Bedri Omuri: Skënderbeu po ecën me hap Kampioni, Kamza, Laçi e Partizani “bukuritë” e javës

797
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Ndeshjet e javës së 13-të sfiduan motin me reshje, për ish-mesfushorin e Tiranës e Kombëtares një fundjavë me dritëhije
Nisur nga situata e motit me reshje shiu, si i përshkruani në zhvillimin e tyre, katër ndeshjet e luajtura në javën e 13-të të Kategorisë Superiore?
Normalisht, gjendja e fushave dhe e terreneve sportive në tërësi, mendoj se kanë qenë të ngarkuara nga reshjet e shirave të këtyre ditëve. Por, në tërësi, në Kategorinë Superiore janë të mira, dhe FSHF-ja i ka vlerësuar ato, ndaj edhe ka lejuar zhvillimin e ndeshjeve.

Ishte normale që, të gjitha kategoritë e tjera në futbollin shqiptar iu bindën motit të keq dhe Kategoria Superiore, jo?
Duke qenë se vetëm Superiorja garantonte ndeshje normale në këtë mot me reshje, mendoj se është normale që gara të vazhdonte. Ndryshe janë stadiumet, fushat dhe terrenet në kategoritë e tjera.

Rezultatet që janë fiksuar në këto katër ndeshje të javës së 13-të, si i mendoni, në logjikë apo të papritur?
Ndoshta ishin të papritura fitoret e Kamzës dhe Laçit, sepse të dyja ishin në transfertë, ndërsa fitorja e Skënderbeut me Kukësin dhe ajo e Partizanit në Lushnje, edhe në logjikë kanë qenë të tilla.

Cilën nga ndeshjet e kësaj jave e veçoni si më të mirën në lojë dhe në rezultat?
Natyrisht që sfida Skënderbeu-Kukësi 2-1 mbetet e veçanta e kësaj jave. Të dy skuadrat rivale luajtën mirë. Bënë luftë sportive gjatë gjithë ndeshjes, por krijuan edhe shumë raste shënimi. Nëse Guri do të shënonte për Kukësin në fundin e ndeshjes, rezultati mund të ishte i barabartë, dhe nuk do ishte surprizë.

Po për tre ndeshjet e tjera, çfarë përshkrimi keni, në lojë dhe në rezultatet që u arritën?
Më pëlqeu Laçi, i cili ka një ekip të ri në moshë, por që luan me veprime të sakta, ndërsa Vllaznia ishte e lodhshme dhe apatike. Kamza u tregua e zgjuar dhe cinike ndaj një Teute të lodhur, ndërsa Partizani në Lushnje tregoi vlerat e fanellës së vet.

Fitorja e Skënderbeut me Kukësin, mund të quhet si një hap i madh për të rritur distancën me rivalët për titullin kampion?
Është shpejt për të përcaktuar skuadrat në të dy kahet e renditjes, por me këtë shkëputje, mendoj se 90% Skënderbeu do të jetë kampion. Kështu duket se nuk do të ketë rivalë, pa përjashtuar edhe ndonjë të papritur, të cilat në futboll janë të pranishme.

Tre skuadrat e tjera pas Skënderbeut, i mendoni se në vazhdimësi do ta rivalizojnë skuadrën korçare?
Të tria skuadrat e tjera, Kukësi, Kamza e Flamurtari, ndoshta edhe Partizani, do të luftojnë mes tyre për të kapur një vend sa më të mirë në renditje për të shkuar në Evropë. Ndoshta titulli për këto do të jetë vetëm një iluzion gjatë garës.

Veç Lushnjes të fundit në renditje, zona e mbijetesës do të kapë më shumë skuadra?
Sikundër po dalin ndeshjet, së bashku me Lushnjën do të jenë Teuta, Vllaznia e Luftëtari, sepse të gjitha skuadrat e tjera janë më të shkëputura. Mendoj se Lushnja është me një këmbë në Kategorinë e Parë, dhe tre të tjerat do të ndajnë vendin e dytë që do të zbresë një kategori më poshtë.

Sot zhvillohet ndeshja e fundit e javës së 13-të, Luftëtari-Flamurtari, si i përshkruani dy skuadrat në këtë prag?
Luftëtari ka skuadër me lojtarë që dinë të luajnë futboll, dhe mund të kishte më shumë pikë, ndërsa Flamurtari ka lojtarë më të mirë që bëjnë diferencën. Do të jetë një ndeshje e fortë, e cila do të zhvillohet edhe në vartësi të terrenit në fushën e stadiumit.
Me këtë shkëputje, mendoj se 90% Skënderbeu do të jetë kampion. Kështu duket se nuk do të ketë rivalë, pa përjashtuar edhe ndonjë të papritur, të cilat në futboll janë të pranishme
Tensioni jashtë fushe në Korçë, banderolat përplasën tifozët
Pak momente para fillimit të ndeshjes në Korçë, ka pasur disa konfrontime mes tifozerive të të dyja skuadrave. Për të mbështetur ekipin e Kukësit, kishin udhëtuar disa tifozë, edhe pse distanca është e largët. Gjatë ndeshjes, një tifoz i Kukësit kërkoi të shkonte tek homologët korçarë, pasi një banderolë e vënë prej tyre e fyente skuadrën kuksiane.
Skënderbeu-Kukësi
Bilanci në Kampionat
Ndeshje 18
Fitore Skënderbeu 7
Barazime 6
Fitore Kukësi 7
Golavarazhi 23:24
KATEGORIA SUPERIORE
Rezultatet-Java e 13-të
Të shtunën, 2 dhjetor 2017
Teuta-Kamza 0-1
Shënues: Raçiç 28’
Skënderbeu-Kukësi 2-1
Shënues: Taku 36’, 
Xhejms 69’/ Guri 43’
Të dielën, 3 dhjetor 2017 
Vllaznia-Laçi 1-2
Shënues: Hasani 6’/ 
Rexhinaldo 45’ , Lushkja 87’
Lushnja-Partizani 0-3
Shënues: Batha 60’, 
Progni 73’, Trashi 82’
Sot, e hënë 4 dhjetor 2017 
Luftëtari-Flamurtari 13:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 13 31
2.Kamza 13 23
3.Kukësi 13 22
4.Flamurtari 12 21
5.Laçi 13 18
6.Partizani 13 18
7.Teuta 13 15
8.Vllaznia 13 12
9.Luftëtari 12 9
10.Lushnja 13 5
Sigal