Bedri ALIMEHMETI / Zhdukja e një kampionati

468
Sigal

Dosier / Historia e sfumimit të çuditshëm të një edicioni futbollistik në Shqipërinë e vitit 1948

Për nga radha ky kampionat i sfumuar nga historia e futbollit shqiptar bie të ketë qenë XII, sepse për të mbërritur tek ngritja e siparit të tij, nga 21.03.48 deri më 23.08.48 është zhvilluar kampionati XI. Në të garuan 14 ekipe ndarë në dy grupe, A dhe B. Në grupin A bënin pjesë: Partizani, Vllaznia, 17 Nëntori,Ylli i Kuq i Durrësit, Besa, Dinamo e Korçës. Kurse në atë B: Flamurtari, Bashkimi Elbasanas, Shqiponja e Gjirokastrës, Apolonia e Fierit, 8 Nëntori i Shijakut, Traktori i Lushnjës, Tomori i Beratit dhe Spartaku i Kuçovës. Por, nëse e vështrojmë me kujdes këtë ndarje në dy grupe, të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me dy kategori ekipesh A dhe B. Themi kështu sepse, kushdo e ka të qartë që skuadrat e grupit A janë gjashtë ekipet më të mirë të vendit, kurse në grupin B (nuk e dimë se për [‘arsye janë përfshirë 8 ekipe), bëjnë pjesë skuadra me nivel relativisht më të ulët. Pavarësisht nga kjo në grupin A “lufta” për vendin e parë u zhvillua midis Partizanit e Vllaznisë, që në përfundim arritën tregues të barabartë, nga 8 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, duke grumbulluar nga 17 pikë. Por, për shkak të golaverazhit më të mirë 34-8 (+26), kundrejt atij të Vllaznisë 26-7 (+19) vendin e parë dhe të drejtën për në finalen e titullit e siguroi Partizani. Në grupin B vendin e parë e siguroi Flamurtari i Vlorës, që arriti 8 fitore, barazoi 4 dhe humbi 2 ndeshje me golaverazh 47-19 (+ 28), 20 pikë. Finalja midis Partizanit dhe Flamurtarit u luajt më datën 23 gusht 1948 dhe përfundoi 6-2 për Partizanin, që siguroi kështu titullin e dytë radhazi. Në përfundim të kampionatit në bazë të rezultateve të arritura Federata Shqiptare e Sporteve ka bërë edhe renditjen përfundimtare të të gjitha skuadrave pjesëmarrëse. 1- Partizani, 2- Flamurtari, 3- Bashkimi Elbasanas, 4- Apolonia e Fierit, 5- Vllaznia e Shkodrës, 6- Shqiponja e Gjirokastrës, 7- 8 Nëntori i Shijakut, 8- 17 Nëntori i Tiranës, 9- Traktori i Lushnjës, 10- Tomori i Beratit, 11- Ylli i Kuq i Durrësit, 12- Spartaku i Kuçovës, 13- Besa e Kavajës, 14- Dinamo e Korçës.

Ndërkohë rreth pesë javë pas përfundimit të këtij kampionati, më 3 tetor 1948 ngrihet sipari i kampionatit pasardhës. Pra, nis rrugëtimin Kampionati XII Kombëtar i Futbollit, i cili papritmas në mënyrë krejtësisht të çuditshme, ndërpritet për të mos e çuar kurrë deri fund misionin e nisur, shpalljen e ekipit kampion. Nuk dihet të ketë ndodhur në ndonjë vend tjetër të Botës, ku është luajtur dhe vijon të luhet loja e mrekullueshme e topkëmbës, madje edhe në kohë lufte nuk ka ndodhur gjëkundi, që edicioni futbollistik të ketë nisur dhe pasi të ketë luajtur një numër të konsiderueshëm ndeshjesh të anulohet. Pra, të ndalësh një veprimtari, që grumbullon ushtrues e shikues të panumërt, që argëtohen bashkërisht, do të thotë të tallesh e të nëpërkëmbësh ndjenjat e të gjithë atyre pjesëmarrësve. Një handikap i paparë dhe i paimagjinueshëm! Krejt befas të ndërpritet me një të rënë të lapsit apo me urdhër nga lart, dhe njëherësh të fshihet nga historia si të mos ishte luajtur fare, teksa për vite të tëra të mos shkruhet e thuhet asgjë për të. Thua vërtet sikur të jetë zhvilluar një veprimtari e jashtëligjshme, një tabu, madje e dëmshme dhe e rrezikshme. Ka ndodhur kështu në vjeshtën e vitit 1948. Për të ardhur keq vërtet, por në monstruozitet e përjetimit të një periudhe aq të zymtë e të errët, mbarsur me aq shumë perversitete një paradoks i tillë ishte normal të ndodhte, pa thënë se në Shqipërinë e asaj kohe, nga politikanët mediokër, tejmase të [orientuar nga zhvillimet e fundit, teksa po përjetonin me dhimbje shkëputjen nga diktati i politikës jugosllave, jo pritej por mund të ndodhte gjithçka. Madje, si sahanlëpirës të asaj politike dëshmon më së miri edhe fakti, që deri më atë kohë imitimi i modeleve të servirura nga Beogradi dukshëm spikaste edhe në futboll. Veçmas Partizanit për emërtimin e të cilit ishte nxituar të hiqej emri Ushtria që më 1946, thuajse njëherësh me atë të skuadrës së Armatës së Jugosllavisë, që ishte quajtur Partizani i Beogradit. Për ta çuar deri në fund modelin e “Druzhe Titos”, klubi historik Teuta e Durrësit u quajt Ylli i Kuq, si Cërvena Zvezda e Beogradit dhe Skënderbeu i Korçës në Dinamo, si Dinamo e Zagrebit (!). Por, përpara se të mbërrinim tek ndërprerja e padrejtë e këtij kampionati duhet të kujtojmë që më 24 qershor 1948 në kupolën e komunistëve shqiptarë kishte mbërritur letra nga Informbyroja e vendeve të ish-kampit të Demokracive Popullore, ku bëhej me dije për devijimin nga rruga marksiste-leniniste e komunistëve jugosllavë me në krye Josif B. Titon. Madje, bashkë me letrën ishte dërguar e plotë edhe Rezoluta e Byrosë Informative “Mbi gjendjen në Partinë Komuniste Jugosllave”. Pra, ishte një moment kyç në historinë e pushtetarëve shqiptarë, të cilët menjëherë ndërrojnë kursin e politikës, duke kaluar nën tutelën e komunistëve sovjetikë. Ndërkohë u vunë në bankën e të akuzuarve mbështetësit më të flaktë të politikës së Titos, zyrtarë të lartë të Partisë e të shtetit si: Koçi Xoxe, Kristo Themelko, Nesti Kerenxi etj., dhe u sulmuan në të gjitha fushat e jetës imitimet nga modelet jugosllave. Në këtë rast përfitoj shumë futbolli. Drejtuesit e asaj kohe të Federatës Shqiptare të Sporteve, shkolluar nëpër vendet perëndimore mes të cilëve shquhej Kryetari i saj, i paharruari Anton Mazreku (dhe gjasat janë të shumta që nisma të ketë qenë kryesisht e tij) shpejtuan t’i emërtojnë skuadrat e futbollit me emrat e qyteteve të tyre. Modelet jugosllavë u zhdukën dhe në vend të tyre me përjashtim të Partizanit, kemi emrat e bukur të qyteteve: Tirana, Vlora, Shkodra, Korça, Durrësi, Kavaja dhe Elbasani. Por, nuk mbaron këtu. Në kuadrin e këtyre ndryshimeve Federata vendosi që kampionatin XII ta organizojë sipas stilit europiano-perëndimor në periudhën vjeshtë-pranverë. Ndaj dhe kampionati XII (i zhdukur) nis rrugëtimin në vjeshtë, më 3 tetor 1948. Në javën I u takuan: Partizani-Durrësi 3-0, Shkodra-Kavaja 1-0, Vlora-Tirana 0-3, Kor]a-Elbasani 6-1. Java II, 10.10.48: Kavaja-Partizani 1-5, Durrësi-Shkodra 0-1, Tirana-Korça 2-0, Elbasani-Vlora 1-1. Java III, 17.10.48: Partizani-Elbasani 9-1, Shkodra-Tirana 0-1, Korça-Durrësi 1-2, Vlora-Kavaja 0-5. Java IV, 31.10.48: Partizani-Korça 5-0, Shkodra-Vlora 13-0, Kavaja-Tirana 2-3, Durrësi-Elbasani 3-0. Java V, 14.11.48: Tirana-Partizani 0-0, Elbasani-Shkodra 0-6, Vlora-Durrësi 1-1, Korça-Kavaja (nuk u zhvillua). Java VI, 21.11.48: Partizani-Vlora 4-0, Durrësi-Tirana 2-1, Korça-Shkodra (nuk u zhvillua), Elbasani-Kavaja 2-2. Pra nga 24 takime u zhvilluan 22 dhe renditja provizore ishte kjo: I – Partizani 11 pikë, golat 26-2, II-Tirana 9, 10-4, III – Shkodra 8, 21-1, IV- Durrësi 7, 8-7, V – Kavaja 3, 10-11, VI – Korça 2, 7-10 VII – Elbasani 2, 5-27, VIII – Vlora 2, 2-27. Kështu pas javës VI kampionati ndalet. Më saktë fshihet nga historia. Për të nuk flitet më. Cila ishte arsyeja? Jemi të mendimit se kryesorja ka qenë ajo e ndjekjes së kursit të politikës sovjetike, diktati i së cilës në kupolën e qeverisë shqiptare ishte determinant. {ka do të thotë se, nuk mund të lejohej zhvillimi i kampionatit shqiptar sipas stilit perëndimor. Për shkak të kushteve atmosferike në Rusi, Ukrainë, Bjellorusi etj., edhe sot kampionatet respektivë luhen pranverë-vjeshtë. Shqipëria edhe pse ishte mijëra kilometra larg vendit të sovjetëve duhej ta luante kampionatin e futbollit, në të njëjtën periudhë. Pak më vonë u kopjua komplet sistemi sovjetik i shoqërive “TRUD” (Puna) dhe të gjithë skuadrat e qyteteve tona u quajtën PUNA. Madje, kështu vazhdoj deri në vitin 1960 kur ndodhi prishja me sovjetikët, futbolli shqiptar u rikthye tek stili europianopërëndimor i zhvillimit të kampionateve vjeshtë-pranverë. Por, duhet thënë se, pavarësisht nga shkaqet e ndërprerjes së tij, kampionati XII duhej t’i riniste ndeshjet në pranverën e 1949, aty ku i kishte ndërprerë me takimet për javën VII. Por, nuk ka ndodhur kështu. Më 27.05.49 ka ngritur siparin Kampionati XII dhe në javën e parë janë arritur këto rezultate: Partizani-Fieri 9-0, Shkodra-Durrësi 2-1, Shijaku-Kavaja 1-2 dhe Elbasani-Tirana 3-2. Kampionati i nisur në vjeshtë të 1948, ishte anatemuar, dërguar përgjithmonë në prehistori (!).

___________________________________________________________________________________

EKIPET

Në kampionatin e vitit 1948 garuan 14 ekipe ndarë në dy grupe, A dhe B. Në grupin A bënin pjesë: Partizani, Vllaznia, 17 Nëntori,Ylli i Kuq i Durrësit, Besa, Dinamo e Korçës. Kurse në atë B: Flamurtari, Bashkimi Elbasanas, Shqiponja e Gjirokastrës, Apolonia e Fierit, 8 Nëntori i Shijakut, Traktori i Lushnjës, Tomori i Beratit dhe Spartaku i Kuçovës.

__________________________________________________________________________________

ABSURDI

Nuk dihet të ketë ndodhur në ndonjë vend tjetër të Botës, ku është luajtur dhe vijon të luhet loja e mrekullueshme e topkëmbës, madje edhe në kohë lufte nuk ka ndodhur gjëkundi, që edicioni futbollistik të ketë nisur dhe pasi të ketë luajtur një numër të konsiderueshëm ndeshjesh të anulohet. Një handikap i paparë dhe i paimagjinueshëm!