Bedri ALIMEHMETI/ Rexhep SPAHIU, shkëlqim i dyfishtë në fushë e në bankinë

1556
Sigal

Dossier / Trajneri që e ngjiti skuadrën e Partizanit në podiumin e nderit

   Rrugica e parë që derdhet në rrugën “Barrikada”, fill pasi kalon kryqëzimin e saj me atë të rrugës “Dibra” është ajo me emrin “Zenel Baboçi”. Zonë kjo në “zemër” të kryeqytetit populluar kryesisht nga familje autoktone, nga vatrat e të cilave ndër vite kanë buruar sportistë të disiplinave të ndryshme, që kanë lënë gjurmë në historinë e sportit tonë. Në brendësi të kësaj rrugice ndodhet edhe sot një shtëpi e thjeshtë karakteristike tiranse, ku u lind dhe u rrit një talent i madh i topkëmbës shqiptare, Rexhep Spahiu shkëlqimi i të cilit në yllësinë e këtij sporti magjik, qe i dyfishtë e madje me të njëjtën inkandeshencë, si në fushën e gjelbër kur luajti vetë, ashtu edhe në bankinë ku drejtojë si trajner.

        Pikërisht në oborrin e kësaj shtëpie, brodhi së pari pas topit Xhepi (kështu e kanë thirrur gjatë gjithë jetës shokët e miqtë), më pas nëpër gurët e kalldrëmit të rrugicës, në sheshin pranë xhamisë “Met Fira”(sot gjimnazi “Sami Frashëri”) në oborrin e shkollave “Dora d’Istria” e “Hasan Vogli” dhe në fushën e Shallvares, ku me bashkëmoshatarë nga familje të hershme tiranse: Gjinali, Alimehmeti, Topi, Bulku, Fuga etj., u mbrujt eu formua talenti i tij. Ai ishte ende nxënës në gjimnaz kur nisi të aktivizohej me skuadrën e Sportklubit, e madje në kampionatin e vitit 1942 do të shpallej kampion, por për fat të keq ai kampionat si edhe dy të tjerë zhvilluar në vitet 1939 e 1941, nuk janë homologuar ende nga FSHF. Më pas u bë pjesëtar aktiv i skuadrës “Rrufeja”, e cila pak më vonë duke u bashkuar me ekipin “Shpresa” formuan të famshmen “Shprefe”, që bëri emër në kohën e pushtimit fashist. Në formacionin e “Shprefes” bashkë me Prokop Myzeqarin, Arif Pezën, Skënder Begejën, Zyber Lisin (Fagun), Petrit Kambon, Osman Pengilin etj., Rexhep Spahiu doli fitues ndaj skuadrave të garnizoneve italiane “Alba”, të aviacionit e të xhenios, që ishin instaluar në Tiranën e asaj kohe.

        Pas çlirimit punoi mësues i edukimit fizik në shkolla të ndryshme të kryeqytetit, ndërkohë vijonte të luante futboll me shumë sukses me ekipin e Tiranës, në radhët e të cilit ishte i padiskutueshëm pjesëtar i formacionit bazë. Dhe kjo falë talentit e aftësive të tij të jashtëzakonshme. Rexhep Spahiu ishte vërtet trupvogël në shtat, por i mirëpërgatitur në të gjithë komponentët fiziko-atletik çka i dha mundësi, të shquhej e cilësohej si tejet pozicional në rolin e mbrojtësit, duke u bërë i pakalueshëm edhe nga sulmues shtatlartë. Dhe falë pikërisht këtij fakti në ekipin kombëtar të Shqipërisë, që mori pjesë në Ballkaniadën e vitit 1946, zhvilluar në Tiranë (7-13 tetor), trajneri jugosllav Ljubisha Brocic vendosi ta kishte një nga pjesëtarët e padiskutueshëm të formacionit. Dhe bashkë me Loro Boriçin, Xhakomino Poselin, Muhamed Dibrën, Sllave Llambin, Bimo Fakjen, Bahri Kavajën, Aristidh Parapanin, Qamil Telitin, Vasif Biçakun e Pal Mirashin më 13 tetor 1946, pas fitores 1-0 (gol i Telitit 55′) Rexhep Spahiu ngre në “Qemal Stafa”

trofeun e kampionit të gadishullit.

        Pas këtij triumfi Rexhep Spahiu, teksa vijonte të luante për bardheblutë në kampionatet e parë të pasluftës, bëhet protagonist si rrallë kush nga ata që kanë veshur fanellën e Shqipërisë, në disa rezultate mjaft pozitivë të Kombëtares tonë kuqezi. Kështu më 2 maj 1948 në Bukuresht kuqezinjtë nën drejtimin e trajnerit Adem Karrapici fitojnë 1-0 me gol të Pal Mirashit (65′), po gjithnjë nën drejtimin e Karrapicit prekin dy barazime të bardhë  (0-0) në “Qemal Stafa” më 23 maj 1948 me Hungarinë dhe në “Narodni Armi” të Beogradit me Jugosllavinë. Një vit më vonë, më 23 tetor 1949 Rumania fton kuqezinjtë në Bukuresht me synimin për të marrë revanshin e humbjes të një viti më parë. Por, Shqipëria e trajnerit Sllave Llambi me Voglin, Dibrën, Spahiun, Shaqirin, Llambin, Kavajën, Gjinalin, Boriçin, Telitin, Biçakun e Parapanin ua shuan ëndrrën, kur sapo nis pjesa e dytë në 49′, Qamil Teliti vendos balancën pasi rumunët kishin shënuar në pjesën e parë me anë të Pecovskit (22′). Më 17 nëntor 1949 në Sofje (0-0) me Bullgarinë, më 1 maj 1950 në “Qemal Stafa” me Poloninë (0-0) dhe një muaj më pas në fitoren 2-1 (gola të Boriçit 21′ e Biçakut 56′) ndaj Bullgarisë në Tiranë. Por, nuk mbaron këtu, talenti i Rexhep Spahiut do të shkëlqejë më pas edhe nëpër stadiumet e Sofies, Varshavës, Moskës, Pragës, Leningradit etj., ndërkohë që në kampionatin shqiptar nuk mbante më fanellën bardheblu, por atë të Partizanit. {‘kishte ndodhur?

        Në vitin 1950 kampionatin e topkëmbës e kishte fituar skuadra e sapoformuar Dinamo, e cila kishte grumbulluar lojtarë nga të gjitha ekipet e vendit. Në të njëjtën mënyrë kishte vepruar edhe ekipi i Partizanit, kur qe formuar më 1946 dhe kishte fituar tri kampionate radhazi (1947, 1948 dhe 1949). Humbja e titullit i kishte detyruar drejtuesit e Partizanit të ndjekin sërish të njëjtën politikë, çka bëri që Rexhep Spahiu nga 1950 deri më 1956 të kontribuoj në fushën e blertë për këtë klub. Në sezonin futbollistik 1954, me të pakalueshmin në mbrojtje Rexhep Spahiu, duke u shpallur kampion Partizani arrin të thyej hegjemoninë e Dinamos, e cila kishte triumfuar në katër kampionate radhazi. Ndërkohë Xhepi kishte spikatur dukshëm në dy fitore radhazi në vitin 1952 ndaj ekipit përfaqësues të Cekosllovakisë, 3-2 (gola: Gjinali 2′, Teliti 62′, Jareci 89′) dhe një javë më pas po në Tiranë 2-1 (gola: Gjinali 5′, Boriçi 17′).

        Për ngjyrat e Partizanit si futbollist Rexhep Spahiu kontribuoi deri në kampionatin e vitit 1956. Një vit më pas mori në duar “timonin” e bankinës së kuqe. Një detyrë vërtet tejet e vështirë, aq më tepër që Dinamo rivalja kryesore në luftën për titull, jo vetëm ia kishte rimarë trofeun e kampiones së vendit, por e kishte fituar atë edhe më 1956. Por, Xhepi njeri me kurajë të madhe e karakter të qëndrueshëm, falë sigurisht eksperiencës vetjake në fushën e lojës e padyshim përvojës nga puna me trajnerë të njohur si Stërmasi, Karrapici, Brocic e Llambi, nuk u tut, por përkundrazi e nisi punën me guxim e pasion. Madje, i vendosur më shumë se kurrë për t’i rrëmbyer dinamovitëve titullin kampion. Dhe në këtë sipërmarrje, padyshim tejet të vështirë garanci e madhe ishte grupi i futbollistëve me Maliqatin, Fagun, Deliallisin, Papadhopullin, Ndinin, Merjen, Krajën, Dedën, Resmen etj., tek i cili gjeti mirëkuptimin e mbështetjen e duhur. Dhe ia doli mbanë. Partizani me trajner Rexhep Spahiun, bëri “tris” duke fituar titullin kampion në tri kampionate radhazi: 1957, 1958 dhe 1959. Ndërkohë në Lojërat e Ushtrive të Bllokut të lindjes zhvilluar më 1958 në Lajpcig (RDGJ) Partizani i tij, mposhti njëra pas tjetrës skuadrat shumë të njohura në Europën e asaj kohe, si Dukla e Pragës, Honved i Budapestit, Steaua e Bukureshtit dhe Forvest i Berlinit dhe vetëm në finale u mund nga bullgarët e CDNA së Sofjes. Përfundimisht ekipi u rendit i dyti dhe meritoj medaljet e argjendta. Në vitin 1961, e ngjiti Partizanin sërish në podin e nderit, duke e shpallur për të tetën herë kampion i Shqipërisë. Gjysmën e këtyre trofeve (4), skuadra e kuqe i kishte arritur me Rexhep Spahiun në “timonin” e bankinës. Një rekord unikal ky, ende i paprekur nga asnjë trajner në kampionatet tona.

        Dy vite më vonë më 1963 në Lojërat e Ushtrive të Bllokut të lindjes zhvilluar në Hanoi të Vietnamit, Xhepi me një Partizan të përtërisë me emra të spikatur si F. Frashëri, P. Bukoviku, O. Mema, T. Shehu, M. Janku, L. Bytyçi, L. Shllaku etj., përsërit suksesin e Lajpcigut (1958), duke merituar sërish vendin e dytë e medaljet e argjendta. Më pas Xhepi ka drejtuar nga bankina në kohë të ndryshme ekipet e Apolonisë së Fierit, Korabit të Peshkopisë dhe Besës së Kavajës. Pas kësaj deri pak kohë para se të ndërronte jetë ka qenë në rolin e ndihmëstrajnerit e ndër konsulentët kryesorë në ekipin Kombëtar të Shqipërisë.

        Dhe të gjitha këto arritje u mundësuan sigurisht falë vlerave të pashoqe njerëzore që Rexhep Spahiu mbarte në karakterin e tij të qenësishëm e modest, në aftësitë e jashtëzakonshme profesionale perfeksionimin e të cilave nëpërmjet studimeve të pafund e përsoste gjithnjë e më shumë, dhe mbi të gjitha në inteligjencën drejtuese, psikologjinë komunikuese me individë të veçantë edhe me grupin që kishte në dispozicion. Pse zotëronte pikërisht cilësi të tilla dhe pse vitet kalojnë Rexhep Spahiun trajnerin më të suksesshëm në kampionatet e topkëmbës shqiptare, e kujtojnë me respekt jo vetëm ata futbollistë që patën fatin të punonin nën drejtimin e tij, por edhe masa e gjerë e futbolldashësve, për kënaqësitë e shumta e  emocionet pafund që u dhuroi.

 SKEDA

Emri: Rexhep

Mbiemri: Spahiu

Datëlindja: 1923

Vendlindja: Tiranë

Roli: Mbrojtës

Ekipet me të cilët është aktivizuar si futbollist:

SK Tirana 1945-1950, Partizani 1951-1956

Trofe të fituar si lojtar:

Kampion me Partizanin 1954

Ekipet që i ka drejtuar si trajner:

Partizani, Apolonia e Fierit, Korabi i Peshkopisë dhe Besa e Kavajës.

Trofe të fituar si trajner:

Kampion me Partizanin: 1957, 1958, 1959 dhe 1961

Kupa të Shqipërisë: 1957, 1958 dhe 1961

Medalje e argjendë me Partizanin më 1958 Lajpcig (Gjermani) dhe më 1963 në Hanoi (Vietnam) në Lojrat e Ushtrive të Bllokut të lindjes.

Me ekipin Kombëtar: 19 ndeshje

Trofe me ekipin Kombëtar: Kampion i Ballkanit (1946)

Arsimimi: Instituti i fizkulturës dega mësuesi

Vlerësime: “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, Urdhëri “Naim Frashëri” kl. I

U nda nga jeta: 12 janar 1993

Medalje argjendi në Laipcig e Hanoi

 Lojërat e Ushtrive të Bllokut të lindjes zhvilluar më 1958 në Lajpcig (RDGJ) Partizani i tij, mposhti njëra pas tjetrës skuadrat shumë të njohura në Europën e asaj kohe, si Dukla e Pragës, Honved i Budapestit, Steaua e Bukureshtit dhe Forvest i Berlinit dhe vetëm në finale u mund nga bullgarët e CDNA së Sofjes. Përfundimisht ekipi u rendit i dyti dhe meritoj medaljet e argjendta. Dy vite më vonë më 1963 në Lojërat e Ushtrive të Bllokut të lindjes zhvilluar në Hanoi të Vietnamit, Xhepi me një Partizan të përtërisë me emra të spikatur si F. Frashëri, P. Bukoviku, O. Mema, T. Shehu, M. Janku, L. Bytyçi, L. Shllaku etj., përsërit suksesin e Lajpcigut (1958), duke merituar sërish vendin e dytë e medaljet e argjendta.