Bedri ALIMEHMETI/ ÇELA, “Beni i vogël” i Tiranës së viteve 60-të

1890
Sigal

Dossier / Mesfushori potent i bardhebluve, mësues i palodhur i edukimit fizik

        Vonë, madje vetëm pasi talenti i Ben Bukovikut si futbollist kishte shkëlqyer, dhe nëpër gazeta po shkruhej gjithnjë e më shumë për të, sportdashësit e bardhebluve mësuan që emri i tij i vërtetë ishte Pavllo. Kuptohej emri Ben, ishte “nofkë” përkëdhelëse mbetur nga fëmijëria e hershme, si[ ndodhte e vijon ende të ndodhë jo vetëm nëpër familjet tiranse. Gjithsesi vijuan ta thërrisnin sërish Ben, deri sa nga fundi i vitit 1966 në mesfushën e bardhebluve zbriti një futbollist tjetër me emrin Arben Çela. Pas kësaj për t’i dalluar nga njëri tjetri figurativisht jo nga cilësia e lojës, por nga diferenca në moshë nisën t’i thërrisnin “Beni i madh” e “Beni i vogël”.

        Gjithsesi dy mesfushorët e bardhebluve nuk i bashkonte vetëm emri i njëjtë, por edhe fakti që ishin lindur e rritur në rrugën e famshme të Kavajës, apo të “rrugës së futbollistëve” si[ u pëlqen tiranasve ta quajnë edhe sot. Pa thënë që ishin thuajse banorë të një mëhalleje, atje në zonën prapa ish stabilimentit “Mihal Duri”, ku në sheshet e rrugicat “Naim Frashëri” e “Xhezmi Delli” në ato vite luhej aq shumë futboll. “Pjesën më të madhe të kohës, – kujton Arben Çela – sidomos gjatë pushimeve e kalonim tek fusha e aviacionit, ku shpesh më të rriturit më përfshinin edhe mua në ndeshjet e tyre”.

        Por, shkëndijat e para të talentit Arben Çela i spikati në fund të viteve 50-të të shekullit të kaluar, mësuesi i edukimit fizik i shkollës 7-vjeçare “Luigj Gurakuqi” në atë kohë “Mjeshtri i Madh” Vangjel Koja. Edhe pse ishte ndër specialistët më të mirë të vendit në volejboll, e nxiste të mos i ndahej futbollit dhe e aktivizonte dendur në skuadrën e shkollës.

        Ndërkohë familja Çela vendoset me banim në rrugën “Mihal Grameno”. Ambient i ri, shokë të rinj por, futbolli është po ai. Dhe Arbeni shumë shpejt krijon miqësinë e re. Me Ilir Pernaskën, Petrit Haxhinë etj. në ekipin e futbollit të rrugicës “Lek Dukagjini”, që në atë kohë në kampionatin e rrugicave të Tiranës me “trajner” doktorin e mirënjohur Flamur Topi ishte ndër skuadrat më të spikatura. Dhe kështu me këta shokë të rinj, Arbeni u inkuadrua në ekipin e para të rinjve të 17 Nëntorit, që drejtohej nga futbollisti i njohur Osman Reçi. “Ka qenë viti 1962, – kujton ai – stërviteshim tek fusha e dibranëve. Një vit më vonë drejtimin e ekipit e mori një tjetër emër i njohur i futbollit Pal Mirashi”. Dhe pas kësaj, i dhënë pas mësimeve dhe aktiviteteve të ndryshme, befas Arbeni e sheh veten të shkëputur nga futbolli. Por, qe kujdesi i vëllait më të madh Sandrit, i cili një ditë e mori për dore dhe e çoi tek fusha “Vasil Shanto”, aty ku seleksioneri i njohur i “fidanishtes bardheblu” mjeshtri Xhavit Demneri, përgatiste talentet e rinj. Në atë grup futbollistësh Arbeni gjeti: Durim Hatibin, Perikli Dhalesin, Durim Tabakun, Adem Agovin, Ramadan Shehun etj., të cilët bashkë me të më pas zbritën në fushën e blertë me fanellën bardheblu. Por, edhe këtu disi i “trembur” nga fakti që shokët e grupit (më të rritur se ai) i dukeshin burra të mëdhenj, Beni mungon dy javë rresht në stërvitje.

        Këtë herë qe vetë profesor Demneri, që kërkoi të vëllanë dhe këmbënguli që Arbeni të kthehej. Kuptohet seleksioneri i njohur kishte dalluar tek ai tiparet e vërteta të një futbollisti të ardhshëm. Dhe pas kësaj për vite me radhë nuk iu nda stërvitjes në shi, erë, të ftohtë e vapë të padurushme derisa një ditë, kur ende ishte nxënës i vitit të tretë në gjimnazin “Ismail Qemali”, zbriti për herë të parë me uniformën bardheblu në radhët e skuadrës së famshme të Tiranës së “artë” të viteve 60-të, të asaj skuadre, që bëri epokë dhe ka mbetur ende nostalgjike në kujtesën e atyre që  patën fatin ta shihnin.

        Dhe që nga ajo ditë “Beni i vogël” zhvilloi me qindra ndeshje, duke u dalluar në mesfushën e bardhebluve për grintën e pambarimtë sportive, optimizmin në arritjen e fitores dhe korrektesën në lojë. Të gjitha këto veçori bën që ai ta ndjente veten të barabartë me futbollistët “yje” që luanin në atë kohë në ekip. Ndërkohë ai dallohet edhe në shumë veprimtari ndërkombëtare, si për ngjyrat e klubit ashtu edhe në ato të ekipit kombëtar Shpresa, ku nga 1967 e deri 1969 ishte pjesëtar i padiskutueshëm i formacionit në kampionatin ballkanik dhe europian. Gjatë kësaj periudhe përfundon studimet (1970) në Institutin e fiskulturës dhe nis punën mësues i edukimit fizik në gjimnazin “Qemal Stafa”, profesion të cilit për gati gjysmë shekulli nuk do t’i ndahet, madje si rrallë kush në të njëjtën shkollë.

        Në karrierën futbollistike të përhershme me Tiranën, bilanci i arritjeve të tij është shumë i pasur. Ka fituar kampionate, kupa e spartakiada. Në arkivin e tij janë 22 takime ndërkombëtare, mes të cilëve ai do të veçonte ato me skuadra të njohura europiane Standard i Liezhit (Belgjikë) dhe Ajaks i Amsterdamit (Holandë).

        Në vitin 1980 në një ceremoni mbresëlënëse në “Qemal Stafa”, përpara derbit 17 Nëntori-Dinamo i dha “lamtumirën” futbollit, por me shpirt e me zemër “Bëni i vigël ” do të vijoj të jetë gjithnjë pranë ekipit. Madje, për vite me radhë duke qenë anëtar i kryesisë së klubit ka dhënë ndihmesë të  vlefshme në ecurinë e skuadrës.

Të veçanta nga jeta e Arben Çelës

 43 vite në gjimnazin “Qemal Stafa”

 Kur ka nisur punë për herë të parë si mësues i edukimit fizik në shtator të vitit 1970, Arbeni ka qenë i grumbulluar me 17 Nëntorin në kuadër të përgatitjeve për takimet me Ajaksin e Amsterdamit. Gjithsesi pas kthimit nga Holanda është paraqitur në punë dhe ka zhvilluar me nxënësit orën e parë të mësimit. Dhe që nga ajo ditë, gjithnjë i përkushtuar e pasionant në profesion, për 43 vite me radhë nuk do të largohet nga gjimnazi “Qemal Stafa”, duke u shndërruar thuajse në një “ikonë” të gjallë. Në afro pesë dekada bashkëpunoi me 12 drejtorë, dhjetëra pedagogë e u dha mësim qindra nxënësve, shumë nga të cilët sot janë kuadro drejtues, deputetë, ministra, artistë e sportistë të njohur.

 Gol Tomashevskit

 Ndaj Polonisë në “Qemal Stafa” në një ndeshje për eliminatoret e kampionatit europian të ekipeve Shpresa U-21, pas dizavantazhit 0-1, ka qenë “Beni vogël”, që ka ndjekur me zgjuarsi harkimin e saktë të Agim Jankut, ka kërcyer mbi mbrojtësit polakë dhe me një goditje të fuqishme me kokë ka tundur rrjetën e portierit Tomashevski. Dhe barazim 1-1. Ishte viti 1969. Në Kupën e Botës Gjermania-1974, polaku Tomashevski do të cilësohej portieri më i mirë në Botë.

 Goli në sekondat e fundit

 Në javën XVII të sezonit 1969-1970 luhej derbi 17 Nëntori-Partizani. Të kuqtë kishin kaluar në avantazh në pjesën e parë me anë të vlonjatit Shemsi Zilja. Po rrokulliseshin minutat e fundit, por edhe pse presioni i bardhebluve në portën e rivalëve të vjetër qe i jashtëzakonshëm, rruga e rrjetës nuk po gjendej. Pak sekonda kishin mbetur dhe nga çasti në çast pritej fërshëllima përfundimtare e gjyqtarit. Ndërkohë sulmuesit bardheblu nëpërmjet një harkimi të rrezikshëm të Ali Memës i drejtohen për herë të fundit portës kundërshtare. Por, portieri Bashkim Muhedini ka grushtuar fuqishëm dhe e ka larguar rrezikun. Gjithsesi topi ka përfunduar në këmbët e të palodhurit Arben Çela. Stadiumi mban frymën. Portieri Muhedini ka ngrirë në vend. Nuk ka më kohë. Dhe Beni ndonëse ndodhej mbi 25 m larg portës, harkon me mjeshtri drejt saj. Rrjetë. “Qemal Stafa” shpërthen. “Pas kësaj, -kujton ai -mbi mua shokët “kala dibrane”. Një gol vërtet për të mos u harruar”.

SKEDA

Emri: Arben

Mbiemri: Çela

Datëlindja: 16 korrik 1948

Vendlindja: Tiranë

Roli: Mesfushor

Ekipet si futbollist:

Të rinjtë e Tiranës 1962-1966

Ekipi i Tiranës 1966-1980

Trofe:

Kampion me Tiranën dy herë në sezonet:

1968 dhe 1969-1970

Fitues i Kupës së Shqipërisë dy herë 1976 dhe 1977

Fitues i kupës dhe i medaljes së artë në Spartakiadën II Kombëtare (1969)

Fitues i Kupës “25 vjetori i [lirimit” dhe i gazetës “Sporti”

Arsimimi: Universiteti i Sporteve dega mësuesi (1970)

Vlerësime: “Mjeshtër Sporti”, “Mirënjohje e qytetit të Tiranës”, Medalja “Naim Frashëri” dhe Urdhri “Naim Frashëri” kl. III

4- 17 Nëntori përpara ndeshjes me Ajaksin, 16 shtator 1970. Arben Cela ne këmbë i dyti majtas