Sigal

Për të dytin vit radhazi Mohamed Salah është shpallur “Futbollisti Afrikan i Vitit”, një çmim që jepet nga BBC në Angli.

Sulmuesi i Liverpool doli fitues ndaj Medhi Benatia, Kalidou Koulibaly, Sadio Mane dhe Thomas Partey me 650 mijë vota, duke vendosur rekord. Egjiptiani u bë protagonist këtë sezon duke shënuar 44 gola në 52 ndeshje për “Reds”.

“Është një ndjesi shumë  e bukur të fitosh sërish. Jam i lumtur dhe dua ta fitoj edhe vitin tjetër”, tha Salah pasi iu dorëzua çmimi. 26-vjeçari u bë protagonist edhe me Egjiptin, duke shënuar dy gola në ndeshjen e fundit që i siguroi kualifikimin për në Botëror pas 28 vitesh. Po ashtu, shënoi edhe dy gola përgjatë fazës së grupeve në Botërorin rus, shkruan SP.

“Kanë qenë shumë momente të bukura përgjatë vitit 2018. Ndeshja kundër Romës në ‘Anfield’ ishte e pabesueshme. Po shënoj gol dhe po ndihmoj skuadrën të marrë pikë dhe të qëndrojë në krye të kampionatit. Kjo është gjithmonë një ndjenjë e madhe”, shtoi ai më tej.

Si përfundim Salah shtoi se për 2019 do ishte shumë i lumtur nëse fitonte ndonjë titull me Liverpool.