Bedri Alimehmeti: Uroj të përjetojmë atmosferë futbollistike në ritmin e “Kazaçokut”, valles së famshme ruse

737
Sigal

Nga Agron KAJA

Në prag të finaleve të Botërorit “Rusi 2018”, ja si vjen atmosfera e tij nga gazetari, shkrimtari e “Mjeshtër i Madh”, nga Roma ai sjell edhe emocionet shqiptare për këtë event të futbollit botëror

Jeni bërë edhe ju pjesë në atmosferën e Botërorit të futbollit “Rusi 2018”?

Dhe të mos duash, si pa kuptuar kushdo e sheh veten të përfshirë në këtë festë të bukur sportive. E kam fjalën jo vetëm për ne gazetarët sportivë, por edhe për ata njerëz të thjeshtë që largojnë disi mendjen nga vështirësitë e problemet e ditës, le pastaj profesorë e akademikë, etj.

Kur mbani mend që të keni ndjekur Botërorin e parë në jetën tuaj?

Personalisht, pjesë e atmosferës së botërorëve jam ndjerë që nga Kampionati i vitit 1954, kur sapo kisha filluar të kuptoja paksa italisht, dëgjoja në radio emrat e futbollistëve të famshëm hungarezë: Pushkash, Bozhik, Hidegud, Grosiç etj., dhe të gjermanëve Shefer, Veber, Han etj., në atë finale dramatike 3-2 për gjermanët.

Si e shikoni atmosferën mediatike e qytetare në Shqipëri në prag të Botërorit?

Më lart ju fola diçka lidhur me këtë pyetje. Gjithsesi, shtypi i përditshëm dhe mediat audiovizive prej kohësh e kanë në qendër të vëmendjes Botërorin “Rusi 2018”, madje di që, si dhe herë të tjera, nuk do të mungojnë emisionet e drejtpërdrejtë.

Do të ndjehet në këtë Botëror mungesa e Italisë dhe Holandës?

Sigurisht që po, dhe madje shumë. “Mondiale senza l’azzurro” shkruante dje një revistë prestigjioze italiane “…e un pecato o forse un errore?!” (është një mëkat apo një gabim?). Gjithsesi, këto janë gjëra që kanë ndodhur dhe do ndodhin nëpër botërorë.

Ju për cilën skuadër do të bëni tifo në këtë Botëror?

Me qenë se mungon Italia, nuk diskutohet për Anglinë, por do mbështes edhe Zvicrën e Suedinë, në radhët e të cilëve luajnë futbollistë shqiptarë. Madje edhe Belgjikën, nëse aktivizon Jonuzajn.

Si e mendoni rivalitetin që në ndeshjet në grupe?

Padyshim që nuk do të mungojë. Do të jetë interesant e tërheqës, sidomos në grupin E ku luajnë Brazili, Zvicra, Kosta Rika dhe Serbia. Në grupet e tjerë them se do të dominojnë skuadrat e traditës.

Po për fitimin e Kupës, mendoni se rivale do të jenë skuadrat e traditës?

Këtu kam parasysh Gjermaninë, Brazilin, Spanjën, Francën, Argjentinën, Anglinë e Portugalinë, skuadra këto nga të cilat do të dalë kampionia e re e Botës. Vështirë të ketë surpriza, gjithsesi nuk i përjashtoj.

Si keni menduar t’i ndiqni këto finale të Botërorit?

Për shkak të një angazhimi familjar, aktualisht gjendem në Romë, nga ku për herë të parë do t’i ndjek finalet jashtë Shqipërisë. Do më mungojë atmosfera e Tiranës, por do jem mes miqsh italianë, me të cilët përjetova në nëntor eliminimin e “azzurri” nga Suedia, që nuk arriti të organizojë një sulm në portën e Italisë.

Çfarë këshilloni për mediat në këtë prag të Botërorit?

Të mos kenë në panele politikanë dhe analisto-opinionistët e përçdonatshëm. T’i lenë më në fund të qetë teleshikuesit në përzgjedhjen e në rehatin e tyre. Stop pranisë së miseve, që veçmas broçkullave qesharake, më së shumti gjenden aty për të ekspozuar gjokset, këmbët e fustanet.

Duhet të ketë më shumë informacion mediatik para dhe gjatë Botërorit?

Padyshim, madje me hapat gjigantë të këtij digjitalizimi, informacioni duhet të jetë më i bollshëm dhe më i hollësishëm. Në harkun e 31 ditëve, në 64 takimet që do të luhen, do përjetojmë një atmosferë të paparë futbollistike, së cilës i uroj të ketë ritmin e “Kazaçokut”, valles së famshme ruse.

Për herë të parë në TV kam ndjekur Botërorin “Angli 1966”, e në vijimësi deri sot. Dhe këto ditë, ndonëse i dëshpëruar nga dy disfatat e rënda të kombëtares sonë, gjithsesi gjendem tërësisht në atmosferën ruse të kampionatit që po troket

Imagjinoni se cilat ekipe mbeteshin jashtë botërorit kur numri i finalistëve ishte me 16 ekipe! Është vërtet për të ardhur keq që nuk do të jetë katër herë kampionia e Botës Italia e Rosit, Maldinit, Barezit, Zofit, Del Pieros, Pirlos, Bufonit, Tottit etj., do mungojë tri herë finalistja në botërorë, Holanda e Krujfit, Krolit, Hulshofit, Neskens, Han, Van Basten, Gulit, Roben etj

Skuadrat e Grupit B

 

PORTUGALIA

Themelimi: 31 mars 1914

Pjesëmarrje: 6 herë

Suksesi në gj/finale: 2 herë

(1966 dhe 2014)

President: Fernando Gomez

Trajner: Fernando Santos

Ylli në ekip: Kristiano Ronaldo

Slogani: E kaluara, lavdi; e tashmja, histori

 

SPANJA

Themelimi: 14 nëntor 1909

Pjesëmarrje: 14 herë

Suksesi në gj/finale: 2 herë

(1934 dhe 2014)

Në finale: 1 herë (2010)

Kampione: 1 herë (2010)

President: Ruis Rubiales

Trajner: Zhulien Lopetegiu

Kapiten: Serxhio Ramos

Slogani: Së bashku jemi të pamposhtur

 

MAROKU

Themelimi: Viti 1955

Pjesëmarrje: 4 herë

(1970, 1986, 1998, 2018)

Suksesi në Botërorë:

President: Fouzi Lekjaa

Trajner: Herve Renard

Ylli në ekip: Med’hi Benatia

Slogani: Luanët e Atlasit, krenaria e Marokut

 

IRANI

Themelimi: Viti 1920

Pjesëmarrje: 4 herë

(978, 1998, 2006, 2014)

Suksesi në Botërorë:

President: Mehdi Taj

Trajner: Karlos Kueiroz

Ylli në ekip: Sardar Azmoun

Slogani: 80 milionë persona, 1 komb

 

GRUPI B/ NDESHJET

Shën Peterburg/ 15.06.2018

Marok-Iran                  18:00

Soçi/ 15.06.2018

Portugali-Spanjë          21:00

Moskë/ 20.06.2018

Portugali-Marok          15:00

Kazan/ 20.06.2018

Iran-Spanjë                  21:00

Saransk/ 25.06.2018

Iran-Portugali              21:00

Kaliningrad/ 25.06.2018

Spanjë-Marok              20:00

 

Miqësore dje

E hënë, 4 qershor 2018

Indi-Kenia                   3-0

Armeni-Moldavi         0-0

Serbi-Kili

Itali-Holandë

Miqësore sot

E martë, 5 qershor 2018

Kazakistan-Azerbajxh.16:00

Kinë-Zelanda e Re      16:30

Rumani-Finlandë        19:30

Luksemburg-Gjeorgji  20:00