i gjithë faji është i trajnerëve. Pse duhet të jetë i tij? Pasi ka klube që ndërrojnë edhe pesë trajnerë brenda një sezoni? Një trajner dëshiron të bëjë punën e tij, kërkon bazë materiale, apo gjithçka që i duhet. Plotësoja këto dhe, më pas kërkoi një më një llogari. Një tjetër problem: diferencimi i një trajneri vendas, në raport me një të huaj. Të huajit i jep mijëra euro, ndërkohë që shqiptarit nuk i jep asgjë. Ka ndonjë mendim se, trajnerët shqiptarë nuk janë të mirë. Unë e kundërshtoj me forcë. Janë ata që, po e mbajnë futbollin tonë. Ata janë në të mirë dhe në të keq. Jo vetëm që, i nënvlerësojmë dhe s’u krijojmë kushte trajnerëve tanë, por edhe i denigrojmë. Nëse nga një klub ikin dy apo tre trajnerë, atëherë pse s’duhet të iki dhe presidenti apo drejtuesit e tjerë, pasi ka dhe sekretarë. Po këta pse s’ikin? Një pjesë e trajnerëve janë të rinj dhe e ndjejnë fort përgjegjësinë, por dhe peshën e presionit.

– Si mendoni se, mund të zgjidhet kjo?

– Duhet të marrim shembull nga klubet më të mira europiane. Të shohim sesi janë organizuar, si stërviten, cila është infrastruktura e tyre. Shqipëri, e kam theksuar shpesh dhe do ta përsëris gjithmonë, ne vuajmë shumë nga mungesa e infrastruktura. Ne s’duhet të marrim pjesë në aktivitet ndërkombëtare me këtë infrastrukturë. Dinamo dhe Partizani, që kishin infrastruktura shumë të mirë në nivel klube dhe ambientesh stërvitore i zhdukën. Ato i zhduku injoranca. Më vjen për këto klube, pasi unë kam punuar aty. Partizani dhe Dinamo do të ketë gjithmonë, s’mund të injorohen. Të gjithë kemi qenë të pranishëm në stadiume plot, kur në “Qemal Stafa” luani Partizani dhe Dinamo, me Flamurtarin, Vllazninë apo Teutën. Ne duam ta arrijmë botën. Ka disa parametra për të arritur atë.

– Sipas jush cilat janë?

– Le të marrim ekipin Përfaqësues. Më thoni sa për qind e lojtarëve që, aktivizohen në kampionatin shqiptar janë pjesë e tij. Ne duhet të punojmë fort, pasi lojtarë të talentuar ka në kampionatet tona. Duke marrë vetëm lojtarët që, luajnë jashtë, atëherë cila është puna që bëhet në futbollin tonë? Marrja e një trajneri të huaj, nuk do të thotë aspak se ke gjetur çelsin e suksesit. Është fatkeqësi për fëmijët apo dhe prindërit që, investojnë tek ata, që nuk kanë ambiente ku të stërviten. Tirana është një qytet prej 1 milion banorë, sa fusha dhe terrene janë. Le të më thotë ndonjë qeveritar, deputet apo zyrtar tjetër se, ku janë terrenet sportive. Le të ngrihet një grup deputetësh e të shkojë në Europë dhe do të shohë se, çfarë bëjnë fshatrat për sportin. Këto të vërteta duhen thënë hapur. Pasi edhe ne ngremë dorën për të futur njerëz të padenjë në parlament apo në krye të shtetit.

– Zoti Birçe, rrallë ka ndodhur që dy ekipe qytetesh të vogla të dalin në finalen e Kupës. Si do ta konsideronit finalen Laçi-Bylis?

– Nuk ka pse të habitemi, edhe në Europë dalin në finale klube të mira me ekipe të Kategorisë së Dytë, kjo ndodh në futboll. Përderisa janë në finale, mendoj se e kanë merituar. S’dua të ngre paragjykime. Laçi dhe Bylisi kanë eliminuar kundërshtarë të fortë. Tani na mbetet të shohim se, kush do ta fitojë trofeun.

– Skënderbeu e ka fituar titullin, ndërkohë që me renditjen aktuale janë tre ekipe që do të luftojnë për dy biletat e Ligës së Europës: Kukësi, Teuta dhe Flamurtari. Si e shihni këtë betejë?

– Flamurtari më befasoi në humbjen e Kastriotit. I pashë të zëmëruar me vetveten gjatë lojës. S’ishin luftarakë dhe m’u duk një farë kapitullimi. Dua ta theksoj se, lojtarët e Flamurtarti duhet të japin më shumë se maksimumi në fushë, pasi është një ndër klubet më korrektë në anën financiare. Vlora ka një përbërje të mirë lojtarësh dhe e ka domosdoshmëri pjesëmarrjen në aktivitet ndërkombëtare. Edhe Kukësi dhe Teuta kanë shanset e tyre, kjo dhe në varësi të kalendarit apo ekipeve që do të kenë përballë. Gjithsesi, këtë do ta shohim në përfundim të sezonit. Ajo që më pëlqen te Kukësi është fakti që, bëri një stadium të mirë, ashtu si dhe Skënderbeu para dy sezonesh. Duhen përgëzuar. Këto janë gjëra pozitive.

– Në muajin korrik do të nisin ballafaqimet ndërkombëtare të skuadrave tona. Si do t’i vlerësonit ato të mëparshme?

– Për hir të së vërtetës, pak kënaqësi kemi marrë.

Trajneri Cungu pas fitores me Besën: “Fati i Europës varet nga ndeshja me Flamurtarin”

Kukësi saldon vendin e dytë

 Kukësi hodhi një tjetër hap drejt konfirmimit të vendit të dytë, pas fitores bindëse 2-0 në transfertën e Kavajës. Djemtë e Cungut, të cilët përjetuan një eliminim të hidhur në gjysmëfinalet e Kupës nga Laçin, e dominuan nga minuta e parë takimin me Besën. Besa, që kalon një moment jo të mirë psikologjik, për shkak të hetimeve ndaj presidentit Shpëtim Bizhdili, për trukime ndeshjesh, e priti Kukësin, në një ndeshje ku kërkonte pa dyshim pikët e plota, por ai gol i bukur i Prognit, tre minuta pasi kishte filluar pjesa e dytë, dhe penalltia e finalizuar saktë nga Allmuça në minutën e 70-të, ua ka prishur planet, madje ua ka ngatërruar jo pak llogaritë për mbijetesën. Kavajasit janë tashmë vetëm katër pikë para Shkumbinit, kur kanë mbetur të luhen edhe tri ndeshje nga Superiorja, dy prej të cilave verdhezinjtë i kanë në transfertë: ndaj Vllaznisë dhe Bylisit, ndërsa do të presin në shtëpi Apoloninë. Trajneri Përparim Daiu e ka parë në vështirësi të madhe skuadrën e tij, e cila duhej të bënte pa shërbimet e një prej shtyllave të veta, pikërisht mesfushorit Sokol Cikalleshi. Në seancën e dy ditëve më parë, kur ajo po i drejtohej fundit, një goditje e sforcuar ka bërë që Cikalleshi të lërë stërvitjen. Mjekët kanë thënë se ai duhet të pushojë të paktën një javë, aq sa për të munguar ndaj Kukësit. Krahas tij, dihej edhe mungesa e Indriz Bathës, i cili vuajti kartonin e kuq marrë në Korçë kundër Skënderbeut. Fitore dhe tri pikë në Kavajë, për të vazhduar rrugën për të mbajtur vendin e dytë deri në përfundim të sezonit. Ky ishte motivi me të cilin futbollistët e Kukësit e zhvilluan transfertën kavajase, ndonëse nuk u rezultoi aq shumë e vështirë kjo gjë. Largimi nga kupa i ka përqendruar verilindorët vetëm te Superiorja, kështu që do luftojnë fort deri në minutën e fundit, për të qenë nënkampionë të Shqipërisë. Trajneri Armando Cungu tha pas fitores: “Ishim të ndërgjegjshëm që kishim një ndeshje të vështirë, për vetë pozicionin e kundërshtarit në renditje, që për mendimin tim Besa nuk e meriton të jetë në këtë situatë. Fakti që Besa ka një ekip të konsoliduar, pavarësisht oscilacioneve që ka patur, na e bëri tepër të vështirë detyrën tonë. Në pjesën e parë kundërshtari edhe mund të shënonte dhe fati më duhet të pranoj se ishte në anën tonë, pasi mund të ndëshkoheshim, ndërsa në të dytën skuadra e interpretoi mjaft mirë lojën. Arritëm të shënojmë dhe pas penalltisë, ku Besa mbeti me dhjetë vetë, ne dyfishuam dhe gjithçka u mbyll me sukses”. Kukësi kryeson me një pikë më shumë se Teuta dhe Flamurtarin, ndërkohë që ndeshjen e tij e ka pikërisht me vlonjatët. “Ndeshja me Flamurtarin është tejet e rëndësishme për ne, pasi do të përballemi me një rival direkt. Do të jetë jashtëzakonisht e fortë dhe e hapur. Do të bëjmë maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv”, – shtoi trajneri shkodran. Në lidhje me pjesëmarrjen në Ligën e Europës, Cungu shtoi: “Sa për Evropën, nuk mund të them se kush do të kualifikohen, por ne do të mundohemi me të gjitha forcat tona që në tre ndeshjet që na kanë mbetur të marrim maksimumin e mundshëm dhe të arrijmë objektivin që kemi”.

KATEGORIA SUPERIORE

Java e 23-të, Superiorja

TË DIELËN

FLAMURTARI- SKËNDERBEU  1-0

Golat: Memelli 4’

BESA – KUKËSI  0-2

Golat: Progni 48’, Allmuca 70’ (pen)

KASTRIOTI – LUFTËTARI  1-0

Golat: Kalari 68’

TEUTA – APOLONIA  2-1

Golat: Mancaku 47’ (pen), D.Xhafaj 88’ / Ribaj 8’ (pen)

TË SHTUNËN

SHKUMBINI – BYLIS   2-1

Golat: Dervishi 58’, Lluca 84’ / Bakiu 25’

TOMORI – LAÇI   2-0

Golat: Muxhaj 25’, Sulejmani 45’

TIRANA – VLLAZNIA   1-0

Golat: G.Lika 48’ (pen)

Renditja

1    Skënderbeu      23   +27  52

2    Kukësi          23   +15  43

3    Flamurtari      23   +19  42

4    Teuta           23   +9   42

5    Tirana          23   +6   38

6    Vllaznia        23   +5   35

7    Laçi            23   +1   34

8    Kastrioti       23   -3   34

9    Bylis           23   +5   29

10   Besa            23   -4   27

11   Shkumbini       23   -16  23

12   Luftëtari       23   -18  18

13   Tomori          23   -22  15

14   Apolonia        23   -24  10