Bejkush Birçe: “Ministria e Sporteve, ‘armiku’ më i madh i sportit”

467
Sigal

Trajneri i mirënjohur: “Propozimi i Kryeministrit Berisha, për krijimin e Ligës Mbarëkombëtare, një blof i radhës”

Bejkush Birçe, ish-trajneri i Partizanit (kampion në sezonet 1978-1979 dhe 1980-1981) dhe i Dinamos (kampion 1989-1990, është qartë dhe i drejtpërdrejtë në arsyet dhe shkaqet e dështimit të Ligës Mbarëkombëtare të Futbollit, një ide kjo e Kryeministrit Sali Berisha, duke theksuar se ajo është në kundërshtim me statutet e FIFA-s dhe UEFA-s. “Duhet të jemi të qartë dhe njohës të mirë të rregullave dhe statuteve të organizmave ndërkombëtare ku aderojmë, përpara se të hedhim një ide”, – tha tekniku me eksperiencë të madhe profesionale për gazetën “Telegraf”. Bejkush Birçe, i cili gjatë karrierës së tij ka drejtuar Partizanin, Dinamon, Flamurtarin, Teutën dhe Naftëtarin, tha se “ekipit aktual të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportive i kanë munguar politikat sportive”. Birçe është Presidenti i Shoqatës së Trajnerëve Shqiptarë si dhe nënkryetar i Komisionit të Etikës pranë FSHF-së. Ai e drejtoi ekipin Kombëtar në periudhën 1990-1994.

 – Zoti Birçe, para disa javësh Kryeministri Sali Berisha hodhi me shumë projektin e krijimit të Ligës Mbarëkombëtare të Futbollit, Shqipëri-Kosovë, një ide që ka ngjallur shumë debate. Si një specialist dhe njohës i mirë i futbollit, sa i mundshëm është krijimi i saj?

– Jam një nga ata që do ta dëshiroja më shumë një bashkëpunim të gjithanshëm midis sportit shqiptar dhe atij kosovar. Idenë apo projektin e Kryeministrit Berisha, për krijimin e Ligës Mbarëkombëtare të Futbollit, do ta konsideroja thjesht një batutë të tij. Do ta gjykoja se, është më tepër një ëndërr që do t’i takojë një kohë që mund të vijë, por që për fat të keq është paksa e largët. Unë do ta shikoja iniciativën e tij, në një optikë tjetër. Si u kujtua Kryeministri për futbollin, kur sportit në përgjithësi dhe futbollit në veçanti, nuk i kanë dhënë asnjë gjë në Shqipëri, kur në vendin tonë, dy nga klubet më të mëdha janë shndërruar në varreza? Terrenet e klubit Partizani janë shndërruar në terrene për të ndërtuar pallate. Edhe situata te klubi i Dinamos është po aq alarmante. Aty janë edukuar dhe stërvitur me mijëra sportistë. Të tregojmë kujdes për dy nga klubet legjendare të vendit tonë apo klubet e tjera dhe, më pas me të drejtë t’i kthehemi edhe temës së Kosovës. Jemi ngopur shumë me deklarata partish, kushdo qofshin ato, që, më tepër shohin interesin e tyre. Rinia kërkon aktivitet, kërkon fusha, palestra, pishina, që për fat të keq nuk është bërë asgjë në këto 22 vjet.

 – Përse mendoni se kjo iniciativë është e dështuar?

 – Duhet të jemi të qartë dhe njohës të mirë të rregullave dhe statuteve të organizmave ndërkombëtare ku aderojmë, përpara se të hedhim një ide. Kosova e di shumë këtë. Ne jemi dy shtete, pavarësisht se jemi shqiptarë. Unë nuk jam politikan dhe, nuk e di se kur mund të ndodhë bashkimi midis nesh. Unë do ta dëshiroja të ndodhte sa më shpejt. Por, përsa i përket bashkimit apo krijimit të një kampionati të përbashkët ka rregulla. Statutet e FIFA-s dhe UEFA-s, për momentin nuk e lejojnë krijimin. Më duket e habitshme që, disa analistë të famshëm nisin e bëjnë zhurme rreth një ideje që, është në fillesë e saj e paligjshme. Nëse në Shqipëri, ndodh që edhe gjërat e paligjshme të marrin legjitimet, për arsye të ndryshme, nuk mund të bësh shaka dot me ligjet FIFA-s, UEFA-s dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kështu që, i konsideroj vetëm si një deklaratë të rastit. Mjaft më gënjeshtra! Nuk shkojnë më! Ne jetojmë në Shqipëri dhe e dimë mirë sesi po jetojmë, mund të dimë shumë gjëra, por kurrë nuk e dimë se jemi dhe të katërt në botë. Një pjesë e mirë e opinionit e quajnë absurde ndërmarrjen e një iniciative të tillë, kur nuk ka asnjë mundësi realizimi.

 – Si e konsideroni kontributin që jep Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për përmirësimin e jetës sportive në vend apo investime në infrastrukturë?

 – Ministria e Sporteve ka bërë investime te kompleksi “Dinamo”, por ka bërë një restorant për qofte dhe sallam! E ka zhdukur gjithë atë investim madhor që është bërë për klubin, dhe ka vendosur thjesht një menaxhere për të marrë para, dhe ka bërë ç’është e mundur të zhdukë një nga klubet më të mëdha në vend. Ka nxjerrë Dinamo përjashta. Dua të shtroj një pyetje të thjeshtë. Çfarë bëri kjo Ministri për Lojërat Olimpike, kur na lanë pas edhe disa nga vendet më të pazhvilluara në botë? Unë nuk e di se, çfarë ka bërë kjo Ministri e Sporteve. Më thoni se, çfarë sasie fondesh jep për zhvillimin e sportit në vendin tonë? Më lejoni t’i kthehem çështjes së ndërtimit të stadiumit të ri. Sot, sipas asaj që u premtua ne do të shikonim ndeshjen me Gjeorgjinë në stadiumin e ri. Askush nuk do të dijë se, cilat janë arsyet që nuk u mbajt ai premtim. Për mua, në rast se stadiumi “Qemal Stafa” do të prishet dhe do të kërkojë një fond të madh, mendoj se do të kishte më shumë vlerë që të ndërtohej një stadium i ri, në një vend tjetër. Edhe ky është një premtim në ajër. Përderisa ia premton UEFA-s dhe nuk e realizon atë, atëherë ky është vetëm një blof. Jam i bindur se, këto blofe nuk kalojnë pa u ndëshkuar. Ne që merremi me sport i vuajmë shumë këto. Më vjen keq ta them, por s’kaloj dot nga klubi i Partizanit, ku kam kaluar një pjesë të mirë të jetës sime, pasi nuk e shoh dot atë kompleks në atë gjendje, të shoh pallate në vend të fushave. Dhe Kryeministri e di mirë atë gjë. Përse duhet të prishësh klubin “Dinamo”. Unë nuk dua ta quaj më Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pasi për rininë nuk merret kurrë seriozisht, ndërsa për sportin jep shifra që nisin me 0, për qind.

–  Ju mendoni se, Ministria e Sporteve nuk ndjek politika sportive?

– As që mund të bëhet fjalë për to. Ku janë politikat sportive që ndjek Ministria? Nuk ekzistojnë, madje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës hoqi edhe edukimin fizik. Në botë ekzistojnë tre shtylla kryesore: gjuha amtare, matematika dhe edukimi fizik. Nuk ka të drejtë askush që të prishë këtë trekëndësh. Unë jam mësues i Edukimit Fizik dhe shkollën e dua me terrene. Shteti duhet të japë shumë për rininë, që ajo të mos merret me drogën, por me sportin. Dua të jem i qartë, kjo nuk është punë partish, por politika të munguara në drejtim të sportit.

– Zoti Birçe, ju keni qenë ish-trajner i Kombëtares. Në krye të Përfaqësueses A është i huaji i gjashtë, që nga viti 2002, italiani Xhani De Biazi. Si e gjykoni punën e tij njëvjeçare, tani që në prag kemi dhe ndeshjen miqësore me Gjeorgjinë?

 – Italiani Xhani De Biazi, ndryshe nga trajnerët e tjerë, (Dosena, Brigel, Han, Bariç dhe Kuzhe) me të cilët, për arsye të ndryshme nuk kam pasur kontakte, është më i drejtpërdrejt. Kam pasur kontakte me De Biazin. Mendoj se është një intelektual dhe një trajner i prirur për të punuar. Duhet të kemi të qartë një gjë. Nuk mund t’ia vetëm japim atij çelësin e suksesit, nëse ka të tillë, pasi në futboll, ai përket shumë faktorëve, dhe nuk zë vetëm në një derë. E para, ne duhet të dimë se çfarë kampionati kemi; së dyti, cila është cilësia e tij dhe së treti, se cilët janë lojtarët. Gjykoj se, De Biazi po e rindërton ekipin, por një trajneri të huaj i duhen as më pak dhe as më shumë, por deri në katër vjet: që të ketë mendimin për filozofinë e lojës, argumentimin e lojtarëve që thërret, rezultatin që merr. Puna e trajnerit është komplekse. Nuk mund të flas shumë për De Biazin, por e shoh që është i angazhuar. Ne kemi shumë pretendime të mëdha, por punën e bëjmë të vogël.

 – Kampionati shqiptar po vuan nga ndërrimi i shpeshtë i trajnerëve. Sa për statistikë, nga 14 skuadra që ka Kategoria Superiore, 11 prej tyre i kanë ndryshuar ato. Ju jeni kreu i Shoqatës së Trajnerëve, përse ndodh kaq shpesh në Shqipëri?

 – Në Shqipëri ne kemi krijuar Shoqatën e Trajnerëve të Futbollit, e njohur edhe nga organizmat ndërkombëtare. Për momentin, jemi në pritje të një bashkëpunimi më të ngushtë me Federatën Shqiptare të Futbollit, ashtu siç ndodh dhe në vendet e tjera. Problemi i regjistrimit të trajnerëve në Shoqatë varet në vullnetit këtyre të fundit. Nëse ata nënshkruajnë një kontratë të rregullt dhe aderojnë në Shoqatë, natyrshëm që ne do të ndërmarrim hapat e nevojshëm të parashikuar nga statuti ynë, Përsa i përket ndërrimit të trajnerëve, ka disa veçori, që kanë të bëjnë me aspektin e kontratës që ka nënshkruar trajneri, detyrimet e klubit. Nëse një trajner shkarkohet brenda një muaji, atëherë ai mund të mbetet pa punë. Gjithsesi, dua të them se presidentët bëjnë sakrifica, pasi të japësh para nuk është e lehtë. Unë këmbëngul në idenë, se duhen më shumë biznesmenë në një klub për ta mbajtur atë, dhe jo vetëm në Kategorinë Superiore, por dhe në ato inferiore. Ekipet e elitës duhet të investojnë shumë, si në blerjen e lojtarëve, por dhe mbajtjen e ekipit. Më vjen mirë që bashkitë kontribuojnë për futbollin. Dua ta theksoj se, duhen investime në infrastrukturë, ajo është baza për një futboll të shëndetshëm dhe cilësor.

 – Shumë dyshime janë hedhur për kampionatin shqiptar, madje në Federatën Shqiptare të Futbollit kanë mbërritur vitin e fundit disa raporte për një numër ndeshjesh të dyshuara se kanë qenë më rezultat të parafiksuar, ndërkohë që edhe një organizëm ndërkombëtar si “Sportradar” e ka konsideruar futbollin shqiptar si më të korruptuarin në planet. Ju jeni nënkryetar i Komisionit të Etikës, një organizmit të ngritur pranë FSHF-së, pikërisht për të trajtuar këtë lloj problemi. Si do ta vlerësonit shqetësimin e ngritur nga ndërkombëtarët?

 – Është e natyrshëm që shqetësimi që ngrenë ndërkombëtarët duhet të jetë dhe shqetësimi ynë. Por, tani ajo është vetëm në fazën e dyshimit, pa pasur prova konkrete. Duhet të jemi të qartë, ne si Komision na duhen prova. Ne mund të akuzojmë shpesh, dhe në media kjo bëhet shpesh, por si duhet vepruar. Si veprohet në Itali që zbulohen drejtues apo sportistë që kanë ndikuar në fiksimin e ndeshjeve? Para pak ditësh mësova që në Rusi do të ndëshkohen me shtatë vjet burg, kushdo që ka trukuar ndeshjet. Ne duhet të bindemi se, kemi prova të pakundërshtueshme për të marrë edhe masa ndëshkimore. Ne s’mund të dënojmë ekipe vetëm për faktin se, përflitet në gazetë? Më falni, por këtu s’po dënohen njerëzit që kanë vrarë! Materialet që kanë mbërritur në Komisionin e Etikës janë të paplota. I mbetet të ardhmes, që të përsosim mekanizmat.

“Skënderbeu, favorit për titull”

 Kampionati pas pak ditësh do të nisë fazën e dytë. Skënderbeu kryeson me dhjetë pikë më shumë se Teuta e vendit të dytë dhe konsiderohet si favoriti kryesor për titullin kampion. Birçe tha: “Skënderbeu është prej tre vjetësh një skuadër e konsoliduar. Ka investuar fuqishëm dhe po merr frytet e punës së kryer. Është e vërtet që është një zgjim pas shumë vitesh, por në Korçë e duan shumë sportin. Korça është një qytet sportiv. Gjithsesi, unë shoh disa skuadra që do të rivalizojnë fort me korçarët, kjo dhe për të kapur një vend në Europë”.

 “Futbolli luhet për spektatorët”

 Trajneri Birçe veçoi faktin se, në Gjermani, Spanjë, apo Angli, stadiumet janë plot, teksa në vendin tonë ato janë bosh. “Kjo, – theksoi ai,  – pasi atje jetojnë me futbollin. Nuk shohin ndeshje me rezultat të paracaktuar, apo me cilësi të dobët. Futbolli luhet për spektatorin. Në Shqipëri ndiqet më shumë ekipi Kombëtar, pasi atje luhet me zemër dhe lojtarët japin gjithçka. Dikur në vendin tonë stadiumet mbusheshin plot, jo vetëm futbolli, por dhe basketbolli, volejbolli, po dhe atletika. Dikur edhe në garat e qitjes kishte shikues”.