Bashkim Fino e kupton humbjen, po e la mandatin, tre vite mbetet pa Kuvend!

563
Nga Agron KAJA
Duke dëgjuar një ditë më parë deklaratat e deputetit të PS-së Bashkim Fino, brenda tyre kishte shumë të veçanta, mes të cilave kandidat për postin e Presidentit të FSHF-së, tregoi se ishte shumë larg realitetit në futboll, duke i “rënë qemanes” tradicionale të politikës së ditës, me premtime si “shëndetësia falas”…! Nga ana tjetër, të deklarosh në televizionin shtetëror se në dy mandate do të ndërtosh pesë stadiume të reja si “Arena Kombëtare”, është pak të themi se ishte si një lajthitje, e cila e dëmtoi shumë gjirokastritin që pretendon të bëhet President në futbollin shqiptar. Dje, gazeta “Telegraf” e quajti si: Lojë futbolli me futbollin, që në kontekstin e saj nënkupton se, të premtosh (gënjesh) për vota në dëm të futbollit. Dhe duke ju referuar medies së djeshme, të shkruar, vizive dhe elektronike, këtë premtim e vlerësuan si humbjen e paralajmëruar të deputetit për president në futbollin tonë. Ndoshta kjo deklaratë (dhe shumë të tjera), e dëmtoi shumë ish-kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, ish-Kryeministrin shqiptar dhe deputet në Kuvend për gati 20 vite, i cili duket se e dashuron futbollin, por që në deklarimet e tij tregoi se nuk di sesi ai drejtohet, qoftë edhe në fushën e lojës, dhe jo mandej në menaxhim e drejtim. Në fushatat elektorale, politikanët premtojnë për të marrë vota, dhe Fino nuk dalloi shumë nga të qenit politikan, pasi duke pasur njëherësh mbështetjen e drejtuesve të tij politik, ndoshta foli si fitues i parakohshëm. Në këtë hapësirë fushate, për të dy kandidatët që kërkojnë të jenë President në FSHF, ka shumë pyetje dhe hamendësime, dhe këto janë normale, por një pyetje e veçantë për kandidatin e PS-së për, Bashkim Fino: Duke qenë deputet në Kuvendin Shqiptar, dhe aq më shumë i maxhorancës qeverisëse, e mendon një garë pa ndikim politik, apo një garë si zgjedhjet e rëndomta të politikës shqiptare? “Nëse do ishte me ligj, do respektoja ligjin, do jepja dorëheqjen nga politika dhe do kandidoja. Do të kandidoja dhe kush të fitonte sipas platformës, do të vazhdonte. Por, nuk heq dorë nga mandati, sepse asgjë s’ma ndalon deri tani”, kështu deklaroi Fino në TVSH, duke e zbuluar që në fillim skenarin, se politika shqiptare kërkon të kapë edhe futbollin. Ndoshta ka edhe një fakt tjetër, se Bashkim Fino ja ka hyrë kësaj gare i detyruar, dhe fundin e mendon dështim. Frika se mos mbetet edhe pa “deputetllëkun”, e nxjerr të papunë, edhe me atë ndërhyrjen e tatimorëve, të cilët në çdo pushtet qeverisës në Shqipëri, kanë qenë vegla, jo qorre, por servilë për të mbushur nga ana tjetër xhepat e tyre në shfrytëzim të detyrës. Këtë kandidim ndoshta po e monitoron edhe UEFA me FIFA-n, ndaj kandidim i një deputeti, i një ish-kryeministri për të qenë në krye të futbollit, ka doza politike të pastra, dhe këtë ata nuk do ta lejojnë. 
Sigal