Bedri Omuri: Të kemi një futboll sa më të pastër, kështu e rritim cilësinë

1069
Nga Agron KAJA


DEKLARATAT/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Tiranës, Besëlidhjes dhe Kombëtares, autori i “Golit të artë” kundër Belgjikës
Vite më parë keni qenë një futbollist elite në futbollin shqiptar, sot si ndjehet 60-vjeçari Bedri Omuri, disi i “fshehur” nga media e shtypi sportiv?
Unë nuk jam natyrë mediatike. Madje nuk më pëlqen mënyra se si funksionon media sportive në Shqipëri, e në veçanti emisionet sportive në televizione. Kjo është arsyeja që unë dukem sikur jam larg futbollit, por në fakt jam shumë afër me të. Ndërsa vitet bëjnë punën e tyre, mosha është diçka reale që duhet pranuar. Nostalgjia tregon, se kam kaluar vite të bukura në futboll.

Po sot, me apo pa futbollin jeni?
Kam dy vite që nuk jam më trajner te moshat e Tiranës, pas 24 viteve pune me këto grupmosha. Unë jam specialist futbolli dhe mënyra se si jam larguar, nuk ja vlen as ta përmendësh. Gjithsesi, unë jetoj me futbollin dhe me sportet e tjera, jo vetëm sepse jam specialist i sporteve në Bashkinë e Tiranës, por se sporti për mua është pasion, është jetë.

Për lexuesin e gazetës “Telegraf”, si mund t’ua sjellim Omurin në kujtesë me këtë bisedë?
Natyrisht, si një ish-futbollist që kam derdhur djersë për 16 vite me Tiranën, Kombëtaren dhe Besëlidhjen, dhe që nuk i jam ndarë fushës së futbollit, duke përgatitur breza futbollistësh tek Tirana. Njëherësh, unë kam punuar edhe si mësues i edukimit fizik në shkollë, ndërkohë që aktualisht jam specialist për sportet në Bashkinë e Tiranës.

Jeni pjesë e një skuadre të madhe në futbollin shqiptar, si u bë e mundur që ju të luanit me 17 Nëntorin e madh të saj kohe?
Unë kam filluar të luaj në futbollin elitar me 17 Nëntorin, në vitin 1976, falë trajnerit të madh Haxhi Arbana. Më mori nga të rinjtë e Shkëndijës dhe më dha një mundësi të madhe, e cila më bëri që të jetoj me futbollin. Si çdo fillim, edhe për mua atëherë ishte shumë e vështirë, sepse gjeta një ekip me emra të mëdhenj, tek të cilët gjeta mbështetjen më miqësore, në fushë e jashtë saj. 

E keni të ruajtur në memorien tuaj ndeshjen e parë të karrierës me 17 Nëntorin?
Ishte muaji janar i vitit 1976 dhe trajneri i atëhershëm i 17 Nëntorit, Fatmir Frashëri, më morri bashkë me skuadrën në Durrës, ku luajtëm kundër Lokomotivës për kampionat. Unë hyra në lojë në pjesën e dytë, por edhe sot më kujtohen ato emocione të mëdha, të cilat i kam të freskëta edhe sot në kujtesën time. Ndeshja përfundoi në barazim 1-1.

Gjatë karrierës suaj, si e kujtoni një ndeshje të mirë, por edhe një ndeshje të dobët?
Në karrierën time, me modesti e them se nuk kam asnjë ndeshje të keqe, ndërsa të mira janë shumë. Nga të gjitha të mirat, mund të veçoj dy në Ligën e Kampioneve: në vitin 1983 me Linfildin e Irlandës së Veriut dhe në vitin 1984 me Dinamon e Bukureshtit, ku 17 Nëntori me meritë kaloi turin eliminator. Por edhe ndeshjet “derbi” me Dinamon e Partizanin, apo edhe me Vllazninë mbeten si më të mirat. Atëherë ekipet kishin shumë emra të mëdhenj dhe rivaliteti ishte shumë i madh.

Por, karriera juaj bashkohet edhe me Kombëtaren, si i kujtoni vitet kur luajtët me uniformën kuqezi?
Edhe me Kombëtaren, unë kam kaluar moment të bukura, të cilat atëherë të jepnin më shumë kurajë e besim për vazhdimin e karrierës. Unë luajta në 16 ndeshje me Kombëtaren, sepse në kohën tonë ishin shumë të limituara ndeshjet e përfaqësueses. Në 3 golat që kam shënuar, natyrisht që veçoj atë kundër Belgjikës në vitin 1985, pas një pasimi të kalibruar të Demollarit.

Nëse brezi juaj do të kishte luajtur në kohën e sotme, çfarë mendoni se do të ndodhte me talentet e asaj kohe sot?
Për ne, atëherë ka qenë një periudhë e mirë dhe unë nuk tregohem nostalgjik sot në këtë bisedë, kur ju deklaroj se ka qenë një periudhë e shkëlqyer. Jo vetëm në Kombëtare, por në shumë skuadra të futbollit tonë kishte talente, të cilët nëse do të ishin sot, do të luanin me skuadra të mëdha në Evropë.

Për 16 vite që luajtët futboll, çfarë veçoni nga kjo periudhë?
Ka shumë për të thënë, por do të thosha se unë pata fatin që luajta me një brez që nuk i munguan emrat e mëdhenj, të cilët i dhanë cilësinë e kohës futbollit tonë. Përgatiteshim në mënyrë sistematike e shembullore dhe stërvitshmëria me kolektivitetin ishin “arma” jonë më e fortë në lojë. 

Nga koha që jeni ndarë prej fushës si futbollist, çfarë ka bërë Bedri Omuri?
Periudha 1991 e deri në vitin 2015, kur unë punova me përgatitjen e grupmoshave të futbollit te Tirana, kujtohet me nostalgji, largimi im prej aty kujtohet si një padrejtësi. Gjithsesi, e përmenda edhe më sipër, se unë ndjek çdo ndeshje të Tiranës në stadium dhe në televizor, ndjek të gjitha ndeshjet nëpërmjet ekranit, dhe kur më jepet mundësia, shikoj edhe ndeshje të moshave të Tiranës.

Në çfarë këndvështrimi e shikoni futbollin e sotëm të Kategorisë Superiore, me atë të kohës suaj kur luajtët si futbollist?
Krahasimisht, them se ka përmirësimet më të dukshme janë në infrastrukturë, e cila është edhe hallka kryesore për rritjen e cilësisë, por realisht futbolli ynë ka mangësi. Mendoj se duhet një menaxhim më profesional në klube, por duhen ringritur edhe ato klasat sportive që në kohën tonë prodhuan talente të mëdhenj, jo vetëm në futboll. Atëherë futbolli ynë kishte më shumë nivel e cilësi se tani, dhe ky realitet nuk flet shumë për cilësinë. 

Ndërkohë që sot, skuadra juaj e zemrës, Tirana, prej vitesh “vegjeton” në Superiore larg trofeve. Pse sipas jush kjo situatë?
Më sipër ju përmenda menaxhimin në futboll, dhe Tirana pikërisht këtu vuan shumë. Po të ishte ndryshe, në kaq vite do të dilet një herë Kampion, apo do të merrte një trofe, për të justifikuar punën ndryshe. Nuk më duket e arsyeshme kjo situatë.

Po për skuadrat që rivalizojnë në kreun e renditjes, cili është përshkrimi juaj?
Me sa shoh, mendoj se dy janë ato skuadra që do të luftojnë për Titullin Kampion, Kukësi dhe Skënderbeu. Ndërsa Partizanin e shikoj larg titullit, jo se fitoi javën e kaluar me Tiranën, por sepse gjithçka në paraqitjet e tij nuk të jep idenë e një kampioni.

Edhe fundi i renditjes në Kategorinë Superiore, duket interesant në këto 22 javë?
Edhe në këto pozicione në renditje, unë shikoj tre skuadra, pa menduar Korabin që realisht duket si në Kategorinë e Parë. Kështu si po luajnë Tirana, Flamurtari, Teuta e Laçi, besoj se e kanë komplikuar shumë gjendjen e tyre për mbijetesë, dhe nga ky grup do të dalë skuadra e dytë që do të zbresë një kategori më poshtë.

Por Tirana është edhe skuadër gjysmëfinaliste e Kupës së Shqipërisë, nuk është ky një shans për të treguar vlerat kjo skuadër?
Jemi në turin gjysmëfinal dhe asgjë nuk është e sigurt për Tiranën. Kur ke problem me kampionatin, kupa është diçka tjetër që në rastin e Tiranës nuk ndikon pozitivisht. Nëse e mendon veten të mbijetuar në Superiore dhe me Kupën kërkon një vend në Evropë, unë vetëm do të uroja që synimet të bëhen realitet.
Mendoj se dhuna që shfaqet shpesh në fushat dhe stadiumet tona të futbollit, mbetet njëra nga shkaqet që ne nuk kemi ndonjë nivel të lartë. Dukuri negative janë edhe gjykimet e dobëta, rolin negativ që disa presidentë skuadrash reflektojnë ndaj gjyqtarëve dhe skuadrave kundërshtare, dhe në rast se futbolli pastrohet prej tyre, do të kemi atë futboll që kërkojmë
Ka pak përmirësim në futboll, i cili evident është vetëm në infrastrukturë. Ne nuk jemi vend që “prodhojmë” shumë talente në futboll, por edhe ata pak që dalin, më shumë u shërbejnë skuadrave të huaja. Ka një dukuri në futbollin tonë: ekipet kanë shumë futbollistë të huaj, ndërsa në Kombëtare pjesa më e madhe luajnë në skuadra jashtë Shqipërisë
BEDRI OMURI
Datëlindja: 26 janar 1957
Vendlindja: Tiranë
Lidhjet me futbollin elitar: Në vitin 1976 me të rriturit e 17 Nëntorit (sot Tirana)
Skuadrat ku ka luajtur: Me 17 Nëntorin në vitet 1976-1978; me Besëlidhjen në vitet 1979-1981; me 17 Nëntorin në vitet 1981-1991
Tituj e trofe me Tiranën: Kampion në sezonet 1981-1982, 1984-1985, 1987-1988, 1988-1989; Kupën e Shqipërisë në sezonet 1976-1977, 1982-1983, 1983-1984, 1985-1986
Me Kombëtaren: Në vitet 1981-1988 ka luajtur 16 ndeshje, ka shënuar 3 gola
Si trajner: Në periudhën 1991-2015, dhe trajner me të gjitha ekipet e moshave të Tiranës deri në U 19 në Superligë, njëherësh edhe mësues i edukimit fizik 
Tituj personalë: “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Urdhri Naim Frashëri”, Klasi III
Aktualisht: Specialist për sportet në Bashkinë Tiranë

16 vite
Kjo është periudha që Bedri Omuri luajti futboll në nivele superior, 14 vite me 17 Nëntorin e Tiranës dhe 2 vite me Besëlidhjen e Lezhës

8 trofe
Në karrierën e tij si futbollist me 17 Nëntorin, Bedri Omuri ka arritur të fitojë 4 herë Titullin Kampion dhe 4 herë Kupën e Shqipërisë
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet/ Java e 23-të
Sot, datë 25 shkurt 2017
Luftëtari-Laçi 14:00
Teuta-Korabi 14:00
Vllaznia-Skënderbeu 17:00
Nesër, datë 26 shkurt 2017
Kukësi-Partizani 14:00
Tirana-Flamurtari 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Kukësi 22 46
2.Skënderbeu 22 44
3.Partizani 22 42
4.Luftëtari 22 28
5.Tirana 22 27
6.Vllaznia 22 27
7.Teuta 22 23
8.Laçi 22 21
9.Flamurtari 22 20
10.Korabi 22 11
(Flamurtari është penalizuar 
nga KD me -6 pikë)
Në Kombëtare, ka futbollistë që nuk aktivizohen në klube
Si ish-futbollist i Kombëtares, Bedri Omuri shprehet edhe kritik për futbollistët e saj, pasi sipas tij pjesa më e madhe nuk luajnë në skuadrat në kampionatet ku bëjnë pjesë. “Më duket se Kombëtarja jeton akoma me ëndrrën e “Francë 2016”. Nuk mund të mendohet ndryshe, kur sot jemi në situata inferiore në Grupin G eliminator për “Botërori 2018”, deklaroi fillimisht Bedri Omuri për situatën në Kombëtaren tonë të futbollit, e më pas, ai shprehu idenë e një përfaqësimi dinjitoz në “Euro 2010”. “Në grupin tonë për këtë botëror janë Spanja dhe Italia, disa herë Kampione Bote, dhe për ne çdo synim kualifikimi tashmë duket si utopi. Më mirë do të jetë që të përgatitet qysh tani një ekip që të pretendojë për “Evropianin 2020”, sepse ka talente në U 19 dhe U 21”.
FSHF-ja përcakton arbitrit nga Malta
Sektori i Gjykimit ne Federatën Shqiptare të Futbollit bën publikë emrat e arbitrave maltezë të cilët do të arbitrojnë këtë fundjavë në ndeshjet e futbollit shqiptar, në një takim të Kategorisë Superiore dhe në një takim të Kategorisë së parë.
Datë 25 shkurt 2017
Kategoria e Parë
Apolonia-Lushnja Ora 14:00
Gjyqtarë: Sandro Spiteri, Peter Abela, 
Ryan Aquilina dhe Glen Tonna
Kategoria Superiore
Vllaznia-Skënderbeu Ora 17:00
Vëzhgues: Alexander Arena
Datë 26 shkurt 2017 
Kategoria Superiore
Tirana-Flamurtari Ora 17:00
Gjyqtarë: Glen Tonna, Peter Abela, 
Ryan Aquilina dhe Sandro Spiteri

LIGA E EVROPËS
SHORTI 1/8
“Buzëqesh” Junajtid, Roma në vështirësi
Dje në Nion të Zvcrës u hodh shorti për fazën e 1/8-ave të Ligës së Evropës, ku 16 skuadrat e mbetura në garë kanë mësuar rivalët e tyre, përballjet me të cilët do ti luajnë në datat 9 dhe 16 mars 2017. Sikundër janë ndarë skuadrat, Mançester Junajtidit duket se do ta ketë të lehtë përballjen me skuadrës ruse Rostov, ndërkohë që Romës, përballë francezëve të Olimpik Lionit do ti duhet që të djersitë shumë për të kaluar në çerekfinale. Por, ky short ka qenë edhe interesant në disa çifte të tjera, ku përballë janë vënë skuadra nga i njëjti shtet, si gjermanet Shalke-Borusia Mynshenglabah dhe bekget Genk-Genk. Përballje rivalësh mendohet edhe ajo mes Olimpiakos së Pireut me Beshiktashin e Stambollit, si edhe Kopenhagen-Ajaks.

Ja përballjet:
Selta Vigo- Krasnodar
APOEL-Anderleht
Shalke-B. Mynshengladbah
Olimpik Lion-Roma
Rostov-Mançester Junajtid
Olimpiakos-Beshiktash
Gent-Genk
Kopenhagë-Ajaks
Sigal